Aktualitet

Rritja e pagës, deputeti: Nuk kemi as makinë dhe as shofer, po rrezikojmë jetën natën

Shkruar nga Liberale
Rritja e pagës, deputeti: Nuk kemi as makinë dhe as shofer, po

Ditën e enjte hyn në fuqi rritja e pagave të deputetëve dhe ministrave. Me vendimin e miratuar një ditë më parë,  paga e një ministri do të jetë rreth 345 mijë lekë bruto, ndërsa e një deputeti 330 mijë lekë.

Ndërkohë që në rrjetet sociale ka pasur polemika për faktin që deputetët rrisin rrogën e tyre, ende pa u arritur minimumi jetik në vend, vetë ata e shohin legjitim këtë fakt, madje shkojnë edhe më tej, duke e cilësuar të vonuar.

Deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi thotë se nëse deputetët trajtohen si langaraqë, gjithë Parlamenti do të jetë i tillë. Sipas tij, dikur deputetët kishin shoferë dhe makinë, ndërsa tani rrezikojnë jetën pasi shpenzojnë kohë nga mbledhja në mbledhje dhe kthehen vonë në shtëpi.

“Kemi të bëjmë me një rritje pagash në përgjithësi, në të gjithë sistemin buxhetor. Por, mendoj që një status deputeti prej langaraqi do ta bënte edhe vetë Parlamentin langaraq. Këto diferenca hapin debat dhe diskutim, por është në dinjitetin e një vendi që Parlamenti të ketë një trajtim normal. Aktualisht, nuk e ka këtë lloj dinjiteti. Sot deputeti është vetë sekretar, vetë shofer… Dikur ka patur makinë dhe shofer në dispozicion nga shteti, nuk kishte nevojë të rrezikonte jetë një person i cili shpenzon orë të tëra në debate dhe takime, e pastaj të kthehet në shtëpi në orët e vona”, deklaroi deputeti socialist.

"Megjithatë, unë nuk besoj se deputetët janë ligësia e këtij vendi. Nëse marrim sot nivelin e jetesës dhe pagat, deputeti, edhe me ndryshimet që do të hyjnë në fuqi, nuk është nga më të paguarit. Nëse marrim pasanikët e këtij vendi, deputetët janë fundi i kavallit. Ka edhe nga ata që janë biznesmenë, por po flas për ata që janë vetëm deputetë, që nuk kanë biznese. Nuk është se kjo na çon në një pozicion kaq shumë të lakmueshëm”, shtoi Petro Koçi.

Liberale Newsroom

A duhet të mbajë Berisha, si kryetari i opozitës, përgjegjësinë kryesore për humbjen në zgjedhjet parlamentare të 15 majit 2025?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH