Aktualitet

Plani franko-gjerman/ Kurti debat me opozitën: Pakti s’e ka njohjen finale

Shkruar nga Liberale
Plani franko-gjerman/ Kurti debat me opozitën: Pakti s’e ka njohjen

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi sot se plani i Bashkimit Evropian për dialogun nuk e ka njohjen reciproke, pasi ai nuk është marrëveshje përfundimtare, por vetëm kornizë për marrëveshje bazike. Kurti theksoi se ky propozim është në favor të Kosovës, pasi nuk e ka Asociacionin as parakusht, as në qendër të saj. Në seancën e sotme të Kuvendit, kreu qeveritar, tha se marrëveshja përfundimtare me Serbinë, e cila përfshinë edhe njohjen reciproke kërkon një proces të gjatë negociator.

“Është e vërtet që ka paragrafë dhe fjali të tëra që merren nga modeli i dy gjermanive. Është sërish veçse një marrëveshje bazë, jo marrëveshje finale ligjërisht obligueshme çfarë na nevojitet neve. Por në anën tjetër duhet të kuptojmë një gjë se nuk ka pasur mundësi që të vjen nga Brukseli, Berlini, Parisi dhe të na sjellin marrëveshjen finale. Marrëveshje finale pa njohje reciproke në qendër nuk mund të ketë, kjo nuk është finale”, tha ai.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku replikoi në kuvend duke thënë se ai ka pranuar një “marrëveshje bazë” nga “marrëveshja finale”. “Janë dy çështje shqetësuese: Ke pranuar që nga një marrëveshje finale të pranosh një marrëveshje bazë. Ti nuk po tregon se çka po bëhet por e ke pranuar një dokument. Si mund të pranosh marrëveshje që nuk është finale dhe nuk e ka njohjen në të”, ka thënë ai.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi theksoi se Kurti po i fsheh qëndrimet e tij. “Qëndrimin tim dhe të PDK-së e keni publik, këtu të shprehur pasi që ua kemi thënë në Uashington e në Bruksel e që ua kam përsëritur javën e kaluar në atë qytetin ku ti ke harruar edhe qysh i bjen me shku, se nuk të thirrë askush, as ty, as këtë qeverinë tënde”, theksoi Krasniqi.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH