Në një klimë të tensionuar në raportet midis Greqisë dhe Shqipërisë, Edi Rama do të zhvillojë një takim me emigrantët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në vendin fqinj. Në videon e publikuar të takimit, Rama është kujdesur që të ketë pamje shqiptare të ndërthurura me ato greke për të treguar marrëdhëniet e mira dhe respektin që ai ka për popullin grek. Por e vërteta është se marrëdhëniet e dy vendeve janë më të këqija se më parë për shkak të çështjes Beleri.
Në fakt vajtja e Edi Ramës në Greqi, por edhe gjithë turi i tij me diasporën shqiptare pikërisht tani mund të ketë disa arsye, por që nuk është rregullimi i raporteve diplomatike.
E para, sepse shqiptaret që jetojnë jashtë Shqipërisë janë pothuajse njësoj në numër, madje edhe më shumë se sa shqiptarët që jetojnë këtu. Edhe pse me të gjitha gjasat ata nuk do të votojnë në zgjedhjet e ardhshme shumë prej tyre mund të vijnë ditën e votimeve ose mund të kenë ndikim te familjarët e tyre që jetojnë ende në Shqipëri.
E dyta, numri i lartë i njerëzve që janë larguar nga Shqipëria gjatë qeverisjes së tij është kthyer në një problem për vetë ekonominë dhe shoqërinë shqiptare. Me të gjitha gjasat, Rama do të tentojë që ti bindë ata se Shqipëria tashmë nën qeverisjen e tij është bërë një vend i zhvilluar, rrogat janë rritur dhe do tiu kërkojë të rikthehen. Madje edhe kafja të shijon më shumë në Shqipëri. Këtë retorikë e bënë edhe me të rinjtë që jetojnë ende këtu dhe që u bënë thirrje të mos largohen.
E treta, nëpërmjet takimeve me diasporën kërkon të nxisë frymën e patriotizmit dhe ti bëjë ata të ndihen krenarë për vendin e tyre. Tiu mbushë mendjen se tashmë Shqipëria ka marrë dinjitetin që i takon dhe se emri i saj nuk nëpërkëmbet më. Po ta shikosh, kohët e fundit Rama e thekson fort këtë fakt. Sa herë që i jepet mundësia nuk lë pa përmendur numrin e lartë të turistëve që vizitojnë Shqipërinë apo protagonizmin e saj në arenën ndërkombëtare.
Me të gjitha gjasat fjalimi i tij të dielën në Athinë do të mundohet të përkedhel sedrën e shqiptarëve që jetojnë atje pikërisht si pasojë e këtij ndryshimi radikal që Shqipëria ka pësuar në sytë e ndërkombëtarëve dhe të huajve. Do të mundohet që emigrantëve shqiptare t’ju heqë komplekset e infierioritetit të cilat i kanë shoqëruar ata gjatë gjithë këtyre viteve në raport me të huajt.
‘’Krenar për Shqipërinë ‘’, ngjan më së shumti me një slogan fushate të cilin Rama me shumë mundësi do ta përdorë në zgjdhjet e ardhshme. Në mos fjalë për fjalë, si filozofi fushate. Përpos luftës ndaj korrupsionit që e shpalli në rezolutën e miratuar në mbledhjen e përbashkët me ministrat dhe deputetët socialistë, krenaria shqiptare do të jetë padyshim një nga armët që Edi Rama do të përdorë në fushatën e zgjedhjeve parlamentare të vitit të ardhshëm. Jo më kot, këtë krenari kërkon ta nisë me shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë.
Sepse dihet, ata që jetojnë më shumë me emocione patriotike janë pikërisht diaspora. Ata që vuajnë nga reputacioni i Shqipërisë në Europë janë pikërisht ata. Dhe Rama me shumë gjasa këtë gjë kërkon t’ju japë, ‘’krenarinë shqiptare’’. A do ta besojnë shqiptarët që jetojnë jashtë se tashmë mund të ndihen krenarë për vendin e tyre?
Kjo mbetet për tu parë.