Roland Bejko, kandidati i Partisë Demokratike për Tiranën, ka zgjedhur të njëjtin orar si Sali Berisha për të hapur fushatën për zgjedhjet e 14 majit. Në një takim me demokratët e degës nr.10 në Tiranë, Bejko ironizoi dyshen e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Sali Berishën dhe Ilir Metwn, duke thënë se ngrihen e njoftojnë protesta sa herë që iu bien aksionet tek Edi Rama.
Bejko tha se ndarja me Berishën duhet të kishte ndodhur që në ’90 kur u formua Partia Demokratike. Ai e quajti një “aksident historik” në atë periudhë faktin që ishin bashkë, sepse “menduam se përfaqësonim vokacionin euroatlantik”, - tha Bejko. - “Ajo që e bëri aksident ishte fakti që aty u bashkuan ish-komunistët e mërzitur nga Ramiz Alia, ata që quheshin ish-klasat reaksionare (ato që reagojnë ndaj diktaturës), shtresat e ish-të përndjekurve politikë, pronarët e shpronësuar, dhe ato që përfaqësonin familje të mëdha e të djathta në kohën e Mbretit Zog. Kishte edhe popull në Partinë Demokratike”, the Bejko.
“Erdhi momenti kur ndërhynë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe e shpallën non grata ish-kryetarin e Partisë Demokratike, për të cilin ne besuam 32 vite, që të ishte ai kryeministri, presidenti, kryetari, lideri shpirtëror i demokratëve, që të bëhej një kapërcim i madh edhe brenda tij, ku ai ta rikrijonte veten, nga një komunist që erdhi nga Partia e Punës e të kthehej në një demokrat, dhe ky demokrat t’i jepte Shqipërisë një parti demokratike, dhe po ashtu edhe demokracinë. Mirëpo kjo nuk ndodhi dhe amerikanët e panë dhe e shpallën non-grata, jo për arsye politike. E shpallën non grata për arsye të cilat ata i kanë bërë publike. Ose bënim sikur i shikonim dhe nuk i kuptonim, ose nuk i pranonim sepse ishim bashkë ”, tha Roland Bejko.
Po ashtu kandidati demokrat për Tiranën ironizon fjalët që përdor Berisha se bën protesta madhështore. Në fakt, sipas Bejkos, ka një numër shumë të ulët personash të pranishëm dhe këtë e tregoi edhe dita e sotme, ku jo pak nga ata që ishin të pranishëm u larguan para se Berisha të merrte fjalën. Kjo tregon se shumë prej tyre nuk i lidhte asgjë me besimin te fitorja, më pak akoma te politika dhe shpresa që përfaqësojnë Berisha dhe Meta.
Teksa akuzon Berishën për përçarjen e PD-së, Roland Bejko bëri thirrje që të mos e lënë partinë në dispozicion të ‘non gratë-s’ se nuk ka të ardhme me të.
“Në Shkodër kushdo që fiton, Edi Rama, Sali Berisha apo Ilir Meta se kanë krushqinë e re, humbasin demokratët. Ata janë në Tiranë. Ditën zihen, njoftohen revolucione dhe sa u bien aksionet te Edi Rama, mbledhin revolucione me Ilir Metën, fillon dhe Berisha me gjuhë hiperbolike, thotë protesta më e madhe kur ka vetëm 5 veta aty. E bën për ekranet. E kupton ku jemi katandisur. Të gjithë në shërbim të Berishës. Pse na urrejnë ne që nuk kemi asnjë lidhje me komunizmin por vijmë nga populli, për të mos thënë nga të përndjekur politik”, tha Roland Bejko.
“E kemi për detyrë ta ruajmë PD-në se e dimë që nuk ka të ardhme me ‘non grata’. S’ka të ardhme pa SHBA e BE”, tha Roland Bejko.