Në medie dhe portale të ndryshme po qarkullon lajmi se aktori i njohur, Elvis Pupa, ndodhet aktualisht në kërkim nga autoritetet australiane.
Po përflitet se ndaj aktorit dhe bashkëshortes së tij, Belina Pupa, rëndojnë akuza për kultivim të një sasie të konsiderueshme kanabisi dhe ndërhyrje të paligjshme në rrjetin elektrik.
Çifti dyshohet të jetë përfshirë në një aktivitet kriminal në një pronë në Adelaide, ndërsa Vis Pupa mësohet se është larguar nga Australia pas zbulimit të rastit.
Kjo ngjarje ka shkaktuar reagime të shumta në rrjet, përfshirë dhe një reagim të drejtpërdrejtë nga reperi Bardhi.
Në një postim të publikuar në rrjetet sociale, këngëtari i njohur shpreh zhgënjimin e tij për aktorin, duke e kujtuar si një prej figurave të preferuara të fëmijërisë.
Por jo vetëm kaq, pasi ai i kujton që në të kaluarën kishte bërë komente ndaj tij gjatë kohës që ai ishte pjesë e shtëpisë më të famshme në Shqipëri, “Big Brother VIP 3”.
“Po më vjen keq me lexu këtë lajm se je nga aktorët e mi të preferum të fëmijërisë. Por le të jetë si shembull ky që bota sillet. U ngute me fol për dikon që s’e njeh, as s’të ka dëmtu ty kurrë. E gjatë kohës së Big Brother e shkrujshe në story ‘Free Bardhi’ pa arsye, tash po ta shkruj unë ‘Free Elvis’ me arsye”, shkruan Bardhi në reagimin e tij.