Aranit Muraçi
Qeveria shqiptare miratoi reformën e re të pagave, fillimisht për kategori të caktuara të sektorit publik. Projektligji rishikon të gjithë strukturën duke nisur që nga Presidenti i Republikës deri tek specialisti më i thjeshtë i Administratës Publike. Paga e Presidentit Bajram Begaj do të shkojë në 425.000 lekë, ndërsa paga për ata që do të marrin pagë minimale është premtuar se do të jetë shumë shpejt rreth 450 euro.
Para se vendimi të marrë formë ligjore, Kryeministri Edi Rama u zotua se brenda një viti paga mesatare e Republikës së Shqipërisë do të shkojë në 900 Euro nga 563 euro që është sot.
Ministrja Dalina Ibrahimaj e quajti këtë nismë një reformim të thellë në hierarkinë e pagave për institucionet kushtetuese dhe ato të pavarura, që i hapin rrugën të gjitha vendimeve të Këshillit të Ministrave për ristrukturimin e formulës së pagave në vend. Sipas Ibrahimajt, e gjithë administrata publike do të ketë në harkun kohor të dy viteve një rritje nga 22%-61% që do të jetë e përshkallëzuar sipas pozicioneve. Rritja e pagave do të nisë në muajin prill për të gjithë kategoritë e arsimit, shëndetësisë dhe sigurisë, ndërsa për administratën qendrore dhe vendore, rritja do të fillojë me miratimin e këtij ligji në Parlament.
Rritja do të realizohet në dy faza. Në hapin e parë, rritja, ose më mirë të themi indeksimi i pjesshëm nga inflacioni, do të realizojet për disa kategori aktualisht me paga të ulëta. Ndërsa rritja e radhës do të bëhet, pasi projektligji të miratohet në Kuvend. Në rastin e parë, nga rritja e çmimeve dhe rënia e fuqisë blerëse logjika ekonomike funksion, madje mund të quhet një hap i vonuar.
Dyfishimi i pagave duket se ka dy qëllime, e para, për të motivuar të rinjtë që në vend të largimit të investohen në vendin e tyre, dhe e dyta, domosdoshmëria që lind nga rritja e inflacionit dhe rënia e fuqisë blerëse.
Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj konfirmoi se rritja e parë e pagave për një kategori punonjësish të sektorit publik do të hyjë në fuqi këtë muaj. Në vitin 2025 kur e tëra reforma e pagave të jetë realizuar sipas planit të qeverisë, efekti shtesë i buxhetit do të jetë 38 miliardë lekë (rreth 400 milionë euro). Ku do të merren këto para? Sipas ministres rritja do të mbulohet brenda ruajtjes së parametrave tërësore të politikës fiskale, që do të thotë se do të hiqet dorë nga shpenzime të tjera, me qëllim që të mbulohet kostoja e pagave. Ibrahimaj mohoi faktin që rritja e parashikuar do të mbulohet përmes borxhit, çka mund të shoqërohej me “trauma” në periudha afatgjata. Ndonëse është kohë fushate, reforma që pritet të zbatohet për dy vite lë vend për dyshime, ngaqë rritja e pagave në vend të një mundësie reale, mund të ketë më tepër prapavijë politike, sepse vendimi politik përkon edhe me zgjedhjet e tjera të përgjithshme të vitit 2025. Gjithsesi, ashtu siç ka ndodhur kudo nëpër botë, për disa kategori rritja e pagave ishte e imponuar dhe madje duhet të kishte ndodhur më shpejt. Veçse rritja e pagave kudo është studiuar mirë për çdo kategori.
Por si mund të realizohet një rritje kaq e madhe pagash në një kohë kaq të shkurtër?
Më kryesorja, a mund të kthehet kjo rritje, në rrezik për ekonominë?
Qeveria ka fuqi të ngrejë vetëm pagat e administratës publike, por sesa do ta ndjekë këtë nismë sektori privat që reforma të ketë sukses, kjo mbetet për t’u parë. Rreziku i parë i madh është se rritja e pagave mund të nxisë paralelisht rritjen e nivelit të korrupsionit, i cili mbetet një problem për vendin tonë dhe madje konsiderohet “kancer” i ekonomisë dhe i shoqërisë.
Dihet që në sektorin publik mungon meritokracia. Dyfishimi i menjëhershëm i pagave mund të shtojë oreksin për të blerë vendin e punës ose për të krijuar edhe më tepër varësi nga politika, në vend që të ndodhë e kundërta, pra depolitizimi i sektorit publik. Nëse do të ishte e mundur, pagat mund edhe të ishin trefishuar, por rritja reale e pagave realizohet mbi rritjen e produktivitetit. Kështu që e vetmja mundësi e reformimit të sektorit publik është punësimi i më të aftëve për të rritur produktiviten si dhe për të rritur konkurrencën me sektorin privat. Duke shkurtuar vendet e punës nga administrata publike aty ku nuk ka aftësi dhe produktivitet dhe duke rritur pagat aty ku ndodh e kundërta.
Në administratën publike është më e madhe kërkesa sesa oferta për punë aktualisht, çka do të thotë se sipas ligjeve të tregut, kush mund të jetë i pakënaqur me pagat aktuale për të punuar në sektorin publik, mund të largohet për të punuar në sektorin privat, ose mund të shkojë në emigrim. Në realitet ka ndodhur e kundërta. Me pagat aktuale janë larguar kryesisht ata që punonin në sektorin privat, dhe rreziku është që të mbeturit në këtë sektor të demoralizohen edhe më shumë dhe të largohen edhe më masivisht nga Shqipëria.
Paralelisht me rritjen e pagave përmes reformimit të sistemit, a do të jetë qeveria në gjendje që të nxisë konkurrencën në tregun e punës mes sektorit publik dhe atij privat, do të luftojë korrupsionin, dhe do t’i japë përparësi meritokrasisë, që reforma të mos dështojë? Kështu rritja reale e pagave mbetet e vështirë, për të mos thënë e pamundur. Nëse rritja e pagave nuk është mirë-studiuar dhe do të ketë ndikim negativ në rritjen e mëtejshme të taksave dhe inflacionit, një nismë e tillë mund të shoqërohet me pasoja të rënda sikurse rrezikon të shoqërohet me pabarazi, padrejtësi, dhe deformim akoma më të madh të tregut të punës.
Si do të ndryshojë sistemi i pagave:
Paga mesatare: Nga 563 euro bëhet 900 euro
Paga minimale: Nga 330 euro bëhet 450 euro
Administrata Publike: Paga nga 49.000 lekë bëhet 81.000 lekë
Mësuesit e arsimit bazë: Paga nga 74.000 lekë bëhet 95.000 lekë
Mësuesit e ciklit të mesëm: Mbi 1 milionë lekë
Pedagogët: Paga bazë rritet 20%
Infermierët: Paga bazë 87.000 lekë, me shtesat shkon mbi 90.000 lekë
/Liberale.al/