Alda Bardhyli
Dëshira për të nderuar kujtimin e Luftës së Parë Botërore dhe fateve njerëzore që u përjetuan në këtë Luftë mbizotëron mbi përjetimin e aleancave strategjike e betejave ushtarake në vitet e sotme.
Historiografia dhe studimet militare në të kaluarën nuk janë treguar aq të vëmendshëm e vlerësues për historinë sociale dhe ndikimet e saj në realitetet e Luftës së Parë Botërore. Libri “Shqipëria në reportazhet e gazetarit Robert Vaucher” mishëron pikërisht një këndvështrim të tillë në trajtimin e Luftës së Parë Botërore në Shqipëri, një një stil më vete në tërësinë e gazetarisë e reportazhit nga terreni çka sjell drejtë për së drejtë realitetet shqiptare, franceze, italiane e intrigat ballkanike greke, serbe e malazeze të viteve 1916-1917 dhe ndikimet e tyre mbi popullsinë shqiptare.
Është shumë e vështirë për kuptuar këtë puzzle ballkanik nëse nuk ke për udhërëfyes një kronologji historike, dokumenta historike dhe një dëshmi të drejtë për së drejtë nga terreni sesi kanë vepruar dhe janë përfshirë në këto ngjarje prijësit e çetave patriotike shqiptare. Në reportazhet e Vaucher skicohen veprimet luftarake të prijësve të çetave patriotike shqiptare si Sali Butka, Themistokli Gërmenji, Ali Çepani në një teritor të ngushtë ku mpleksen interesat austro-hungareze, franceze, italiane e greke dhe dëshira e tyre për t’i shërbyer Shqipërisë.
Por në mes këtij kaosi ballkanik dhe kur nuk kishte një udhëheqje të bashkuar shqiptare ishte shumë vështirë për të kuptuar dhe orientuar se cilën udhë e bashkëpunim politik me forcat e Antantës apo të Bllokut Qendror duhej ndjekur. Pasioni për historinë më bën të ndjej instiktin faktmbledhës të gazetarit të L’illustration Robert Voutre, si përjetuese dhe lexuese e historisë së vendit tim ndjej trishtim për fatet historike të imponuara në të kaluarën. e që u ballafaquan me fatin ushtarako politik të forcave evropiane në vitet vështira të Luftës së Parë Botërore. Përplasja e qytetërimeve dukej i pashmangëshëm në këtë territor të ngushtë por ajo çka mbizotëron janë mesazhet e gazetarit Robert Voutre për një stabilitet e prosperitet në të ardhmen të popullit shqiptar.
Gjeografia e terrenit të mundishëm ndjell deri diku dhe sensin e aventurës që kapërcehet e përjetohet si një rrëfim letrar aq sa i përpin me një frymë këto reportazhe nga terreni lufte.
Për të dhënat, dokumentet, faktet e shumtë, të shkruar e të shkruar në këtë libër, “Shqipëria në reportazhet e gazetarit Robert Voutre” hap gjerësisht rrugën për një histori sociale të ballafaqimit të kulturave dhe mentaliteteve shtetformuese gjatë Luftës së Parë Botërore në Shqipëri. Është kjo një nga arsyet e financimit të botimit të këtij libri nga ana e QKLL sëbashku me ambasadën franceze sepse besojmë fort që brezi i ri ka nevojë për një histori të tillë larg përshkrimit epik e heroik por edhe të fateve njerzore, të pasigurive për të zgjedhur rrugën më të mirë kur Fuqitë e Mëdha njëlloj si në Olimpin e lashtë grinden. Historiani Dorian Koçi ka bërë të mundur përmes punës kërkimore ti mbledhë këto reportazhe, ti pajisë me shënime dhe me një parathënie për të kuptuar qartë atmosferën e kohës. Mirë se u riktheve në Shqipëri përmes fjalës së shkruar Robert Voucher!