Aktualitet

Rama ua përsërit ambasadorëve: Fatura e tërmetit e lartë

               Publikuar në : 19:14 - 11/12/19 liberale

Qeveria ende nuk e ka një bilanc për dëmet e mëdha që la pas tërmeti i 26 nëntorit.

E megjithatë, kryeministri Edi Rama përsëriti edhe njeherë para Ambasadorëve të huaj në vendin tonë se Shqipëria është në kushte emergjence për përballimin e situatës së shkaktuar nga tërmeti i 26 nëntorit.

Rama: Ende nuk kemi një bilanc të plotë të dëmeve. Jemi të vetëdijshëm që fatura është e lartë dhe këtë faturë ne mund ta përballojmë vetëm me ndihmën tuaj. I jam mirënjohës KE që me shpejtësi të jashtëzakonshme vuri në dispozicion një shumë të parë, besoj dhe shpresoj se do të pasohet nga të tjera. I jam mirënjohës dhe presidentit të Turqisë që ka marrë një angazhim solemn duke angazhuar vendin e tij, por edhe vende të tjera të atij krahu të botës. Por në kushtet në të cilat gjendemi është shumë e rëndësishme që ju të mirëkuptoni këmbënguljen time për të përsëritur se ne jemi në domosdoshmëri për të pasur mbështetje. Asnjë vend nuk do ta përballonte vetë këtë situatë.

Shefi i qeverisë deklaroi se procesi i rindërtimit duhet të marrë udhë urgjent, por jo në kurriz të masës tjetër të popullsisë.

Rama: Duhet të jemi realistë dhe besoj se jemi realistë. Për të përmbyllur procesin e  rindërtimit na duhet më shumë, por nuk duam të bëhet në kurriz të së ardhmes së gjithë qytetarëve të këtij vendi. Për këtë arsye nuk kemi parashikuar asnjë taksë, asnjë ndërprerje të investimeve dhe nuk kemi parashikuar as rritje të borxhit. As buxheti i mbrojtjes nuk do të preket. Jam krenar që pavarësisht përmasave të jashtëzakonshme të kësaj katastrofe dhe lëkundjes shumë të fortë prej saj të gjithë ngrehinës së shoqërisë dhe shtetit e kemi përballuar fazën e parë.

Rama nënvizoi se pavarësisht madhësisë së kastrofës, Shqipëria arriti të strehojë të pastrehët në kohë rekord dhe për këtë meriton respekt.

Rama: E dimë që është e përkohshme dhe koha nuk punon për ne. Duhet të bëjmë gjithçka që koha të mos përplaset kundër nesh. Duam të rindërtojmë në kuptimin më të plotë të fjalës, duam të ndërtojmë zona me standarde të reja dhe duam të akomodojmë në shtëpi më të mira se ato që kishin të gjithë ata që jetojnë në zonat rurale. Bibla ka një fjalë shumë të favorshme për këtë moment. “Me anë të mençurisë do të ndërtohet shtëpia dhe me anë të aftësisë dalluese do të bëhet e patundur. Me anë të njohurisë dhomat do të mbushen me gjithfarë gjërash me vlerë, të çmuara e të këndshme”.

Tags: , , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back