Aktualitet

Pandemia i jep shanc Ballkanit Perëndimor për integrim në BE

               Publikuar në : 16:31 - 30/03/20 liberale

Nga Florion Metohu

Këtë javë që lam pas, përveç buletinit të luftës që vjen nga fronti i pandemisë së COVID-19, pati një lajm shumë të mirë për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Më në fund BE vendosi të hapi negociatat. Shumë kush mund të thotë që kjo pritej por, jo shumë larg, vetëm pak muaj më parë këtyre dy vendeve jo vetëm që ju refuzua hapja e negociatave por dhe prespektiva që të bëhej në një të ardhme dukej shumë e largët.

Vendet e BE-s ishin të hutuar nga Brexit dhe çështjet politike të brëndshme me avancimin e forcave të ekstremit të djathtë dhe nuk kishin dëshirë ti frynin zjarrit me politika zgjerimi. Por pandemia e koronavirusit duket se ka ndryshuar llogaritë e lidërve të BE-s. Nga analizat paraprake duket se në përfundim të saj dy do të jenë pasojat kryesore në planin ndërkombëtar: E para është në planin ekonomik. Përveç humbjeve të mëdha ekonomike, ajo që vuri në dukje pandemija eshtë se sa i përqënduar dhe sa i varur nga Kina është zinxhiri prodhues i kompanive botërore. Në një intervistë të kryekonomistes së Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Beata Javorcik, fazat e hershme të pandemisë në Kinë ndaluan shpërndarjen e pjesëve kryesore për prodhuesit në ekonomitë perëndimore. Ndërprerjet mund të shtyjnë kompanitë në ato kombe të mbrohen nga rreziqet e ardhshme duke siguruar kapacitete prodhuese rezervë afër “shtëpisë” së tyre.

Javorcik vazhdoi duke thënë se “përveç vendeve lindore, që bëjnë tashmë pjesë në BE, kompanitë e mëdha Europiane mund të shikojnë me interes vendet që nuk janë konsideruar tradicionalisht si një bazë furnizuese “Pse jo Ukraina, pse jo Bjellorusia dhe pse jo Ballkani Perëndimor me krahur e tyre të lirë të punës?” Këto fjalë shpjegojnë dhe arsyen e parë në ndryshimin e qëndrimit të BE-s ndaj Ballkanit Perëndimor. Që ky rajon të shndërrohet me të vërtetë në një alternative prodhuese ai duhet të jenë i integruar plotësisht në tregun e përbashkët europian.

E dyta është në planin gjeopolitik. Duket se kjo pandemi, gjatë dhe pas përfundimit të saj do rimodeloj thellësisht raportet e forces në arenën ndërkombëtare si dhe marrëdheniet miqësore/armiqësore ndërmjet shteteve. Pikërisht për këtë arsye shumë vende të Europës, sipas European External Action Service, janë shndërruar në objektiva të propagandës dizinformuese që nga njëra anë vë në pahë “paaftësinë” e BE-s për ti ardhur në ndihmë anëtarëve të saj dhe nga ana tjetër ofrohen si alternativë e besueshme kundrejt familjes së madhe europiane dhe vlerave liberal demokratike që ajo përfaqëson.

Hapja e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ishte dhe një sinjal i domosdoshëm, nga ana e BE-s për të gjithë Ballkanin Perëndimor, duke i thënë se nuk është e nevojshme të shohë diku gjetkë për “miq të rinj” në këto kohëra të vështira, pasi e ardhmja e tyre është vetëm Europa. Sigurisht shumë njerëz, me të drejtë, do e drejtonin gishtin te kushtet që i janë vënë Shqipërisë apo dhe vendeve të tjera para saj. Por ato nuk kanë qënë asnjëher faktor kryesor në politikat e zgjerimit të BE-s. qëllimi primar i tyre ka qënë gjithmon të mbajë nën kontroll impulset autoritare të lidërve të Europës Lindore dhe të Ballkanit Perëndimor. Impulse të trashëguara nga e kaluara jo fort e lavdishme në bllokun sovjetik dhe që me sa duket janë të vështira për t’u harruar. Ajo që nuk thuhet me zë të lartë është se kushtet nuk kanë qënë asnjëher qëllim në vetvete në krijimin dhe zgjerimin e BE-s.

Arsyet gjeoekonomike dhe gjeopolitike kanë qenë gjithmon themeli i ekzistencës së Bashkimit Europian. Nuk janë kushtet ato që çuan në firmosjen e Traktatit të Përbashkët Europian të Karbomit dhe Çelikut në 1952, që është dhe filiza e parë e krijimit ë BE-s, por siguria dhe paqja duke bërë bashkë shtetet që luftonin prej shekujsh kundër njëri tjetrit. Nuk janë kushtet ato që çuan në firmosjen e Traktatit të Romës në 1957, duke krijuar Komunitetin Ekonomik Europian, por nevoja për të krijuar një treg të përbashkët ku njerëzit dhe kapitali të lëviznin të lirë brënda hapësirës së përbashkët. Nuk janë kushtet ato që vendosën fatin e anëtarësimit të Greqisë në 1981, vetëm 7 vite nga rrëzimi i diktaturës së kolonelëve. Situate ekonomike dhe politike e Greqisë në atë kohë nuk ishte më e mirë seç është tani ajo e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ishte një vendim politik i Europës që ajo të anëtarësohej posi nuk mund të lihej jashtë saj vendi, i cili me mendimi klasik të filozofëve të saj përbëjnë themelin e të gjithë kulturës dhe vlerave liberal demokratike të cilat Perëndimi dhe BE përfaqëson. Sigurisht nuk ishin kushtet arsyeja kryesore e anëtarësimit të 10 vendeve njëherësh në 2004 dhe të Bullgarisë dhe Rumanisë në 2007. Shumica e këtyre shteteve të Europës Lindore vazhdojnë akoma të ketë probleme të mëdha me krimin e organizuar, korrupsionin dhe funksionimin e shtetit ligjor (shih Rumaninë dhe Bullgarinë). Vendimi për anëtarësimin e tyre, përveç aspektit ekonomik, duke e zgjeruar tregun e përbashkët me më shumë se 100 milionë konsumatorë, ka në bazë aspektin gjeopolitik të këtij veprimi. Bashkë me NATO-n anëtarësimi i tyre në BE u ofronte këtyre shteteve një port të sigurt ku të hidhnin spirancën e tyre duke përballuar kështu detin e trazuar të raporteve ndërkombëtare.

Për një shembull konkret të një të ardhme alternative për këto vende shkoni e pyesni Ukrainën për peripecitë e saj që prej 2014. Po mos të ketë një vullnet të vërtet për zgjerim do ketë gjithmon kushte pas kushtesh për tu plotësuar. Por duket se pandemia e COVID-19 i ka ndryshuar llogaritë gjeopolitike te BE-s. Në mesazhin e tij të urimit në Twiter për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, komisioneri europian për zgjerimin Oliver Varhelyi shtoi se “ky vendim dërgon dhe një mesazh të pastër dhe të qartë për gjthë Ballkanin Perëndimor: E ardhmja juaj është në BE”.

Jo të gjitha të këqijat vijnë vetëm për të bër keq dhe përtej tragjedisë njërëzore që po kalojnë të gjitha shtetet, rajonit të Ballkanit Perëndimor po i jepet shanci më i mirë për tu bashkuar me familjen e madhe europiane. Sigurisht janë detyrat e shtëpisë për tu bërë por vullneti për të na pranuar në klubin e tyre është i qartë. A do të jenë elitat drejtuese të rajonit në lartësinë e këtij momentit….?

Tags: , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back