Aktualitet

SHIFRA E DITËS: 225 mln (euro) humbjet e biznesit për 2022 nga zhvlerësimi i Euros, arsyet dhe ideja e përdorimit si monedhë kombëtare

Shkruar nga Liberale
SHIFRA E DITËS: 225 mln (euro) humbjet e biznesit për 2022 nga

Aranit Muraçi

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye sot me 111.21, ndërsa zhvlerësimi i saj në një kohë të shkurtër iu ka shkaktuar probleme të shumta qytetarëve, sidomos bizneseve.

Në lidhje me zhvlerësimin e Euros, guvernatori Gent Sejko renditi disa faktorë, që sipas tij e justifikojnë kursin e këmbimit. Guvernatori theksoi se investimet e huaja, të ardhurat nga turizmi, por edhe remitancat janë faktorët kryesorë.

Sejko po ashtu sqaroi edhe rastet kur BSH mund të ndërhyrje në kursin e këmbimit valutor. Sipas tij, BSH e ka të përcaktuar me ligj dhe rregullore kur ndërhyn në kurs.

Banka e Shqipërisë ka ndërhyrje në vitin 2018 në tregun e kursit të këmbimit, pasi sipas Guvernatorit Bejko në atë kohë të gjitha kriteret plotësoheshin, pasi ishin në një situatë deflacioniste.

Për vitin 2022 humbjet e bizneseve eksportuese nga kursi i këmbimit llogariten në vlerën e 225 mln eurove, kurse për 3 mujorin e parë të 2023-it sipas Florian Zekja, koordinator i Shoqatës Pro Eksport Albania, humbjet në sektorin e manifakturës nga rënia e monedhës euro llogariten në vlerën e 45 mln eurove krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Shqipëria aktualisht vend kandidat për në BE, kur të anëtarësohet do të ketë të detyrueshme që të përdorë monedhën europiane. Ekspertët kanë hedhur idenë e përdorimit të Euros, me qëllim për të shmangur goditjet nga luhatjet e kursit të këmbimit në ekonominë tonë. Si shembull aktualisht Kosova edhe pse nuk është vend anëtar i BE-së përdor monedhën europiane.

Kur euro u krijua për herë të parë, ajo u përdor vetëm nga 12 vende. Austria, Belgjika, Finlanda, Franca, Gjermania, Greqia, Irlanda, Italia, Luksemburgu, Holanda, Portugalia dhe Spanja miratuan euron si monedhën e tyre zyrtare në janar 1999. Sllovenia u bashkua në 2007, Qiproja dhe Malta në 2008, Sllovakia në 2009, Estonia në 2011, Letonia në 2014, Lituania në 2015 dhe Kroacia në 2023.

Aktualisht janë 20 vende anëtare të Bashkimit Evropian që përdorin euron si monedhë.

Presidenti i Universitetit Europian të Tiranës, Selami Xhepa, e hodhi një ditë më parë idenë e përdorimit të Euros në vendin tonë, gjatë fjalimit që mbajti në DSSh, ndërsa i tha “Liberale.al” edhe arsyet se përse hodhi idenë e heqjes dorë nga monedha aktuale, Leku, me argumentin se përshtatja sa më herët me atë europiane do të sillte më tepër siguri në ekonomi, proces që për shkak të integrimit në BE herët apo vonë do të ndodhë.

Shqipëria bën pjesë ndër vendet me një nivel shumë të lartë të zëvendësimit monetar, nivel që sipas studimeve i tejkalon nivelet teorike të përdorimit të monedhës së huaj që justifikohet nga fondamentet ekonomike. Modelet e histerisë theksojnë se pasi paguhen njëherë kostot e tronditjeve të forta monetare, edhe pas stabilizimit të vlerës së monedhës, përdorimi monedhave të huaja vazhdon të mbetet i lartë për shkak të memories së shoqërisë”, theksoi Xhepa.

