Opinion

OPINION nga Reldar Dedaj – Bashkimi kundra “atyre” është politikë dhe jo e kundërta

Shkruar nga Reldar Dedaj
OPINION nga Reldar Dedaj – Bashkimi kundra “atyre”

Të shpërndara kështu siç janë, alternativat e reja politike në vend, vazhdojnë ende të jenë “kështjella” të rezistencës civile dhe intelektuale në Shqipëri. Edhe pse kjo është njëra pjesë e shkurtër e historisë së tyre që i nderon, pjesa tjetër na shfaq një pamje të zymtë, duke na treguar se një rrugëtim i ndarë, veç e veç, alternative nga tjetra; mund të rrezikojë rënien e secilës.

Udhëheqësit e këtyre alternativave duhet ta kuptojnë, nëse ende nuk e kanë kuptuar, se shumë shpejt mediat mund të përballen me një presion gjithnjë e më të madh për të pakësuar hapësirën e lirisë për ta, gazetarët e pavarur, analistët, intelektualët e lirë, pedagogët e universiteteve publike dhe ato private, anëtarë të shoqërisë civile, të gjithë, papërjashtim të gjithë, mund të vihen gjithnjë e më shumë në presionin e pushtetit, për t’ua mbyllur hapësirat e mendimit të lirë, madje mund të dhunohen akoma edhe më shumë nga sa pandehim ne, duke i çuar dalëngadalë drejt zhdukjes.

Bashkimi i këtyre alternativave është sot më se i domosdoshëm, për të krijuar në radhë të parë një rrjet shoqëror rezistence që mund të prodhojë një rezultat pozitiv nesër, me qëllim pengimin e avancimit të një pushteti dhe dëliri autoritarist. Ky bashkim mund ta shpëtonte shoqërinë tonë nga një konfrontim klanesh kriminale dhe grupe interesash që do ta shkatërronte përfundimisht mundësinë e një jete normale në këtë vend.

Nëse e përmbledhim me pak fjalë këto alternativa të reja që edhe pse të ndara po shfaqin ishuj të caktuar rezistence ndaj një pushteti kaq agresiv sa ç ‘është ky i sotmi, i cili duke qenë i tillë është strukturuar sa në mazhorancë kaq edhe në opozitë, pra këto alternativa, nuk duhet ta nënvleftësojnë idenë se për të krijuar një kauzë të përbashkët me shoqërinë, duhet të dalin përtej vetes dhe interesave të ngushta të tyre. Duhet të hapen ndaj shoqërisë, por para se ta realizojnë një gjë të tillë, ato duhet të japin mesazhe të forta të ndryshimit të vetes.

Të mbyllura secila në bajrakun e vet, mund të prodhojnë rezultate të kënaqshme dhe të përkohshme, gjithmonë në funksion të interesit personal, por për shoqërinë shqiptare, të cilat pretendojnë se janë aty për ta ndryshuar atë, nuk do sjellin rezultate afatgjata. Luditët, ata që sot janë bërë simbol i rezistencës ndaj ndryshimit, vazhdojnë dhe punojnë me orar të plotë. Ata shpresojnë të ruajnë sa më gjatë një fotografi të tillë të shoqërisë shqiptare, me të njëjtët personazhe aktive që kanë shkëmbyer rolet sa në mazhorancë dhe në opozitë prej tre dekadash në këtë vend, duke bllokuar hapësirat e çdo alternative të re, apo fluksi tjetër shoqëror që del nga shtresat e angazhuara dhe të civilizuara të shoqërisë shqiptare. 

Alternativat e reja politike që kanë shpërthyer në vend, duke pasur parasysh edhe kodin elektoral që dy partitë e mëdha kanë vendosur së bashku; edhe gjendjen ekonomike të vendit; edhe nivelin social dhe kulturor, nuk mund t’i shmangen, edhe nëse duan, një koalicioni politik të përbashkët, i shprehur me një listë të hapur shumë-emërore dhe, me një emër të dalë në marrëveshje mes tyre si kandidat për kryeministër i vendit në zgjedhjet e përgjithshme të 2025-ës. Kjo është sfida dhe pragu që duhet të kalojnë. Opozitarizmi nuk është asgjë tjetër përveçse dhimbje! Të gjithë do humbin nga pak dhe të gjithë do fitojnë nga pak. Ky është ligji i artë i një marrëveshje. Në të gjitha rastet, alternativat e reja, për çdo lëvizje që do ndërmarrin, në daç në vete dhe në daç të bashkuar, dhimbjet e një hapi të tillë, do t’i ndjejnë me patjetër deri në kockë.

Problemi qëndron se çdo lëvizje e ndërmarrë prej tyre duhet të prodhojë atë që ekonomisti i madh Joseph Schumpeter e quan si “shkatërrim kreativ”, pra duhet me patjetër të kontribuojnë në zëvendësimin e të resë me të vjetrën. Partitë e reja duhet të tërheqin resurse nga partitë e vjetra. Politikanët e rinj duhet t’i bëjnë politikanët e vjetër të panevojshëm. Nëse nuk bashkohen në një listë me qëllimin për të prodhuar një rezultat konkret, do jenë krejt të pafuqishëm për ta realizuar një gjë të tillë. Shqipëria prej tre dekadash ka krijuar institucione politike dhe ekonomike krejtësisht të zhbalancuara, duke e përqendruar pushtetin politik dhe ekonomik në duart e një grupi të ngushtë dhe, duke vendosur shumë pak kufizime mbi ushtrimin e këtij pushteti. 

Ky pushtet është bërë njësh dhe është vënë në shërbim të grupeve kriminale dhe grupeve të tjera të interesit privat që kanë vënë në shënjestër interesat publike, pronën dhe jetën e qytetarëve. Të gjitha këto resurse, së bashku me institucionet e tjera ekonomike dhe politike, strukturohen nga ky grup interesash që bashkon mazhorancën dhe opozitën në një, për të përfituar në kurriz të pjesës tjetër të vendit. Këto subjekte të reja politike “dreqi ta hajë” duhet ta kuptojnë se në një sferë publike dhe politike të kontaminuar me akuza, mllefe, vrer, korrupsion dhe baltosje pafund, një alternativë e tillë nuk do dalë kurrë. Të gjithë do njollosen, pavarësisht seriozitetit të tyre. Ndaj, dëshira e këtyre subjekteve të reja politike për të dalë veç e veç në zgjedhje nuk është se do ndryshojë ndonjë gjë në vend, përveçse do e zhysë shoqërinë shqiptare më në dëshpërim se më parë.

Lupidët, ata që janë simbol i rezistencës ndaj ndryshimit, më shumë se gjithçka tjetër, kanë tutkallë në mendjet e qytetarëve dhe jo vetëm, pasi kësaj ideje nuk i kanë shpëtuar dot as drejtuesit e këtyre subjekteve të reja politike, se ndryshimi vjen nga sipër dhe jo nga poshtë. Ata mundohen të jenë më elitar, më parimor dhe konsistent në idetë e tyre. Por harrojnë se qytetarët pak interes kanë se kush janë ata, çfarë mbrojnë apo se çfarë vlerash përfaqësojnë nëse ata nuk kërcënojnë pushtetin aktual, nëse nuk e shkatërrojnë status quo-në politike që është instaluar prej tre dekadash këtu.

Ajo që po ndodh në Shqipëri sot, ka ndodhur edhe më parë, në vitet 1992-1996, ku autoritarizmi i Berishës prodhoi një fatalitet të paimagjinuar tek një vend që s’kishte shumë vite që kishte hedhur poshtë dollmën e diktaturës, kjo që po ndodh sot këtu nuk po ndodh vetëm tek ne, një gjë e ngjashme po vërehet edhe në Turqinë e Erdoganit, i cili në një mënyrë graduale po e zhyt Turqinë në një autoritarizëm mafioz, duke hedhur në erë arritjet gati njëshekullore të turqve drejt një shteti modern. Shqiptarët i kanë përjetuar dhimbjet e keqqeverisjes edhe më herët dhe tani po shohin jo vetëm se çfarë po ndodh me jetën e tyre, por edhe se çfarë po ndodh rreth e rrotull, prandaj nuk kërkojnë veç një alternativë politike për ndryshim, por shanse reale që ndryshimin politik dhe ekonomik në vend ta shndërrojnë në fakt. Ky është problemi. Dhe kjo duhet kuptuar.

Dukuria autoritariste e Edi Ramës dhe pafuqia politike e një opozite që më shumë sesa e lufton, po bashkëpunon me të për interesa krejt të ngushta personale është më se e qartë dhe, gjithë këtë pamje, nuk e sheh vetëm ai që s’do ta shohë. Qytetari shqiptar nuk është se pret veçse një alternativë përballë kësaj kaste politike, e cila si e tillë për interesa krejt të ngushta personale, ka eliminuar edhe diferencat që kishte shfaqur më parë, por mbi të gjitha ai pret një alternativë që në kushtet e pamundësisë së shpartallimit të kësaj kaste politike tridhjetëvjeçare, të paktën t’i ndihmojnë sadopak në kufizimin e dhunës së saj ndaj tyre.

Alternativat e reja politike në kushtet aktuale nuk është se do sjellin ndonjë ndryshim për mirë në sfondin e përgjithshëm shoqëror, por nëse do dinë të kapërcejnë dallimet dhe paragjykimet ndaj sho-shoqit, mund ta ndihmojnë shoqërinë të paktën duke ia zbutur sadopak dhimbjen. Sepse, herët apo vonë, të gjithë do të përballen me pushtetin e një kaste të tillë politike dhe sa më vonë ta shtyjnë përballjen, aq më e madhe do të jetë kostoja për demokracinë dhe shoqërinë shqiptare./Liberale.al

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH