Krye

Sezoni teatror 2021/ Shfaqet në UET premiera e “Domino në Burgator”

               Publikuar në : 10:17 - 12/06/21 liberale

Universiteti Europian i Tiranës ishte vendi i përzgjedhur për hapjen e sezonit teatror për vitin 2021. Ditën e hënë më, 7 qershor, në sallën “Aula Magna” u luajt në skenë premiera e shfaqjes “Domino në Burgator”, me skenar dhe regji të Armand Borës dhe me interpretimin e aktorëve të mirënjohur Xhevat Limani, Alfred Trebicka dhe Rozi Kostani.

Luiza Pinderi

Një shfaqje jo aq rastësore, që vjen pas një periudhe mbi një vjeçare ndërprerje të veprimtarisë kulturore, për shkak të pandemisë. Një periudhë që njëjtësonte me një ‘burgator’ fizik, por mbi të gjitha mendor dhe psikologjik. Një ‘burgator’ që lindi problematika të reja njerëzore e shoqërore, por kurrsesi nuk bëri që të harrohen të vjetrat.

Janë disa plagë të së kaluarës që mbeten gjithmonë një burim gangrene, për sa kohë që nuk marrin kurimin dhe vëmendjen e nevojshme në mënyrë të vazhdueshme. E tillë mbetet edhe për shqiptarët periudha e komunizmit, plagës që nuk shërohet duke mbuluar dhe harruar. Një plage që ka nevojë të njihet, të diskutohet, të dëgjohet, e natyrshëm mes rrëfimit, pranimit, të shkohet drejt prehjes dhe paqes. Kjo nevojë e shtyu skenaristin dhe regjisorin Armand Bora për të sjellë në skenë pjesën e fundit të trilogjisë “Të mbijetuarit”, dedikuar atyre që jetuan dhe sigurisht vuajtën nën tutelën e një regjimi totalitar.

“Periudha e diktaturës është trajtuar pas viteve ’90 dhe padyshim është trajtuar në mënyrë emocionale. Emocionet ishin të forta, të drejtpërdrejta, dramatike dhe gjithmonë kam menduar se kur do të vijë momenti të ndahet shoqëria shqiptare, të ndahet arti nga një nevojë për të folur për këtë temë. Fatkeqësisht, pas kaq vitesh, ne kemi nevojë të flasim për këtë periudhë, sepse të gjithë jemi koshientë që shoqëria shqiptare nuk ka bërë një shkëputje, në planin historik dhe psikologjik”, tha regjisori Bora.

Pas shfaqjeve “Ata hyjnë pa trokitur” me aktorët Alfred Trebicka e Rozi Kostani dhe monodramës “Udha e qumështit”, Bora solli “Domino në Burgator”, ku përveç mjeshtërisë së aktorëve të shfaqjes së parë, bashkëngjitej edhe gjenialiteti i aktorit të mirënjohur Xhevat Limani. Skenaristi dhe regjisori i shfaqjes sqaroi për të pranishmit, se në këto shfaqje nuk tregohet historia e atyre që kanë vuajtur dhe janë persekutuar për shkak të bindjeve ideologjike, të cilët kanë jetuar edhe përplasjet e tragjeditë më të mëdha. Në këto shfaqe sillen histori nga jeta e përditshme e njerëzve të asaj kohe, të cilët as nuk luftonin sistemin, por njëkohësisht nuk mundeshin të jetonin të lirë nën survejimin e tij.

“Unë e kam ndjerë si nevojë për të përshkruar edhe ankthin, edhe dhunën, edhe shkatërrimin, të kësaj pjesës tjetër të shoqërisë, për të përshkruar anti-heroin, sepse për heroin është folur. Shumë shkrimtarë kanë përshkruar jetën e heroit të diktaturës, kanë guxuar dhe e kanë sfiduar, ideologjikisht sistemin, por ndërkohë pjesa tjetër ka vuajtur po aq, apo në një mënyrë pak më të ndryshme, pa kaluar nëpër kalvaret e tyre, por e meriton edhe kjo pjesë tjetër e shoqërisë, për të folur për ta. Kjo vepër padyshim është një histori zhgënjimesh, është një histori që e tregon diktaturën në planin personal, nuk është një përplasje ideologjike, por është një përplasje mes njerëzish, për të treguar se ai sistem i krijonte mundësinë një njeriu të keq, për të shfrytëzuar pozitën e tij dhe për të shkatërruar jetë njerëzish”, u shpreh Bora.

Shfaqja “Domino në Burgator”, u bë e mundur në sajë të bashkëpunimit ndërmjet Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale të UET në partneritet me Teatrin Metropol dhe Bashkisë së Tiranës. Kujtojmë që, përgjatë këtyre 30 viteve tranzicion, UET i ka kushtuar rëndësi kujtesës kolektive, nëpërmjet shfaqjeve, konferencave, botimeve dhe diskutimeve për atë që bëri dhe la pas ajo periudhë 50-vjeçare e historisë së Shqipërisë.

Rënia e perdes, rrëfehen protagonistët

Ajo që i diferencon shfaqjet e trilogjisë ‘Të mbijetuarit”, përveç tematikës, lojës aktoriale, skenografisë, etj., është edhe mënyra sesi mbyllen ato. Nëse në shfaqjet e tjera, publiku largohet me përshtypjet e veta, në këto shfaqje ai ka një mundësi të shprehet, të ndajë, të rrëfejë me aktorët e të pranishmit, ato emocione, ndjesi, apo histori të mbartura apo të krijuara rishtazi. Është kthyer në një traditë, që pas rënies së perdes, protagonistët ulen në një diskutim me publikun. Njëjtë ndodhi edhe me “Domino në Burgator”, ku aktorët dhe regjisori realizuan një bashkëbisedim me të pranishmit, drejtues, pedagogë e studentë të UET, artistë e përfaqësues të artit dhe kulturës në vend.

Bora tregoi se shfaqjet e tij kanë dalë jashtë kornizave të teatrit klasik, duke prishur aksiomën e unitetit të kohës dhe veprimi dhe duke eksperimentuar me lëvizje, plastika të reja, që e bëjnë më të fortë mesazhin që përçohet.

Në këto eksperimente që kemi bërë, koha është e pacaktuar, nuk është lineare, nuk është kronologjike, por është një amnezi, një proces rikërkimi me veten, personazhe që ndiejnë ankthin dhe nuk janë koshiente dhe janë në kërkim të vetes, të asaj çka kanë qenë, për të arritur në atë çastin, në fragmentin e fundit kur jep shpirt dhe i kalon e gjithë jeta si një film”, tha Bora.

E gjithë drama zhvillohet kryesisht nëpërmjet dialogut, rrëfimit, palëvizshmërisë, mungesës së aksionit dhe e gjithë kjo në vetvete shoqërohet me një ngarkesë të lartë emocionale, falë edhe zotësisë së aktorëve.

“Dramaturigjikisht të dy personazhet janë të ngujuar, të pamundur për të lëvizur, të kapur nga e shkuara e tyre dhe janë statikë, të izoluar. Kemi pasur diskutime të gjata, por unë nuk kam lejuar përveçse dy momentesh që aktorët të ngrihen. Ka një konflikt mes dëshirë për të lëvizur dhe pamundësisë, dhe në ato momente lindin mrekulli përplasjesh, siç unë i vura re tek të dy miqtë e mi, u shpreh Bora, teksa shtoi se kjo nuk është një shfaqje çlodhëse, por një shfaqje e angazhuar.

Ne kemi zgjedhur këto lloj shfaqjesh të angazhuara, për të qenë të shqetësuar për çështje që shqetësojnë shoqërinë shqiptare dhe për të hapur debate”, tha ai.

Vlerë e shtuar e kësaj shfaqje ishte rikthimi në skenën shqiptare të aktorit Xhevat Limani, njëkohësisht regjisor e dramaturg, i cili prej afro dy dekadash jeton dhe zhvillon aktivitetin profesional në SHBA. Ai falenderoi publikun, që sipas tij i jep jetë dhe ekzistencë teatrit, teksa u shpreh se për aktorët nuk ka moshë e as pension.

“Pa publik, nuk ka teatër! Teatrot që duan t’i imponojnë njerëzit pa publik, janë teatro të vdekur dhe forma të rrejshme për të mbijetuar të paaftit. Teatri luhet sot dhe këtu! Veprat i kanë shkruar, i shkruajnë dhe do t’i shkruajnë, pra bëhet gjithmonë fjalë për tre kohë. Falenderoj Armand Borën që më ftoi në projekt, pas një rrugëtimi të gjatë që kam bërë me Gjergj Kastrioti Skënderbeu, me “Teatrin Shqiptar në Amerikë”. Mu dha rasti të takohemi në Dibër, në një shfaqje me këta kryeaktor, siç është Alfred Trebicka dhe Rozi Kostani. Kjo ishte ajo që më ngrohu zemrën, që të vij, sepse artisti ka nevojë gjithmonë për t’u dëshmuar. Atë moment që ai dorëzohet, që jeton me të kaluarën, është i vdekur. Për artistin nuk ka moshë, nuk ka pension, nuk ka kohë të ndalur”, tha Limani.

Aktori e quajti një rigjetje rikthimin e tij në skenë, teksa nuk mohoi se për të arritur këtë rezultat me shfaqjen janë dashur rrahje mendimesh, shkollash, përjetimesh, e bindjesh të ndryshme, gjë që ia ka shtuar më shumë vlerat. Ashtu siç edhe e karakterizon, Limani dha disa mesazhe të forta patriotike.

Artistët që janë jashtë kufijve të Shqipërisë, sado që shëtisin nëpër botë, kanë një qendër, një fole, një tempull të shenjtë, ku ata duhet të identifikojnë identitetin e tyre prej nënë dhe prej babe, jo prej sorre, pro prej shkabe, që janë artistë shqiptarë, këtu në Shqipëri. Askush, as unë, nuk mund t’i shmanget kësaj. Çdokund është teatër shqiptar, si këtu, si në Kosovë, si Në Maqedoni, por teatri shqiptar nuk frymon çdokund shqip, nuk ligjëron çdokund shqipërisht. Ndoshta politikat mund të ndajnë popujt me shtete, me kufij, por mendoj që arti është kambana më e bukur që mund t’ia ndjejnë tingujt ata që ëndërrojnë. Dhe artistët dinë të ëndërrojnë bukur për bashkim”, u shpreh aktori.

Ndërsa aktori Alfred Trebicka vlerësoi dramaturgjinë e sjellë, pasi sipas tij duhet ngacmuar ky lloj debati mbi komunizmin. Sesa e nevojshme dhe sesa e ndjeshme është kjo lloj tematike, e ka treguar edhe shfaqja e parë “Ata hyjnë pa trokitur”.

“Për mua është gjë shumë e mirë që laborohet ky lloj teatri, sepse duhet ngacmuar debati. Ky lloj teatri, kjo lloj dramaturgjie, këto lloj shfaqjesh e kanë këtë destinacion, pra destinacionin e debatit, diskutimit. Sot është nata e parë, është ai ngazëllimi i premierës, neve do të dëshironim që të kishte debat, ashtu siç ka ndodhur me “Ata hyjnë pa trokitur”, ku  ne e dimë shumë mirë se çfarë ka ndodhur, sidomos në debate, pasi shfaqja është ajo që është, me luhatjet apo lëvizjet e veta. Pjesa e diskutimeve, e debateve, ka qenë e jashtëzakonshme, me brezin e ri apo me njerëzit që kishin vuajtur nëpër burgje”, tha Trebicka

Reagimet e para të publikut

Ishte e pritshme dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe, që reagimi i publikut të ishte vlerësues dhe mirëpritës. Duke analizuar tematikën, mesazhin e përcjellë, kritiku dhe gazetari Agim Baçi tha, se nuk mund të ketë lëvizje, avancim, për sa kohë që nuk ka pendesë dhe falje.

“Komplimente për tekstin, regjinë, aktorët, por mendoj se ke përzgjedhur mirë, sepse nuk mund të lëvizim për sa kohë nuk ka pendesë dhe falje. Ne s’kemi pasur asnjërën nga këto, kështu që s’mund të lëvizë as mëkati, as ndëshkimi. Duke e lidhur me shfaqjen “Ata hyjnë pa trokitur”, kjo jep atë gjendjen sesi është kur të ndodhin ngjarjet dhe ti nuk je aktor. Unë personalisht e kam kuptuar këtë kur kam botuar një dokument të  hartuar nga Mehmet Shehu, pasi ndodhën ngjarjet në Rusi, ku ai thoshte se duhet të futeshin në radhët e Sigurimit nga shtresat e përmbysura, të përndjekurit dhe ish-pronarët, me qëllim që po të rrëzohet elita e pushtetit të kemi mundësi që t’i akuzojmë ata. Kur lexova këtë dokument jam ndjerë i trishtuar pamasë, sepse kuptova pse nuk kishim bërë dot hapa për të thënë disa gjëra të vërteta për të shkuarën, kështu që jemi këtu, tek dy tavolina që s’kanë lëvizur akoma. Unë e kam ndjerë këtë në media e kam menduar që shumë shpejt do të shkojmë drejt kësaj pike, do t’i themi gjërat. Ne jemi këtu sepse kemi qenë pak hipokrit në të shkuarën tonë, nuk kemi guxuar. Fatkeqësisht nuk i kemi thënë, kështu që të përgëzoj vërtet. Unë e kam parë pambarimisht shfaqjen e parë “Ata hyjnë pa trokitur”, nuk e di sa do ta shoh këtë”, tha ai, duke shtuar, se fatkeqësisht disa të vërteta nuk janë thënë akoma, prandaj ne qëndrojmë të pa lëvizur, njëlloj siç qëndrojnë aktorët e shfaqjes të ulur në karrige.

Aktori dhe pedagogu i UET, Dritan Boriçi e quajti një nder për skenën praninë e Xhevat Limanit, një prej figurave që e ka inspiruar prej fillimeve të veta. “E njoh personalitetin tuaj dhe jeni përtej dimensioneve të një skene”, u shpreh ai.

Më tej, Boriçi kërkoi që shfaqje të tilla duhet të shkojnë në çdo universitet, që brezi i ri të edukohet me teatrin e mirë. Sipas tij, është misioni i artistëve të ngrejnë tematika të tilla dhe të nxisin këtë lloj debati.

“Jo çdo gjë që shkruhet është teatër. Këta njerëz kanë investuar emrin e tyre për teatrin, e kanë të shenjtë. Ju këshilloj, se ju bën mirë edhe për shpirtin edhe për shëndetin kulturor dhe psikik, që në Shqipërinë tonë të rritet ky lloj teatri, sesa ajo që shohim shpesh fundjavave në televizionet e ndryshme, apo edhe në skena, e cila na ‘përdhunon’ edhe psiqikisht. Teknika që ke përdorur, futja e narracionit sëbashku me dialogun, është një gjë shumë bashkëkohore dhe moderne. Keni bërë mirë që keni ardhur në UET dhe duhet të shkoni në çdo universitet, që të edukohet ky brez me teatrin e mirë. Është një luftë që e bën minoranca ndaj një mazhorancë, por duhet bërë. Shumë mirë që ngrini tema mbi diktaturën, sepse ajo çka ka ndodhur në Shqipëri është e paprecedentë, s’ka ndodhur në asnjë vend tjetër të botës. O është misioni i artistëve shqiptarë kjo, ose nuk është e askujt tjetër!”, tha Boriçi.

Të pranishmit e tjerë folën me të njëjtën gjuhë, duke e cilësuar këtë shfaqje si një trokitje për të hapur derën e së vërtetës dhe duke uruar që të vijnë për publikun shqiptar sa më shumë shfaqje të tilla.

 

Tags: , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back