Aktualitet

REFLEKSIONE nga Erl Kodra: Pse kthimi i Lulzim Bashës shkaktoi panik kolektiv

Shkruar nga Liberale
REFLEKSIONE nga Erl Kodra: Pse kthimi i Lulzim Bashës shkaktoi panik

Erl Kodra

Lulzim Basha u shfaq para opinonit publik në një moment kruçial, pikërisht atëherë kur fitorja dërrmuese e Edi Ramës dhe humbja tmerruese e Sali Berishës po konturohej dhe sistemohej nga mediat ashtu siç duhej, domethënë ekzaktësisht sipas planeve të rëna dakort më përpara, se humbja tmerruese e Sali Berishës nuk është edhe aq tmerruese, dhe se fitorja dërrmuese e Edi Ramës nuk është edhe aq dërrmuese. Pavarësisht faktit se kësaj rradhe Edi Ramës nuk i duhej një fitore kaq e thellë - ndërkohë që mjeshtrat po përpunonin humbjen si fitore - pikërisht atëherë kur dukej se Partia Demokratike zyrtare po i dorëzohej plotësisht Sali Berishës; në skenë vjen Lulzim Basha. Po çfarë është ngjarja në vetvete që shkaktoi këtë histeri kolektive mediatike, dhe qartësisht vuri në alert dishepujt e përbashkët të Sali Berishës dhe Edi Ramës?

Në një botë ideale, Sali Berisha do të largohej nga politika ne vitin 2013, duke dorëzuar edhe mandatin e deputetit të Partisë Demokratike, për të shijuar vitet e arta të moshës së tretë ose do të shkruante kujtimet e një jete të mbushur me ngjarje që kanë përcaktuar fatet politike të vendit dhe jetën e gjithësecilit shqiptar. Në një botë ideale, bashkë me Sali Berishën do të largoheshin të gjithë ish-ministrat dhe ish-zyrtarët e lartë të Partisë Demokratike, veçanarisht brezi i viteve 90', për t'i hapur rrugë një gjenerate të re politikanësh për të reformuar Partinë Demokratike. Por kjo do të ishte një botë ideale, që nuk ngjason fare me realitetin tonë banal, të mbushur gjithandej me çakej të paepur që nuk ngopen kurrë.

Lulzim Basha trazhgoi një Parti Demokratike jo demokratike, të mbushur me idhtarë të Sali Berishës, që idetë e tyre të vetme ishin se si të përfitojnë sa më shumë dhe sa më gjatë prej Partisë Demokratike dhe elektoratit të saj të drobitur, për t'u rikthyer edhe njëherë në pozicionin që ishin para se të binin nga pushteti; domethënë; aty ku paraja e madhe rridhte direkt e në xhepat e tyre të thellë. Ata "harruan" shpejt se arsyeja kryesore pse ata i humbën zgjedhjet e vitit 2013 ishte shkëputja totale nga elektorati që i votonte dhe zhytja në një jetë plot vanitet dhe luks. Ish-drejtorë të rëndësishëm, ish- ministra dhe zyrtarë të lartë që kishin filluar karrierën politike në vitin 1991, që kishin provuar pushtetin e viteve 1992 - 1996, opozitën e viteve 1997 - 2005, pastaj prap pushtetin e viteve 2005 - 20013; akoma nuk i kishin përmbushur ambiciet e tyre politike, dhe kërkonin akoma mbështetjen pa kushte të votuesësve të Partisë Demokratike, domethënë, saktësisht ata kërkonin që qyetarët t'u qëndronin besnik përgjithmonë, përjetësisht, mundësisht edhe në botën tjetër.

Ata vazhduan të luajnë të njëtën lojë, me të njëjtin fjalor politik që buronte nga viti i largët 1992, duke e cilësuar veten si qendrestarë të mëdhenjë, që kanë bërë beteja epike për shqiptarët, duke luftuar me shpirtë në dhëmbë me armiqtë e kombit, duke dhënë kontribute nëpër zyrat e shtetit shqiptar, nëpër udhëtime të vështira nëpër botë, nëpër vila dhe resorte turistike.

Nga ana tjetër, Edi Rama vazhdonte i qetë "qeverisjen" duke e ditur saktësisht se kjo lloj opozite nuk paraqet asnjë rrezik për pushtetin e tij, dhe se në çdo rast rreziku, ai mund t'i kontrollojë me të njëjtat metoda që zakonisht kontrollohet një elitë politike e korruptuar, njësoj siç i kontrollonte bashkëpunëtorët e tij. Ai e dinte fare mirë se një elitë politike e korruptuar, që jeton në të njëjtën hapësirë publike, që përdor të njëjtën infrastrukturë ekonomike, që hanë drekat dhe darkat në të njëjtat restorane, që kontrollojnë të njëjtat media, mbështeten nga të njëjtët oligarkë, flenë në të njëjtar resorte, luajnë në të njëjtat cazino, madje frekuntojnë edhe të njëjtat dashnore; kurrësesi nuk mund t'i rrezikojnë pushtetin, edhe nëse ai fillon e i shkelë me këmbë, pikërisht siç po i poshtëron prej vitesh.

Edi Rama e mbushi politikën me kriminelë ordinerë dhe trafikantë të rrezikshëm, madje edhe me vrasës të provuar, sepse vetëm kështu ai ndjehej i sigurtë, madje superior ndaj krahut tjetër. Të katër anët e Shqipërisë u mbollën me drogë, ndërsa qeverisja e tij gjithnjë e më shumë filloi t'i ngjajë qeverisjes së një bande të rëndomtë, pa ligje, pa rregulla dhe pa asnjë skrupull moral.

Shikoni paradoksin ku gjendej opozita e Lulzim Bashës - në mes të një lufte të padrejtë dhe të padenjë politike - sepse në vend të opozitës së pakompromis, ai duhej të mbronte edhe "qëndrestarët" e Partisë Demokratike nga "sulmet" nën brez të Edi Ramës. Sepse Edi Rama nuk linte rast pa përmendur qeverisjen e lavdishme të këtyre "qëndrestarëve" - qeverisje e cila u mund me "një milion shuplaka". Kështu Edi Ramës i shijonte dyfish vuajtja e Lulzim Bashës, ndërsa përpiqej të mbronte çështjen CEZ - DIA, çështjen Gërdeci, 21 Janarin, madje edhe Piramidat e Lavdishme - të gjitha vepra të "qëndrestarëve" të Partisë Demokratike dhe Sali Berishës. Kur Lulzim Basha denonconte kanabizimin e Shqipërisë, Edi Rama i nxirte përpara Lazaratin, kur fliste për koncensionet, i nxirta para RAPISCAN, e kështu me rradhë për të gjitha aspektet e qeverisjes së vendit.

Përfundimisht, Lulzim Bashës ia lidhën duart "qëndrestarët dhe kontribuesit" e Partisë Demokratike - përndryshe - vet Sali Berisha ishte garancia më e madhe se në Partinë Demokratike nuk do të ndryshonte asgjë, e për rrjedhojë, Edi Rama do të shijonte i qetë plaçkën e vjedhur Shqipërisë.

Republika e Re që Lulzim Basha predikonte në vitin 2017 ishte ideja më e bukur - por krejtësisht utopike - sa kohë që ai nuk ishte në gjendje të largonte "qëndrestarët" dhe të reformonte vet Partinë Demokratike. Para së gjithash reformimi i një partie nuk është asgjë tjetër veçse qarkullimi i elitave dhe burimeve njerëzore. Ndërkohë që "qendrestarët" po plakeshin në karriget e partisë, vet Lulzim Basha koleksiononte humbje të pamerituara edhe për shkak të pamundësisë që ata t'i largonte nga partia. Mbi gjithçka, Lulzim Bashës po ia merrte frymën vet Sali Berisha.

Pas vendimit të Departamentit të Shtetit në vitin 2021 për të shënuar Sali Berishën si person non-grata për korrupsion domethënës dhe minim të demokracisë, sytë e shqiptarëve (por edhe të Departamentit të Shtetit) janë përqëndruar tek Partia Demokratike. Për fat të keq, edhe nëse motivet (akuzat) e Departamentit të Shtetit nuk ishin të provuara, që prej 9 Shtatorit të vitit 2021, Sali Berisha vetëm po i konfirmon/provon plotësisht ato. Domethënë, që prej asaj dite ai ka minuar demokracinë e Partisë Demokratike, duke e sulmuar me të gjitha mjetet, me të gjitha mënyrat, me të gjitha format (sulmi fizik i 8 Janarit 2022). Kështu ai vetëm ka konfirmuar plotësisht atë që Departamenti i Shtetit e thotë në motivimin e shpalljes së tij dhe familjes si persona non-grata për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Tashmë Sali Berisha e di fare mirë se kurrë nuk do të mund të fitojë Partinë Demokratike, ai e di fare mirë se kurrë nuk do të mund të mposhtë Edi Ramën, por mbi të gjitha, ai e di fare mirë se Shtetet e Bashkuara kurrë nuk do t'ia heqin sanksionimin "person non-grata". Në të vërtetë, këtë e dinë mirë edhe ata që janë afër tij, sidomos "qëndrestarët" që e mbështesin në aksionin e tij të çmendur politik, por mbi të gjitha, tashmë e dinë shumica e votuesve të Partisë Demokratike - përveç një pjese fare të vogël të militantëve që po i pakësohen përditë.

Në pamje të parë, rruga që ka marrë Partia Demokratike duket një rrugë pa krye. Vet Sali Berisha nuk ha arsye; qartësisht atë nuk e vret fare ndërgjegja për katastrofën ku gjendet Partia Demokratike dhe Shqipëria, sepse qartësisht ky ishte edhe objektivi i tij politik; të mbajë një peng një pjesë të elektoratit shqiptar, dhe mundësisht të vesh kostumin e kryeopozitarit. Këtë ia mundësoi vet Edi Rama me Ilir Metën dhe Tom Doshin, që prej dy vitesh i kanë vënë në dispozicion një infrastruktorë të jashtëzakonshme ekonomike, politike dhe mediatike. Kështu të tre ata janë të fituar; Edi Rama vazhdon qeverisjen (lexo vjedhjen) e vendit, Sali Berisha vishet me kostumin e kryeopozitarit bashkë me Ilir Metën, ndërsa votuesit vazhdojnë të jetojnë të lumtur në mbretërinë që ngritën këta të tre - një vend monstruoz, që po shpopullohet me shpejtësi nga qytetarët.

Zgjedhjet e fundit provuan në mënyrë të padiskutueshme se shumica e qytetarëve shqiptarë e refuzon këtë klasë politike, ndërsa vet Sali Berishën e refuzuan masivisht - jo Partinë Demokratike. Ky eshte nje fakt i padiskutueshëm, sepse 500,000 votat që kanë marrë kandidatët e opozitës të gjitha janë vota demokratësh, dhe nuk janë vota të Sali Berishës. Edhe në Tropojë, Shkodër dhe Kukës votat që mori opozita (nuk po flas për PD-në zyrtare) nuk mund t'i atribuohen Sali Berishës, sepse padyshim ato janë vota opozitare. Shqiptarët e panë me sytë e tyre tek shkërmoqej miti i Sali Berishës si burrë i fortë, i besës dhe që thotë gjithmonë të vërtetën; sepse gënjeshtrat që ka thënë përgjatë dy viteve të fundit janë bërë sa një mal.

Agresioni i Sali Berishës mbi Partinë Demokratike ka lënë pasoja të jashtëzakonshme; Foltorja dhe Partia Demokratike - dy copa të së njëjtës qenie që nuk mund të bashkëjetojnë më kurrë me njëra tjetrën, ndërkohë që mundësitë e mbijetesës politike përditë zvogëlohen. Nga ana tjetër, ka një elektorat të lirë - që këtyre zgjedhjeve iu shtuan të paktën edhe 300,000 votues të opozitës - që kurrë nuk do të votonte Sali Berishën, që kurrë nuk do të votonte as Edi Ramën. Këta votues presin me padurim një opozitë normale, njerëzore, dhe të vërtetë. Ata janë shtresa më e zgjuar e shoqërisë shqiptare, që nuk mund t'i gënjehen me tallavanë banale të Edi Ramës dhe përrallat madhështore të Sali Berishës. Ata e dinë se si funksionon bota dhe kanë koncepte të qarta për të mirën dhe të keqen.

Këta votues kërkojnë urgjent përfaqësim politik, dhe logjikisht, ata janë shumë afër një Partie Demokratike të çliruar nga Sali Berisha, një partie që së pari do të ndryshonte marrëdheniet klienteliste parti - elektorat, duke i shëndërruar ato në mardhenie idesh dhe projektesh ekonomike, politike dhe sociale.

Përveç kaosit, lufta civile në PD ka lënë një shkretëtirë lidershipi që është e pamundur të rikuperohet lehtë, të paktën edhe për disa vite. Asnjë nga figurat aktuale nuk është në gjendje të përballojë luftën me Sali Berishën, as nuk mund të bashkojë copat e partisë, ndërkohë që vet Berisha kërkon t'i nënshtrojë ose t'i shkatërrojë plotësisht. Po ndodhi kjo, Partia Demokratike nuk do të ekzistojë më. Ky do të ishte fundi i shpresës se ky vend do të bëhej ndonjëherë; dhe Edi Rama mund të kurorzohej mbret. Madje njëlloj mbreti është bërë qysh sot.

Rikthimi i Lulzim Bashës në skenën politike, për momentin është shpresa e vetme e opozitarizmit në Shqipëri. Në të vërtetë, 30 minutat e artikulimit të tij politik futën në panik Foltoren, Edi Ramën, Top Channel, Klan TV, News24, Syri TV, MCNTv, ABCNEWS - dhe pothuaj shumicën e ushtrisë së përbashkët mediatike të Edi Ramës, Sali Berishës dhe Ilir Metës.

Habia qëndron në faktin se kur Lulzim Basha qenka kaq kot, kaq i pazoti, pse kanë hyrë në panik? Pse gjithë ato sulme, nga të gjitha anët, nga të gjitha krahët, me të gjitha mjetet? Kanë frikë atë apo tezat e tij politike? Kanë frikë atë, apo konfirmuan se Lulzim Basha ka një mbështetje serioze jo vetëm brenda Partisë Demokratike, por mbi të gjitha ka mbështetje të konsiderueshme edhe në elektoratin gri?

Lulzim Basha është i pari dhe i vetmi politikan që ka hedhur tezën politike të "Trekëndëshit të Bermudës" - që i ka zënë frymën zhvillimeve politike dhe ekonomike të vendit. Shkatërrimi i këtij trekëndëshi është e barabartë me fundin e tranzicionit të gjatë shqiptar, me humbjen e Edi Ramës, Sali Berishës dhe Ilir Metës.

Shumicës së shqiptarëve nuk u vjen keq për asnjërin, dhe sigurisht ata presin me padurim një alternativë serioze. Partia Demokratike pa Sali Berishën dhe "qëndrestarët" e saj janë është një alternativë.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH