Romani “Vrasje në kryeministri” i autores, Diana Çulit është përzgjedhur si libri që do të prezantohet këtë vit në në garën për të fituar Çmimin Letrar “Balkanika”, një çmim letrar i çmuar, ndërballkanik.
Lajmin e ka dhënë Drejtoresha e Përgjithshme e Botimeve “Toena”, Irena Toçi e cila nëpërmjet njoftim thotë se romani ka marrë shumë vlerësime të mëparshme, që pas botimit të tij në vitin 2018.
Ndërsa në sondazhin e Institutit Pashko, të UET-it në muajin mars të vitit 2019 ai doli si romani i dytë më i lexuar, pas veprës “Kur sunduesit grinden” të Ismail Kadaresë.
“Çmimin Balkanika, për romanin më të mirë të vitit në Ballkan, i cili ka më shumë se njëzet vjet që ekziston si aktivitet dhe që akordohet nga një juri ndërkombëtare, e kanë marrë deri tani tre shkrimtarë shqiptarë: Ismail Kadare, Fatos Kongoli dhe Bashkim Shehu.
Ky çmim, i mirënjohur në Europë dhe nga BE, është pjesë e veprimtarisë së Fondacionit Balkanika, organizatë kulturore ndërballkanike, me qendër në Sofie, që organizon projekte të kulturës në Ballkan. Toena është anëtare e këtij Fondacioni dhe organizatore e këtij çmimi në Shqipëri. 7 shtete të Ballkanit marrin pjesë në këtë garë: Bullgaria, Turqia, Greqia, Shqipëria, Rumania, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Juria ndërkombëtare përbëhet nga anëtarë të vendeve ballkanike që marrin pjesë në konkurim dhe presidenti i saj është profesori Andrew Vachtel, SHBA”, shkruhet në njoftim.
Juria ndërkombëtare do të mblidhet për të punuar dhe shpallur fituesin e këtij edicioni në Tiranë, në muajin nëntor. Ndërsa juria kombëtare e këtij viti përbëhet nga: prof. Floresha Dado, Piro Misha, Preç Zogaj, Sonila Kapo.
Vlerësime:
Drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Pirro Misha e vlerëson romanin si një libër i cili i ka të gjithë ingredientët për të qenë një thriller i mirë.
Sipas tij kemi të bëjmë me një prozë që nxjerr më së miri në pah gjithë cilësitë më të mira e të tashmë të njohura të prozës së Diana Çulit.
“Një libër që i ka i të gjithë ingredientët për të qenë një thriller i mirë – ndërtimin e zgjuar të suspensit, të misterit, dozë konspirative me përmasa ndërkombëtare dhe, ajo që është me rëndësi, një njohje mjaft të mirë të ambienteve, ritmin e rrëfimit dhe, padyshim, lexueshmërinë.
Kemi të bëjmë me një prozë që nxjerr më së miri në pah gjithë cilësitë më të mira e të tashmë të njohura të prozës së Diana Çulit: Rrëfimin e shkathët; prozë e një dore tashmë të stërvitur mirë prej një përvoje të gjatë; gjuhën e pasur; zhdërvjelltësi dhe natyshmëri të dialogut. Proza e Diana Çulit është një prozë e kulturuar, e zgjuar, që lëviz natyrshëm në ambiente nga më të ndryshmet të jetës sot, duke arritur t’i bëjë ato të besueshme”, shprehet ai.
Diana Çuli: Vrasje në kryeministri
(Fragment)
Njerëzit u kthyen të gjithë nga ura, në pritje të projektimit. U shuan dritat dhe befas mbizotëroi një heshtje e thellë, ku nuk pipëtinte njeri. Në largësi vetëtinin katër minaret e Selimies, si katër raketa gati për të shpuar qiellin e zi e të pakuptueshëm. Beti mendoi se, sikur mbi kryet e tyre, mbi kryet e saj më saktë, të mos qëndronte rreziku i shpërthimeve dhe i burrave me dorën tek arma, do ta kishte shijuar thellësisht këtë atmosferë magjike. Por i duhej të rrinte pa u ndarë mes grupit të kolegëve e ndërkohë të hetonte me shumë vëmendje se çfarë ndodhte përreth.
Pranë tyre u afrua në heshtje zëvendëskryeministri turk bashkë me kryetarin e bashkisë dhe me disa të tjerë, gjithashtu autoritete.
Në atë çast u dëgjua një e rënë e fortë gongu dhe pas saj shpërtheu një dritë e kuqe që u përplas mbi urë, shoqëruar me tinguj të fortë muzike. Dhe gjithçka që pasoi ishte një shfaqje rrëqethëse dhe e veçantë, ku historia, dhimbja, lumturia, bukuria, mundimi dhe fitorja e njeriut shprehej përmes atyre figurave që krijonin dritat, ngjyrat dhe tingujt muzikorë përmbi muret e asaj ure. Muzika rënkonte, zvarritej rrëzë mureve, e mavinjtë, e gjelbër e thellë, e përgjakur, pastaj zbutej e lëshonte një klithmë shkretëtire, endej harqeve të urës, përkulej e verdhë, e kaltër, përsëri e gjelbër, pastaj zbardhëllente si agim e i sulej një bedeni, pështjellohej duke rënë në ujë e përsëri ngrihej…
Beti e ndiqte shfaqjen duke vështruar njëkohësisht njerëzit që mbanin frymën dhe, kur ajo mbaroi me një gong triumfues, ata shpërthyen në duartrokitje. Turma u derdh e vrapoi mbi urë duke rrëmbyer me vete edhe autoritetet e gëzuara e të ngazëllyera nga ajo natë magjike e qytetit të tyre; artistët e veshur me rroba tradicionale vërshuan edhe ata, si lulëzim shumëngjyrësh mbi urën historike të Meriçit, mbi të cilën kushedi sa ushtri, sa kuaj, sa artileri e sa njerëz të kërrusur nga jeta kishin kaluar. Ky imazh i fundit i erdhi në mendje Adrianit, i cili u mallëngjye, sepse u ngjeth herë-herë gjatë përpëlitjes së tingujve mbi mure dhe ngaqë mendoi se jeta është e çuditshme dhe e vështirë, e mallkuar jo pak, se të tillë e bëjnë njerëzit dhe po njerëzit përsëri dinë ta thonë atë që ndiejnë dhe se ky është një qerthull e një kurth ku mendja nuk duhej të kuturisej.
Atë çast shpërthyen fishekzjarrët që përshkënditën qiellin dhe mbytën të gjitha zhurmat e tjera. Fytyrat, që dukeshin ngjyra-ngjyra, u ngritën lart të përndritura.
Befas, turma u tkurr dhe u mblodh në një pikë, atje ku harku kulmohej dhe ku kishte një kafaz të gurtë rojeje. U dëgjuan thirrje të trembura e të alarmuara në turqisht, pastaj shumë njerëz, të shtyrë nga truprojat e autoriteteve, që papritmas u bënë të dukshëm, zbritën nga ura dhe qëndruan në shesh, me fytyra të shqetësuara, pyetëse, të shtangura.
Igli Morina u shkëput nga grupi dhe u fut mes turmës duke pyetur lart e poshtë në anglisht se çfarë kishte ndodhur, ndërkohë që atje, te harkimi i urës së Meriçit, mbërriti ambulanca e urgjencës dhe disa makina policie.
Igli u kthye, i nxirosur në fytyrë.
– Zëvendëskryeministri turk ka rënë papritmas në lumë, – tha ai. – Po organizojnë operacionin e shpëtimit. /Gazeta Liberale