Aktualitet

SHIFRA E DITËS: 121.3 mijë studentë gjithsej, çfarë preferojnë ata dhe nevojat e tregut (gradat shkencore histori tjetër!)

Shkruar nga Liberale

Aranit Muraçi

Më tepër sesa një studim tregu, që të orientojnë universitetet para se të përcaktohet numri i studentëve dhe i degëve që ata duhet të ndjekin, është vetë preferenca e studentëve ajo që duket se orienton autoritetet, të cilët, për një vend që sheh si të ardhme turizmin ende nuk është menduar asgjë në këtë drejtim.

Në vitin akademik 2022-23, sipas të dhënave të fundit të INSTAT, vazhdojnë studimet në të gjithë programet e arsimit të lartë 121.352 studentë, duke shënuar një ulje prej 2,0 %, krahasuar me 2021-22. Veç rënies së numrit të studentëve, që lidhet kryesisht me emigracionin dhe rënien e lindshmërisë, vihet re luhatja në degët ku studentët vendosin të studiojnë, çka tregon një paqartësi që i karakterizon si ata që përcaktojnë kuotat edhe studentët që zgjedhin të studiojnë.

Rënie kanë pësuar edhe “Shkencat natyrore, matematikë dhe statistikë” me 10,9 %. Dega “Shërbime” që i përket turizmit është një ndër degët më pak të ndjekura nga studentët, çka tregon edhe “varfërinë” në vizion të politik-bërësve të arsimit.

Duke parë preferencat e studentëve, përveç paqartësisë se për çfarë dhe për sa specialistë ka nevojë tregu, duket qartë se preferencat e tyre vërtiten tek disa degë që mbeten ndër më të preferuarat dhe më të paguara në botë.

Më tepër kërkesa në rritje kanë pasur degët që lidhen me teknologjinë dhe mjekësinë.

Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin akademik 2022-23, ashtu si edhe vitin e kaluar akademik, studentët duket të preferojnë fushën e studimit “Biznes, administrim dhe ligj”, ku është përqendruar një e katërta e numrit gjithsej të studentëve, ose 30.713 studentë nga 31.173 që ishin një vit më parë dhe 32.227 që studionin dy vite më parë, duke pësuar ulje dhe ngritje të lehta.

Teknologji e Informacionit dhe komunikimit për shkak të kërkesave dhe pagesave më të larta në tregjet ndërkombëtare, ku si epërsi tjetër shihet i njëjti “komunikim” , ka ngjallur më shumë interesin e studentëve. 9.297 studiojnë këtë vit nga 8.458 që ishin një vit më parë dhe 8.341 në vitin 2020-21.

Ndërsa fusha më pak e preferuar është “Bujqësi, pyje, peshkim dhe veterinari” ku janë të regjistruar vetëm 2,6 % e numrit gjithsej të studentëve, ose 3.108 studentë,  nga 2.770 që kishte vitin e kaluar dhe 3.458 që ishin dy vite më parë.

Analizuar për secilën fushë studimi, krahasuar me vitin e kaluar akademik, uljen më të madhe të numrit të studentëve që ndjekin arsimin e lartë e kanë fushat “Arte dhe shkenca humane” me 16,9 %. Arte dhe shkenca humane nga 10.972 që kishte dy vite më parë zbriti në 9.536 studentë vitin e kaluar dhe ka aktualisht 7.926 studentë.

Për shkak të bllokimit të doktoraturave nga qeveria për disa vite, me arsyetimin se shkak ishte  “inflacioni” shumë i lartë, duket se vendimi nuk solli asgjë tjetër veçse shtoi telashet. Me rihapjen e tyre, në vitin e parë numri ishte po aq sa do të ishte nëse një proces i tillë do të vijonte normalisht. Por pas ndërprerjes dhënia masive e dokturaturave erdhi në një periudhë të vështirë si pandemia, ku duket se në një ndër periudhat më të vështira të njerëzimit, në Shqipëri u gjet një “kohë e artë” për të “graduar me shkencë” mes të tjerëve edhe ‘nxënësit shembullorë’ të klasës aktuale politike, e cila, siç dihet, arsimin vazhdon ta trajtojë dhe orientojë sipas frymës së regjimit të kaluar por si një ndryshim, duke hequr përgjegjësinë.

Gjithsesi, ashtu siç dominon numri i studentëve femra në auditorët e universiteteve për shkak se meshkujt preferojnë të shkojnë në emigracion, edhe sa i përket doktoraturave dominon numri i femrave. Nga 219 që nisën këtë vit dokturaturën, 123 prej tyre ishin femra dhe 96 meshkuj, ndërsa dy vite më parë në doktoraturë u pranuan 2.017 studentë, ku sërish shumica ishin femra.

Përfundimi, pra dalja në treg, në të gjitha rastet është një kaos i njohur tashmë nga shoqëria, dalja prej të cilit kërkon kohë, por më kryesorja, vullnet të hekurt politik.  /Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH