Editorial

EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: Lideri i panjohur i opozitës

Shkruar nga Ervis Iljazaj

EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: Lideri i panjohur i opozitës

Sondazhi i publikuar nga Barometri në Euronews të premten, tregoi një element të rëndësishëm politik për opozitën shqiptare. Krizën e lidershipit të saj.

Sipas sondazhit, mbështetjen më të madhe në opozitë si kandidat për kryeministër e gëzon një lideri ende i panjohur. 75 përqind e qytetarëve mendonin se opozita shqiptare nuk duhet të ketë kandidat për kryeministër në zgjedhjet parlamentare të 2025 as Sali Berishën, as Lulzim Bashën, as Gazment Bardhin apo ndonjë politikan që sot konsiderohet në opozitë. Një shumicë dërrmuese e tyre kërkojnë një kandidat për kryeminsitër, që ende nuk arrijnë ta idendifikojnë se cili është.

Dhe kjo është kriza më e rëndësishme e opozitës aktualisht. Mungesa e një lidershipi që të frymëzojë shumicën e popullit opozitar, dhe ti bëjë ata vërtetë që të kenë shpresë për një rotacion politik në zgjedhjet e ardhshme. Mirëpo si gjithmonë, ky sondazh kaloi pa një reflektim në krahun opozitar, pa një diskutim të qënësishëm politik. Dhe të mendosh që bëhët fjalë për një sondazh që është nga më të besueshmit në Shqipëri, në vitet e fundit.

Sigurisht kauzat janë të rëndësishme në opozitë, protestat gjithashtu. Por gjithashtu e rëndësishme është dhe lideri i cili gëzon mbështetje popullore masive. Ashtu sikurse është trasformuar politika në ditët e sotme, lidershipi përbën një nga arsyet kryesore të frymëzimit dhe shpresës për ndryshim. Ekipi, programi apo aksioni opozitar janë pjesë të rëndësishme të një opozite. Por pa patur një politikan që frymëzon njerëzit, i besueshëm dhe që gëzon mbështetjen e qytetarëve, mundësitë për rotacion politik janë të pakta. Dhe ky lider, sipas këtij sondazhi sot në opozitë mungon.

Në raport me kundërshtarin, të gjithë politikanët kryesorë të opozitës, duke filluar nga Sali Berisha, Ilir Meta e deri të Lulzim Basha, të gjitha sondazhet tregojnë se janë në disavantazh të thellë me Edi Ramën. Dhe kjo pavarësisht se Rama ka 12 vite në pushtet. Pavarësisht se kjo është një qeveri me një korrupsion galopant, ashtu sikurse tregojnë të gjitha raportet e besueshme të organizatave ndërkombëtare dhe hetimet apo akuzat e SPAK. Askush në opozitë sipas sondazheve nuk e kalon 25 përqind të mbështetjes popullore. Kjo është një shifër alarmante dhe që duhet ta bëjë opozitën të reflektojë.

Problem gjithashtu mbetet ndarja e mbështetjes në shumë liderë të opozitës. Shumë liderë, do të thotë asnjë lider. Në kuptimin e aftësisë për të mbledhur rreth tij shumicën e qytetarëve që kërkojnë rotacion politik.

Në këtë kuptim, opozita shqiptare ka dy probleme thelbësore. E para, është pikërisht se askush nuk e ka një mbështetje më të madhe se kundërshtari politik. Dhe e dyta, fragmentizimi i mbështetjes në figura të ndryshme politike që janë në opozitë.
Se si do ta zgjidhë opozita shqiptare këtë ngërç politik kjo mbetet për t’u parë. Por fakti është se ky element përbën problemin më të madh të saj sot.

Opozitarët kanë si lider kryesor të tyre një person i cili ende nuk është shfaqur. Ose ndryshojnë kurs politik, ose gjejnë politikanin që nuk është shfaqur akoma. Rrugë tjetër nuk ka. Rruga tjetër është thjesht rinovimi i disa rrogave për deputetë në zgjedhjet e ardhshme, qofshin ata edhe deputetë të opozitës.

/Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH