Aktualitet

SHIFRA E DITËS: 0.5 përqind, çfarë pritet nga rritja e fundit e normës së interesit

Shkruar nga Liberale
SHIFRA E DITËS: 0.5 përqind, çfarë pritet nga rritja e

Nga Aranit Muraçi

Inflacioni në rritje i ka vënë bankat qendrore kudo nëpër botë në një udhëtim të vështirë.

Rreziqet në rritje për perspektivën e inflacionit mbeten të mëdha dhe mund të nevojiten shtrëngime më agresive, nëse këto rreziqe materializohen. Bankat qendrore në ekonomitë kryesore prisnin pak muaj më parë, se mund ta shtrëngonin politikën e tyre monetare gradualisht. Inflacioni dukej se ishte nxitur dhe goditur nga ngjarjet e pazakonta të ofertës, të lidhura me pandeminë dhe më vonë pushtimin e Rusisë në Ukrainë. Por teksa bankat qendrore kudo nëpër botë po rrisin normat e interesit, të njëjtin hap ka ndërmarrë sot edhe Banka e Shqipërisë.

Frika nga një rritje progresive e inflacionit, ka detyruar Bankën e Shqipërisë që të rrisë (më 3 gusht) me 0.5 pikë përqindje normën bazë të interesit. Që nga fillimi i këtij viti, inflacioni në Shqipëri, ashtu sikundër dhe në botë, ka njohur një rritje të vazhdueshme. Nën janar ishte në nivelin e 3.7 për qind, kurse në qershor kulmoi në 7.4 për qind.

Sipas Bankës së Shqipërisë “inflacioni parashikohet të qëndrojë në nivele të larta gjatë vitit 2022 dhe të reduktohet më tej. Në mungesë të goditjeve të reja, stabilizimi i çmimeve jashtë, pritet të lehtësojë presionet mbi inflacionin në vend”.

Banka Qendrore parashikon që “inflacioni të kthehet në objektivin tonë 3 për qind, në gjysmën e parë të vitit 2024”, duke paralajmëruar se “këto projeksione vijojnë të mbeten subjekt i pasigurive të larta. Në veçanti, rreziqet mbi inflacionin qëndrojnë në kahun e sipërm, kurse ato për rritjen ekonomike në kahun e poshtëm”.  Që prej marsit të vitit 2020 norma bazë e interesit kishte mbetur e pandryshuar në nivelet e saj më të ulëta historike, në kuotën e 0.5 për qind. Në mars të këtij viti, Banka e Shqipërisë ndërhyri për herë të parë duke e rritur me 0.5 pikë të tjera përqindje, për të vijuar me një lëvizje të dytë në korrik, me një rritje prej 0.25 pikë përqindje. Ndërsa e sotmja është ndërhyrja e tretë në harkun e pak muajve.

Me rritjen e inflacionit në nivelet më të larta të disa dekadave dhe presionet e çmimeve që po zgjerohen tek banesat dhe shërbimet e tjera, bankat qendrore pranuan nevojën për të lëvizur më urgjentisht për të shmangur një zbutje të pritjeve inflacioniste. Politikëbërësit duhet të marrin parasysh mësimet e së kaluarës dhe të jenë sa më të vendosur për të shmangur më vonë përshtatjet potencialisht më të dhimbshme dhe shkatërruese.

Rezerva Federale, Banka e Kanadasë dhe Banka e Anglisë gjithashtu kanë rritur ndjeshëm normat e interesit dhe kanë sinjalizuar se mund të vazhdojnë me rritje edhe më të konsiderueshme këtë vit. Banka Qendrore Evropiane kohët e fundit ngriti normat me 0.5 për qind për herë të parë në më shumë se një dekadë.

Veprimet dhe komunikimet e bankave qendrore në lidhje me rrugën e mundshme të politikave monetare kanë çuar në një rritje të ndjeshme të normave reale të interesit (të ndikuara nga inflacioni) për të lehtësuar borxhet e qeverive.

Normat reale më të larta të interesit për obligacionet qeveritare kanë nxitur një rritje edhe më të madhe të kostove të huamarrjes për konsumatorët dhe bizneset, dhe kanë kontribuar në rënie të mprehtë të çmimeve të aksioneve në nivel global. Pikëpamja modale e bankave qendrore dhe e tregjeve duket se nga ky shtrëngim i fundit do të jenë të mjaftueshme për të ulur inflacionin në nivelet e synuara nga bankat qendore.

Rritja e ngadaltë ekonomike duhet të ulë përfundimisht inflacionin e sektorit të shërbimeve dhe të frenojë rritjen e pagave, në vendet e zhvilluara. Megjithatë, madhësia e rritjes së inflacionit ka qenë një surprizë për bankat qendrore dhe tregjet, dhe pasiguria mbetet po aq e konsiderueshme. /Liberale.al/

 

Liberale Newsroom

A është e pranueshme (dhe e ligjshme) ndërhyrja e kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të disa prej bashkive të vendit?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH