Kolana UETPRESS-15 vjet
Titullli: Komunikimi organizativ, qasjet dhe prirjet
Autorë: Michael J. Papa, Tom D. Daniels, Barry K. Spiker
Autorët: Michael J. Papa, Tom D. Daniels, Barry K. Spiker
Teksti ynë i parë mësimor i komunikimit organizativ u publikua në vitin 1987, me titullin “Qasje në komunikimin organizativ”. Ky libër u pasua nga tri botime me të njëjtin titull ndërmjet viteve 1991 dhe 1997. Ky botim i ri ndryshon në formë dhe në përmbajtje, prandaj edhe mban titullin e ndryshuar ‘Komunikimi organizativ; qasjet dhe prirjet’. Për këtë libër kemi ndjekur metodën e përshkrimit dhe të vlerësimit të komunikimit në organizata, duke u përqendruar në tri qasje kryesore për të kuptuar organizatat: tradicionale, interpretuese dhe kritike. Tradicionalistët janë të interesuar për raportin ndërmjet komunikimit dhe efikasitetit organizativ. Interpretuesit besojnë se komunikimi bën të mundur që anëtarët e organizatës të krijojnë dhe të rikrijojnë sistemin që bëhet konteksti i tyre social. Ky kontekst ka një rol në mënyrën se si anëtarët e organizatës i interpretojnë përvojat e tyre dhe në mënyrën se si ata veprojnë brenda organizatës. Studiuesit kritikë i shohin organizatat si instrumente privilegjimi dhe, madje, shtypjeje e manipulimi. Ata e përqëndrojnë vëmendjen në marrëdhënien ndërmjet klasave të privilegjuara (ose kushteve të privilegjuara) dhe grupeve të shtypura organizative ose atyre që nuk zotërojnë mjete dhe privilegje. Këto tri qasje janë përdorur për të hedhur dritë në funksionet dhe në strukturën e komunikimit; kulturën organziative; teknologjinë e informacionit; kontrollin kulturor, diversitetin dhe ndryshimin; format e reja të organizimit si rrjetat dhe heterarkitë, marrëdhëniet në grup, raportet lider-vartës, pushtetin, konfliktin dhe komunikimin strategjik; si edhe reflektimet e mijëvjeçarit të ri rreth organizatave.
Libri që keni në duar mbështetet në kërkime të mirëfillta dhe teorike në fushën e komunikimit organizativ, të plotësuara me raste dhe shembuj të korporatave lider dhe me dhjetëra përshkrime të komunikimit në organizata rreth e përqark botës, si, për shembull, General Motors, Triyo Industries në Japoni, Wal-Mart, McDonalds, Ben & Jerry’s, Enron, IBM, ExxonMobil, Grameen Bank në Bangladesh, Programet e Paqes të Carter Center, Eelectronic Disturbance Tehatre në Meksikë, programet e shëndetit publik në Kanada, programet e ndryshimit social në Indinë rurale, organizata mbështetëse e grave “Casa de Esperanza” dhe ‘Good Works’, një azil për të pastrehët dhe organizata për shërbime sociale ndaj njerëzve të varfër në Appalachia.
Përpara se të nisim me përshkrimin e detajuar të librit që po ju paraqesim, besojmë se është e rëndësishme të përmendim një ndryshim strukturor të rëndësishëm që kemi bërë. Në mënyrë që struktura e librit të reflektonte qasjet tradicionale, interpretuese dhe kritike, i kemi pajisur dhe organizuar shumicën e kapitujve duke u mbështetur në këto qasje. Megjithatë, lexuesi do të vërejë se Kapitulli 4 (Teoritë e Organizatave; receta për kontroll) dhe Kapitulli 5 (Metaforat biologjike të organizatës) nuk strukturohen në të njëjtën mënyrë. Ky vendim është marrë thjesht për faktin se materiali në këto kapituj nuk mund të shihet sipas qasjeve interpretuese dhe kritike. Për një kohë të gjatë, tanimë, këto teori janë mbështetur në qasjet tradicionale, të cilat e vënë theksin te konceptet, proceset dhe produktiviteti. Qasjet tradicionale, interpretuese dhe kritike strukturojnë gjithë pjesën tjetër të librit, megjithëse në mënyra disi të ndryshme. Në disa raste ka qenë e domosdoshme të parashtronim koncepte dhe ide përpara se të vijonim me seksionet tradicionale, interpretuese dhe kritike (shih kapitujt 2, 7, 8,10 dhe 13). Por me rëndësi është që edhe në këta kapituj reflektimi i lexuesit rreth temës së trajtuar orientohet sipas tri qasjeve në fjalë. Kjo metodë e ndjekur e ndryshon thelbësisht mënyrën si këto kapituj qenë paraqitur në botimet e mëparshme. Në kapitujt e tjerë (3, 6, 9, 11 dhe 14) trajtimi i temave është struktuuar nga fillimi deri në fund sipas qasjeve tradicionale, interpretuese dhe kritike.
Në kapitullin e parë, ‘Komunikimi organizativ, një qasje orientuese’, ne i japim lexuesit sfondin bazë dhe kornizën konceptuale për të lexuar librin. Konkretisht, ne përshkruajmë zhvillimin historik dhe paraqesim statusin aktual të komunikimit organizativ ashtu siç ai pasqyrohet në qasjet tradicionale, interpretuese dhe kritike të fushës. Në këtë botim ne kemi bërë më shumë përpjekje për të përforcuar dhe shpjeguar konceptimin konstitutiv të komunikimit organizativ.
Në fillim të kapitullit të dytë, ‘Komunikimi dhe funksionet e tij’, ne shpjegojmë për lexuesit tanë se përse jemi përqendruar në funksionin dhe në strukturën e komunikimit (kapitulli 3) që në kapitujt e parë të librit. Arsyetimi ynë është se këto dy kapituj trajtojnë idetë që përbëjnë themelin e komunikimit organizativ; prandaj janë vendosur në hyrje të tekstit. Në kapitullin tonë të ri të funksioneve të komunikimit përshkruajmë se çfarë kuptojmë ne me komunikim, informacion dhe kuptim, duke i kushtuar vëmendje njëherësh sjelljes verbale dhe asaj joverbale. Ne shtrojmë, gjithashtu, një diskutim më të thelluar rreth funksionit të komunikimit duke shtuar përshkrimet e studiuesve Dance dhe Larson’s mbi funksionet e komunikimit dhe qasjen e George Herbert Mead mbi bashkëveprimin simbolik. Po kështu, ky kapitull përmban në versionin e ripunuar edhe qasjen e Berger dhe Luckmann për komunikimin si konstruksion dhe pikëpamjen e Bakhtin për komunikimin si dialogjik. Kemi shtuar edhe një seksion mbi zhvillimin e marrëdhënieve ndërmjet punonjësve në organizata. Së fundi, e kemi integruar punimin tonë të ri me konceptet e kapitalit social, të cilat shpjegojnë se si apsektet e organizimit social, si normat, rrjetet dhe lidhjet sociale, lehtësojnë koordinimin dhe bashkëpunimin për përfitim reciprok.
Kapitulli i tretë, ‘Struktura e komunikimit organizativ’, përqendrohet në sistemet formale dhe informale të komunikimit dhe në karakteristikat e netuorkut. I ri për këtë botim është trajtimi i komunikimit diagonal, i shtrirë ndër njësitë dhe nivelet strukturore, duke i kushtuar rëndësi të veçantë rrathëve të cilësisë. Shohim, gjithashtu, edhe se si mund të shtrembërohet informacioni në organizata. Në vijim, e kemi zgjeruar trajtimin e strukturave jotradicionale organizative me strukturat rrjetë dhe heterarkitë. Së fundi, kemi shtuar një seksion të ri në fund të kapitullit, ‘Strukturat e reja të komunikimit, diversiteti kulturor dhe fuqizimi’, në të cilin shpjegojmë se punonjësit me përkatësi të ndryshme kulturore mund t’i perceptojnë ndryshe strukturat organizative.
Kapitulli i katërt, ‘Teoritë e organizatës’, nënvizojnë menaxhimin shkencor dhe klasik, teoritë tranzitore (teorinë administrative të Follett dhe funksionet ekzekutive të Barnard), lëvizjen e marrëdhënieve njerëzore dhe zhvillimin e burimeve njerëzore. I kemi kushtuar, gjithashtu, rëndësi të veçantë përshkrimeve të ripërpunuara të burimeve njerëzore dhe Teorisë Z, duke qartësuar në mënyrë të veçantë vijën ndarëse ndërmjet tyre. Kjo vijë ndarëse, zakonisht, vendoset jo aty ku duhet në literaturën e komunikimit organizativ, prandaj ne shpjegojmë me më shumë detaje se si ka ndodhur kalimi nga njëri moment tek tjetri në historinë dhe zhvillimin e teorisë së menaxhimit.
Kapitulli i pestë, ‘Metaforat biologjike të organizatës’, marrin në shqyrtim teorinë e sistemit, teorinë e organizimit të Ëeick-it dhe teorinë e sistemeve sociale të Luhmann-it (e re për këtë botim), si edhe psikologjinë evolucionare. Në këtë kapitull janë përfshirë edhe shembuj të përditësuar dhe kërkime për seksionin e teorisë së sistemit së bashku me materiale të reja mbi kompleksitetin dhe kaosin brenda kontekstit të teorisë së sistemit. I kemi përditësuar edhe shembujt në seksionin e teorisë së organizimit të Weick-it, si edhe kemi rishikuar dhe zgjeruar trajtimin e psikologjisë evolucionare, kemi plotësuar me dy shembuj të rinj të studimeve të komunikimit organizativ, që përdorin premisat dhe metodën bazë të psikologjisë evolucionare.
Kapitulli i gjashtë, ‘Komunikimi dhe kultura’, e pajton trajtimin tonë të kulturës me qasjet e dy kapitujve të fundit për të kuptuar organizatat. Për të arritur këtë, ne e kemi zgjeruar trajtimin e nocioneve të komunikimit dhe të kulturës, gjuhës, ritualeve, pikëpamjeve për botën, kuptimeve konsensuale dhe të kontestuara, strukturave të dijes dhe historive të rrëfyera. Ne prekim konceptin e Trujillo-s për qasjet multikulturore dhe në këtë kuptim kemi përfshirë më tepër nga studimet kulturore të organizatave. Për të qartësuar qasjet kulturore kemi sjellë shembuj organizativë, si Ben dhe Jerry.
Pothuajse e gjithë përmbajtja e kapitullit të shtatë, ‘Teknologjia e informacionit dhe organizata’ është e rishikuar ose material i ri. Ndryshimet e mëdha dhe të vazhdueshme që kanë ndodhur në këtë drejtim gjatë dekadave të fundit e bënin të domosdoshme që ta ripunonim tërësisht këtë kapitull. E kemi filluar me një kapitull që trajton teknologjinë dhe ndryshimin dhe mandej vijojmë me një përmbledhje të çështjeve më të rëndësishme të teknologjisë së informacionit, parë nga këndvështrimi i qasjeve tradicionale, interpretuese dhe kritike. Me anë të qasjes tradicionale ne trajtojmë përdorimin e teknologjisë së informacionit për qëllime produktiviteti, për të menaxhuar dijen dhe për qëllime kontrolli. Përshkruajmë ndarjen ose diferencimin dixhital që ekziston ende, si edhe marrim në konsideratë rrjedhoja te teknologjisë së informacionit për strukturën organizative, për proceset organizative, si edhe për punën dhe punonjësit. Përshkruajmë, gjithashtu, diskutimet interpretuese rreth ndikimit të teknologjisë në botëkuptimin dhe konstruksionin social të teknologjisë, si edhe studimet kritike për rolin e teknologjisë në legjitimimin e autoritetit menaxherial, duke mbështetur kështu hegjemoninë neoliberale dhe kontrollin global.
Kapitulli i tetë, ‘Kontrolli kulturor, diversiteti dhe ndryshimi’, është ripunuar në mënyrë të ndjeshme. Konkretisht, kemi shtuar shoqërizimin organizativ dhe asimilimin në trajtimin rreth kontrollit kulturor, si edhe kemi dhënë këshilla praktike për të përballuar problemet e lidhura me diversitetin, duke u përqendruar konkretisht te ngacmimi seksual, racizmi dhe te njerëzit me paaftësi fizike. Kemi shtuar, gjithashtu, në trajtimin tonë seksionet e orientimit seksual dhe të klasës. Me rëndësi është theksi që kemi vënë në faktin që organizatat nuk mund të mos marrin parasysh diversitetin kulturor dhe etnik dhe se, tanimë, atyre u duhet të përdorin qasje globale. Së fundi, e mbyllim këtë seksion me etikën e diversitetit, duke shpjeguar se si mund të mbështeten njerëzit me përkatësi të ndryshme.
Kapitulli i nëntë, ‘Marrëdhëniet në grup”, përfshin një seksion mbi cilësitë komunikuese, shoqëruar me një përshkrim të kompetencës komunikuese në grupe. Përshkruajmë, gjithashtu, rrethanat në të cilat vendimmarrja në grup është më e dobishme, sesa vendimmarrja individuale. Kemi identifikuar lloje të ndryshme grupesh në këtë botim, duke përfshirë fokus grupet dhe task forcat. Kemi mbuluar edhe qasjen ‘bona fide’ të grupeve, duke dhënë shembuj të kulturave organizative që ndikojnë vendimmarrjen (p.sh., kultura ‘klienti ka gjithnjë të drejtë’). Së fundi, kemi trajtuar teorinë e strukturimit të Giddens, për të kuptuar më mirë se si grupet janë të afta të krijojnë strukturë sociale.
Në kapitullin e dhjetë, ‘Marrëdhëniet lider-staf”, është shtuar një seksion i ri thelbësor për transformimin e lidershipit, kapitull ky i rishikuar dhe i përditësuar për teorinë e komunikimit lider-vartës, si edhe kërkime e materiale të reja për lidershipin si zhvillim (p.sh., marrëdhëniet e mentorimit apo tutorimit) sipas qasjes tradicionale. Kemi shtuar, gjithashtu, material trajtimi për qasjen interpretuese të lidershipit në lidhje me funksionet kuptimore, si edhe për qasjen kritike të diskurit të lidershipit dhe diskurin e rezistencës nga ana e stafeve.
Kapitulli i njëmbëdhjetë, ‘Pushteti në organizatë’ shqyrton kontributin e Weber në marrëdhëniet e pushtetit dhe dy pikëpamjet e pushtetit nga Bacharch dhe Baratz. Kemi analizuar, gjithashtu, debatet e pushtetit të komunitetit mbështetur në qasjet e Dahl dhe Lukes. I kemi dhënë mbulim shtesë edhe studimeve të Pfeffer dhe Clegg. Së fundi, kemi përfshirë diskutime të reja të trajtuara nga qasjet feministe dhe poststrukturore në lidhje me pushtetin. Duke e zgjeruar mbulimin e këtyre teoricienëve, u kemi dhënë lexuesve një tablo më të plotë kuptimore rreth pushtetit.
Kapitulli i dymbëdhjetë “Konflikti në organizatë” përqendrohet në qasjet tradicionale si konflikti ndërpersonal dhe menaxhimi i konfliktit në organizata, duke përfshirë edhe një seksion të ri për negocimin parimor në trajtimin e negocimit dhe të marrëveshjes. Nga qasja interpretuese kemi parë se si konteksti kulturor për konfliktin influencohet nga gjinia, raca, dhe kultura kombëtare, si edhe kemi përshkruar nevojën për kulturë dialogu në organizata. Së fundi, nga qasja kritike kemi paraqitur më shumë detaje për të kuptuar se si konflikti në organizata mund të influencohet nga kontradiktat ndërmjet kapitalizmit dhe demokracisë, konflikti ndërmjet koalicioneve dhe ndërmjet grupeve, si edhe kemi trajtuar nevojën për një burokraci feministe si mospajtim i organizuar qëllimshëm.
Kpitulli i trembëdhjetë. ‘Komunikimi strategjik”, është rishikuar me një fokus më të ngushtë në konceptin e strategjisë, në modelet e ndryshme të strategjive dhe në lidhjen e tyre me komunikimin organizativ. Sipas qasjes tradicionale kemi përditësuar shembujt dhe ilustrimet që kanë të bëjnë me komunikimin e brendshëm, si edhe seksionet që trajtojnë menaxhimit e çështjeve apo kauzave sociale. Të gjitha këto materiale i kemi lidhur në mënyrë më të drejtpërdrejtë me strategjinë. Kemi shtuar një seksion të ri mbi komunikimin e riskut, si edhe një diskutim të rifreskuar dhe shembuj të komunikimit të krizës. Ky kapitull përfshin, gjithashtu, një ripunim interpretues mbi komunikimin strategjik në lidhje me kuptimin e komunikimit të krizës. Së fundi, kemi përmbledhur trajtimet kritike të strategjisë dhe hegjemonisë, transformimit dhe strategjisë, si edhe përballjen e punonjësve me përdorimin strategjik të pushtetit.
Kapitulli i katërmbëdhjetë, ‘Qasjet dhe prirjet e mijëvjeçarit të ri” nis me një hyrje provokative për fundin e epokës së energjisë së lirë, rritjen e vazhdueshme të popullsisë, shterimin e burimeve natyrore të tokës, organizimin femëror dhe ekonomitë e qëndrueshme të shtetit që zëvendësojnë politikat e bazuara në rritjen konstrante. Ne kemi llogaritur prirjet e përgjithshme me të cilat duhet të përballen organizatat në shekullin e 21-të, përfshirë këtu edhe globalizimin e tregut dhe presionet kompetitive globale, çështjet gjinore dhe të diversitetit në punë, cilësinë dhe kënaqësinë e shërbimit ndaj klientit, presionet politike dhe ligjore mbi organziatat, stresin në punë, krahun e punës të pakualifikuar siç duhet, diskutimet kritike të vlerave të organizatës, si edhe perspektivat e ndryshme të aksionerëve dhe financuesve. Ne besojmë se ky kapitull i fundit ofron ngacmim të rëndësishëm për diskutime rreth statusit aktual të komunikimit organizativ dhe në lidhje me çështjet që kërkojnë vëmendjen tonë në vitet që vijnë.
Pjesë nga libri
Nëse nuk keni hequr dorë nga jeta sociale për t’u bërë eremit, atëherë të gjitha gjasat janë që organizatat të ndikojnë shumë aspekte të jetës suaj, ndërsa ju vetë ndikoni jetën e shumë të tjerëve përmes përfshirjes suaj në organizata. Edhe nëse punoni në mënyrë individuale ose në një të ashtuquajtur biznes të pavarur, ju ndihmoheni dhe kufizoheni nga organizatat rreth jush. Radioja e zgjimit, me të cilën nisët aktivitetin tuaj këtë mëngjes, sipas të gjitha gjasave është prodhuar nga një organizatë, si për shembull nga fabrika e një kompanie pajisjesh elektronike. Po dushi që bëtë në mëngjes? Ndihmohet nga shërbimi i qeverisë lokale dhe i stafeve të bashkisë, që menaxhojnë ujin dhe mirëmbajnë sistemin e shpërndarjes, por edhe prej kompanisë së energjisë që bëri të mundur furnizimin me energji për të ngrohur ujin. Vakti i mëngjesit? Po të mos keni fermën ose kopshtin tuaj, atëherë e vetmja mënyrë që ky vakt të mbërrijë në tryezën tuaj është përmes proceseve të një sistemi kompleks organizatash, që përfshijnë prodhuesit, përpunuesit, shpërndarësit dhe shitësit. Po lajmet e mëngjesit? Ato përcillen te ju nga organizatat mediatike të reporterëve, editorëve, teknicienëve dhe stafeve të shitjeve të cilët, nga ana e tyre, varen nga organizata të tjera për të siguruar të ardhura nga reklamat.
Që në pikënisje të ditës suaj, pa dalë ende nga dera e shtëpisë për të shkuar në shkollë, jeta juaj ndikohet në shumë aspekte nga një mori veprimtarish që burojnë nga organizata të ndryshme. Për të ilustruar më tej këtë ide mund të vijonim ritualin e zakonshëm të ndërfutjes së organizatave në jetën tonë të përditshme, por duket se tanimë logjika është e qartë. Qeniet njerëzore në shoqërinë bashkëkohore jetojnë brenda dhe në sajë të një sistemi kompleks dhe ndërveprues organizatash, nga i cili varen dhe për të cilin kontribuojnë edhe individualisht. Kësisoj ne vetë mishërojmë organizatat në të cilat jetojmë. /Gazeta Liberale