Tregjet kanë memorie, thonë ekonomistët. Kështu që zhvlerësimet e forta të monedhës sonë kombëtare që u shënuan me rënien e sistemit komunist, e orientuan ekonominë drejt përdorimit të monedhave të huaja, në atë kohë të dollarit dhe markës gjermane, dhe pastaj drejt euros që nga fillimi viteve 2000. Edhe pse vendi ka gëzuar stabilitet të parametrave të saj makroekonomik, qytetarët dhe agjentët ekonomik vazhdojnë të bazohen gjerësisht tek monedha europiane. Edhe modelet e ndërtimit të portofolit konsumator janë pjesë e shpjegimit të kësaj sjellje të shoqërisë në preferencën për monedhën europiane. Diferencat e normave të interesit për investimet në monedhën tonë kombëtare dhe atë europiane kanë qenë të pamjaftueshme për të stimuluar zhvendosjen e preferencave drejt lekut, kjo për shkak të luhatjeve të kurseve të këmbimit. Prurjet në monedhën europiane në vend mbeten gjithnjë të larta, jo vetëm për aktivitin normal tregtar, por dhe për shkak të emigracionit të lartë, duke e bërë euron një monedhë që përdoret jo vetëm nga firmat, korporatat dhe bankat, por dhe nga pothuaj çdo familje. Prandaj dhe euro është shndërruar de facto në një monedhë kombëtare”.

Aktualisht, në treg po shënohen luhatje të forta të vlerës së monedhës, duke e fuqizuar monedhën tonë dhe duke dëmtuar kështu interesat për segmente të gjerë të ekonomisë dhe shoqërisë. Në tekstet standarde të ekonomiksit, monedhat e dobëta ose zhvlerësimet kompetitive të monedhave, shihen si instrumente të politikave tregtare që vendet adoptojnë për të nxitur eksportet dhe zhvillimin e prodhimit vendas që konkurron me importet. Veçanërisht për vendet e vogla ku roli e eksporteve është me rëndësi jetike për rritjen ekonomike, masat mbështetëse për eksportet zënë vend qendror në politikat ekonomike, prandaj dhe kurset e këmbimit duhet të marrin vëmendjen e autoriteteve. Fenomeni i njohur si “dutch desease” nuk duhet të neglizhohet”.

Duke qenë se gati 2/3 e aktivitetit ekonomik tregtar dhe financiar denominohet në euro, de facto vendi nuk do të kishte më tregti të jashtme, pasi faturimi do të kryhej në të njëjtën monedhë si brenda dhe jashtë vendit. Tregtia jashtë zonës së euros është shumë e vogël gjë që do të eliminonte pothuajse tërësisht kostot e transaksionit në ekonomi. Eliminimi i një risku siç është ai i kurseve të këmbimit mund të ishte ndihmues për ekonominë e vendit, përfshi dhe përfitimet e tjera që do vinin nga një stabilitet  makroekonomik më i garantuar dhe më afatgjatë”.

Integrimi europian përfshinë si hapin e fundit edhe adoptimin e euros si monedhë kombëtare, prandaj dhe heqja dorë nga monedha jonë nuk është një çështje nëse do të ndodhë, por kur do të ndodhë. Një monedhë si Euro do ishte më e dobishme për ekonominë tonë dhe sistemin tonë financiar dhe ka ardhur koha që të punojmë për të përgatitur një tranzicion drejt saj, fillimisht në mënyrë të njëanshme, dhe pastaj duke u anëtarësuar në sistemin e bankave qendrore europiane si bankë me të drejta të plota në bankën qendrore europiane”.

“Euroizimi i njëanshëm ishte jo i mirëpritur nga BQE në fillesat e veta për shkak të pasigurive që do të shoqëronin futjen në qarkullim të monedhës së re, por tani nuk pritet që të ketë hezitime për të pranuar një propozim që mund të vinte nga një vend si Shqipëria. Euro mund të ishte një tjetër simbolikë dalluese e vendit si pjesë e BE-së, së bashku me lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve, liri që tashmë janë pothuajse të plota, duke përjashtuar disa kufizime që ekzistojnë akoma në lëvizjen e njerëzve”.

Anëtarësimi me të drejta të plota e përfundon këtë hap të fundit të këtij procesi të gjatë. Le të urojmë që ky hap i fundit të realizohet brenda një afati kohor sa më të shpejtë dhe të mos shndërrohet në një zvarritje pafund si Paradoksi i Zenon”, shpjegoi Selami Xhepa.

Liberale Newsroom

Bashkia e Tiranës mbi 3 muaj pa kryetar! A duhet të shpallë qeveria zgjedhje të reja për kryeqytetin?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH