Nga Ardian Vehbiu
Kam ndjekur këto ditë çfarë ndodhi në Olimpiadë, kur boksierja italiane Angela Carini e braktisi matçin kundër algjerianes Imane Khelif. Pavarësisht nga çfarë është shkruar, Imane-ja NUK ËSHTË TRANS-GENDER dhe rasti i saj nuk ka pse të ngatërrohet me problemin, gjithnjë aktual, të aktivizimit të femrave trans-gender në sportet femërore.
Imane është femër biologjike, që ka lindur me kromosome mashkullore, për ç’arsye ka një nivel testosteroni në gjak shumë më të lartë se të një femre të zakonshme. Në kuptimin që, sikur kundërshtarja e saj Angela Carini të dilte se kish marrë testosteron, për të arritur nivele në gjak të krahasueshme me ato të Imanes, do të ish përjashtuar përgjithmonë nga sporti.
Në vitet 1970-1980, shumë atletë të vendeve të Lindjes – më kujtohen atlete të Gjermanisë Lindore (RDGJ-së), merrnin testosteron dhe hormone të ngjashme (steroidë), për të rritur kompetitivitetin në garë. U pat thënë, atëherë, se këto hormone, që atleteve ua impononte shteti sipas një programi të miratuar në instancat më të larta, u jepnin atleteve, notareve dhe sportisteve të tjera karakteristika fizike të meshkujve.
Testosteroni, i marrë nga jashtë, konsiderohet si DOPING; shumëve do t’u kujtohet historia e Paul Pogba-s, që e humbi karrierën vetëm sepse kish përdorur një integrator ushqimor me pak testosteron brenda. Ata që e përdorin hormonin, e bëjnë për të rritur masën dhe fuqinë muskulore. Imanes testosteronin IA PRODHON NATYRSHËM TRUPI – duke i dhënë një fizik, si me thënë, tejet të dallueshëm. Si femër, ajo është vetvetiu E DOPUAR gjithë kohën.
Ka ende shumë gjëra të paqarta në këtë histori, por le të besojmë se Imane-ja është femër dhe ndihet e tillë, pavarësisht hormonit mashkullor që ia prodhon trupi. A është FAIR, që ajo të konkurrojë me një kundërshtare si Angela Carini, e cila jo vetëm ka nivele krejt të tjera të forcës dhe të masës muskulore, por edhe rreptësisht ndalohet që të arrijë, me mjete të tjera, karakteristikat fizike të Imane-s?
Vetë autoritetet sportive kanë dhënë vendime të kundërta, lidhur me këtë.
Shembulli i Imanes, me trup dhe fuqi burri, më bën të mendoj për diçka në sport që bie ndesh, me atë që mendojmë zakonisht për eventet sportive, si kremtime të bukurisë dhe të forcës së trupit të njeriut anembanë globit. Përkundrazi, i afrohet – ngaqë është fjala për një person me fizik të pazakonshëm – konceptit tradicional për CIRKUN, si “freak show”.
Ka gjithnjë diçka prej “FREAK SHOW” te sportet kompetitive; sepse kampionët, në një numër të madh disiplinash, kanë ose zhvillojnë karakteristika fizike që i largojnë nga “normativiteti”. Për shembull, shumë kampionë të basketbollit janë frikshëm të gjatë, ndërsa kampionë të ngritjes së peshave janë me trup të trashë dhe të dendur. E kështu me radhë. Nga kjo pikëpamje, Imane-ja, me karakteristikat e saj fizike, si femër natyrshëm e nginjur në testosteron, është “ideale” për të fituar medalje në boksin olimpik të femrave.
Tabloidët në SHBA sjellin vazhdimisht lajme për sportiste femra transgender që kanë avantazh të madh, ndaj kolegeve të tyre. Për mua dukuria e transgenderismit sportiv rrezikon t’i japë fund sportit të femrave, duke ua hequr këtyre të fundit dëshirën për të konkurruar me kundërshtarë fizikisht tejet superiorë.
Edhe pse kjo që ndodhi tani me boksieren algjeriane nuk ka lidhje drejtpërdrejt me transgenderismin (sa kohë që thuhet se Imane ka lindur ashtu siç është), e sjell fort në vëmendje problemin e pabarazisë fizike në sport; po asaj pabarazie që është në themel të ndarjes së sportit sipas gjinive; ose që nevojitet, për të garantuar pastaj barazinë në vijën e nisjes.