Ervis Iljazaj
Rritja e pagës që kryetarja e Bashkisë Durrës i ka bërë vetes ka hapur diskutime të mëdha. Sigurisht, mendimi mbizotërues sa herë që drejtuesve të institucioneve apo deputetëve u rritet rroga është refuzues. Në shoqërinë shqiptare, ka një ide të përgjithshme populiste se deputetët, ministra apo kryetarë bashkie nuk duhet të kenë një rrogë të lartë. Kjo vjen nga ideja sepse për politikën ka një përceptim të keq. Ajo në Shqipëri konsiderohet si e paftë, e korruptuar apo dhe abuzuese me pushtetin. E në këtë kuptim, rritja e rrogës së tyre është e pajustifikueshme.
Për shembull, rritja e pagave të deputetëve kohët e fundit ka hapur debate të mëdha. Në fakt, problem i politikës shqiptare nuk janë pagat. Madje, në raport me vendet e tjera pagat e politikës në Shipëri janë më të ulëta. Askush për shembull nuk e diskuton rrogën e politikës në Suedi, Finlandë Gjermani apo Shetet e Bashkuara. Për një arsye shumë të thjeshtë, sepse puna e tyre vlerësohet dhe paga është e merituar.
Ndërsa në Shqipëri, diskutimi bëhet nga e kundërta. Në vend që të diskutojmë përmirësimin e politikanëve dhe drejtuesve të institucioneve, kundërshtojmë rritjen e pagave të tyre. E njëjta gjë ndodh edhe me financimin e partive politike në Shqipëri. Preferojmë që ato të financohen në mënyrë të paligjshme se sa të rritet buxheti i shtetit për aktivitetin e tyre. Në një mënyrë apo tjetër, partitë politike do ti gjejnë paratë për të funksionuar. Politika kushton, demokracia edhe më shumë. Sot paratë janë një pjesë e rëndësishme e politikës. Prandaj ato duhet të sigurohen në mënyrë të ligjshme.
I gjithë diksutimi në këto raste bëhet me tona populiste dhe aspak racionale. Le të kuptohemi, drejtuesit e institucioneve, deputetët apo kryebashkiakët teorikisht kanë përgjegjësi më të mëdha në krahasim me profesionet e tjera, pasi kanë në dorë fatin e shumë njerëzve. Dhe patjetër që duhet të paguhen, madje me një pagë dinjitoze për jetën e tyre dhe familjes së tyre. Të merresh me politikë është një sakrificë e madhe, gjithmonë nëse e bënë siç duhet, në shërbim të qytetarëve dhe jo në shërbim të vetes. Nëse nisemi nga premisa se politikanët në Shqipëri bëjnë para në mënyra të tjera dhe s’kanë se për çfarë e duan rritjen e pagës, pikërisht ky është problemi. Sepse nuk e orientojmë disktumin në drejtimin e duhur. Të gjitha energjitë duhet ti fokusojmë në luftën ndaj korrupsionit, në përmirësimin e njerëzve që drejtojnë institucionet në Shqipëri. Është absurde fatki që pranojmë politikanë që i konsiderojmë si të korruptuar, por ama kur bëhet fjalë për rritjen e pagave të tyre nuk tolerojmë.
Mbi të gjitha, në politikë apo institucione ka njerëz me dinjitet, të cilët padyshim sot janë të nënpaguar në krahasim me homologët e tyre në vende të tjera. Duhet t’i japim fund hipokrizisë së deputetët, kryetarët e bashkive apo drejtues institucionesh të ndryshme nuk duhet të kenë paga të larta. Është mirë që politika shqiptare të financohet nga para të ligjshme dhe jo para nën dorë të padeklaruara.
Pagesat dinjitoze për drejtuesit e institucioneve shqiptare nuk duhen kritikuar, por mbështetur. Nuk mund të pretendojmë të kemi politikanë të mirë pa një rrogë dinjitoze për ta dhe famlijen e tyre.
Problemi nuk janë pagesat e tyre, por paftësia e tyre në drejtim. Ka shumë njerëz me dinjitet sot, profesionistë të mirë në fusha të ndryshme, të cilët nuk afrohen në administratën shtetërore, pikërisht për pagesat e ulta që ajo ka. Prandaj administrata vuan sot mungesën e kapitalit njerëzor, sepse shumica e tyre ose kanë emigruar, ose punojnë në sektorin privat ku paguhen më shumë. Dhe kjo përkthehet në mungesë efikasiteti të institucioneve të ndryshme dhe administratës në përgjithësi. Nuk mund ti kërkosh një profesionisti që ka studiuar shumë vite, ka sakrifikuar ndoshta dhe jashtë vendit të tij për të studiuar, të punojë në administratë apo të merret me politikë thjesht për ideal apo për arsye idealiste. Sa më shumë ti jepet fund populizmit me pagat e politikës, dhe sa më shpejt ta kthejmë diksutimin të efikasiteti dhe jo te paga e tyre, aq më mirë do të jetë. Politika shqiptare ka nevojë për financime të ligjshme, të cilat i meritojnë nëse e kryejnë punën siç duhet.