Të hënën e 2 tetorit 2017 u nda nga jeta në moshën 67 vjeçare albanologu Robert Elsie, për t’u prehur përgjithmonë në bjeshkët shqiptare të Thethit i përcjellë me kostumin e malësorit dhe këngë lahute, siç e kërkoi në dëshirën e tij të mbrame.
Amanetin e tij, asokohe e bëri me dije shkrimtarja Flutura Açka, e cila teksa i kërkonte autoriteteve shqiptare ta prisnin me nderimet që i takonin, shkruante: “Ikja e albanologut, studiuesit, përkthyesit, hulumtuesit, njeriut të të gjitha përmasave të letrave, njeriut që e dashuroi Shqipërinë si asnjë i huaj tjetër, Robert Elsie, është një nga humbjet më të mëdha për kulturën shqiptare. Një akademi që ecte, një nga njerëzit që punoi i vetëm aq sa institute nuk mundën dot, e la në mes e të pakryer kështjellën letrare të tij ku strehonte kulturën shqiptare. Ai la pas një vepër të jashtëzakonshme dhe të pazëvendësueshme. Ne shqiptarët e sotëm mbase nuk do ta dimë mjaftueshëm kush është Robert Elsie, letrat shqipe sot mbase prej shkujdesjes, nuk e kanë patur vëmendjen e duhur ndaj këtij titani letrash, por brezat që do të vijnë, do ta kuptojnë që ky njeri i thjeshtë dhe jashtëzakonisht punëtor – një nga njerëzit më punëtorë të letrave që kam njohur – i ka bërë të tillë shërbim kulturës shqiptare, që ajo sot duhet të ndihet në zi... Vepra e këtij njeriu modest në natyrën e tij njerëzore, por e papërmasë si pasuri për ne, ka qenë engjëlli i vërtetë mbrojtës dhe i pazëvendësueshëm për kulturën shqiptare.”
Robert Elsie konsiderohet si specialist më i shumëanshëm i fushave albanologjike, nga gjuha te historia dhe nga letërsia tek etnografia. I lindur në Vankuver të Kanadasë më 1950, Elsie do të njihej me kulturën shqiptare në vitet e 70-a, kur si student vizitoi Tiranën, ndërkohë që do të bëhej vizitor i rregullt i Seminarit të Gjuhës Shqipe, ku do të mësonte edhe të folmen e shqipes në gegërisht.
I lindur në Kanada, gjermani Robert Elsie kishte lidhje të veçanta me Shqipërinë. Ai do të mbahet mend si studiues, përkthyes, njeriu që i dha zë në anglisht autorëve më brilantë të letërsisë shqipe nga Fishta e Migjeni të Ali Podrimja dhe Fatos Kongoli. Elsie dha kontribut të çmuar jo vetëm në letërsi, por edhe në dëshmitë e rralla etnografike që ka mbledhur për shqiptarët; fotografi, objekte, regjistrimin audio të të gjitha të folmeve shqipe.
Robert Elsie është autor i dhjetëra librave dhe artikujve mbi letërsinë shqipe, historinë, etnografinë, gjuhën dhe artin e kulturën shqiptare.
“Çdo njeri ka interpretimin e vet për albanologjinë, por për mua, thelbi i punës sime është të prezantoj shqiptarët, t’i prezantoj Shqipërinë, botën shqiptare, gjithë botës. Unë përpiqem t’i transmetoj botës së jashtme njohuritë që kam për këtë vend, që kjo botë të kuptojë se ç’është Shqipëria, kush janë shqiptarët, historia e tyre, kultura e tyre, pra fazat e ndryshme të jetës këtu. Dhe këtë e bëj që të bëhet e njohur pasi në fund Shqipëria mbetet një vend shumë i panjohur’. – thotë Elsie në një intervistë.
Për akademikun kosovar Rexhep Ismaili “Më e rëndësishmja është që Elsie e përhapte kulturën shqiptare atje ku nuk ishim ne, në kohë shumë të vështira, jo vetëm për kulturën, por dhe informacionin tjetër. Ai ka qenë shumë i pranishëm në qarqet më të larta europiane dhe të tjera ku vendoseshin fatet”.
Prend Buzhala veçon tri punë monumentale të Elsie-s për shqiptarët:
- Prej vitit 1990 e këndej ne nuk ishim në gjendje ta hartojmë një histori të letërsisë shqipe dhe këtë e bëri Robert Elsie me veprën “Histori e letërsisë shqiptare” 1997 (botimi II më 2001). Akademitë tona, katedrat tona albanologjike ende bëjnë gjumin dimëror “demokratik”, mbasi paguhen me paga të majme… Fillimisht, e kishte nisur me veprën studimore “Një fund dhe një fillim” 1995, me të cilën ai sintetizon për herë të parë studimet për letërsinë e çliruar nga prangat ideologjike pushtetore; në fakt, kjo vepër përfshin studime që fillimisht u shkruan për të huajt e mandej erdhën edhe në versionin shqip.
- Vjen tema e madhe e Kosovës me disa vepra, si ajo me 600 faqe, “Kosovo: In the Heart of the Powder Keg” (Kosova: në qendrën e fuçisë së barutit), 1997 dhe vepra me shkrime historike “Gathering Clouds: The Roots of Ethnic Cleansing in Kosovo and Macedonia, Early Twentieth-Century Documents (Stuhi në horizont: Rrënjët e spastrimit etnik në Kosovë dhe Maqedoni, dokumente të fillimit të shekullit të njëzetë), Pejë 2002. Lexuesve pasionantë nuk u ka shpëtuar vepra “Leksiku i kulturës popullore shqiptare”, Tiranë 2005, sidomos dy leksikonë: “Fjalor historik i Kosovës” 2011 dhe “Fjalori historik i Shqipërisë” 2011.
- Përkthimi i tij i veprave tona monumentale në anglisht The Highland Lute: The Albanian National Epic (Lahuta e Malcis: eposi kombëtar shqiptar), Londër 2005) dhe i prozatorëve e poetëve të tjerë. /Gazeta Liberale