Ervis Iljazaj
Sipas shumë politologëve dhe studiuesve të sociologjisë politike amerikane arsyet e humbjes së thellë të Kamala Harris janë disa. Një nga arsyet kryesore është pesha e rekordeve negative të administratës Biden që rënduan mbi të. Ajo nuk arriti dot të shkëputej nga qeverisja e Biden dhe të ofronte një vizion të saj ekonomik për Amerikën. Kostoja që mbajti si zv.Presidente gjatë presidencës Biden ishte shumë e madhe. E vërteta është se gjatë periudhës si zv.Presidente nuk u shqua veçanërisht për ndonjë vizion të caktuar.
Një arsye tjetër është se ajo nuk arriti dot të konkuronte me personalitetin e Trump që konsiderohet karizmatik dhe i konsoliduar. Aq më tepër që kandidatura e saj ishte një kandidaturë jo e përgatitur për të garuar për president dhe ishte një gjë që u vendos në momentet e fundit si një zgjidhje e sfrocuar. Nga ana tjetër, Trump kishte pothuajse katër vite në fushatë elektorale. Po të kujtojmë këtu se Harris ka humbur shumë shpejt në primaret e vitit 2020, tregon qartë se shumica e partisë nuk e ka dashur si të tillë.
Gjithashtu Harris edhe në këtë pak kohë që zhvilloi fushatën e saj u shfaq si një kandidate e pasigurtë në komunikim dhe e paqëndrueshme, përkundrejt rivalit të saj që idetë e tij ka tashmë shumë vite që i komunikon me një koherencë dhe vendsoshmëri të plotë.
Por mbi të gjitha, ka dhe një arsye fondamentale se përse Harris pësoi një humbje të thellë. Kamala Harris mund të konsiderohet si kandidatja më socialiste e Partisë Demokratike në historinë moderne të Shteteve të Bashkuara. Vizioni i saj ishte më majtas se ai Biden, Obamës dhe Klintonit po se po. Duke u paraqitur si e tillë dhe duke u larguar nga qendra drejt socializmit, humbi shumë votues të moderuar dhe të pavendosur. Kamala Harris injoroi disa nga temat kryesore që shqetësonte shumicën e qytetarëve amerikanë si ekonomia, infalacioni, imigracioni etj. Fokusi i saj kryesor ishin ndryshimet klimatike apo liritë sociale si e drejta e abortit apo çështjet e tjera të lëvizjes kultuore “woke”, gjë të cilën e bëri në mënyrë radikale. Por edhe kur foli për ekonomikë, ajo e bëri në mënyrë plotësisht socialiste duke propozuar një rol më të madh të shtetit, ndërhyrjen e tij tek çmimet apo rritje taksash për të realizuar politikat e saj sociale.
Të jesh një kanindat socialist në një vend i cili socializmin ndoshta nuk e ka njohur kurrë, padyshim që është një disavatazh i madh. Shtetet e Bashkuara, në pjesën më të madhe të shoqërisë së saj ka në qendër liritë ekonomike, individualizmin dhe tregun e lirë. Në një vendi ku shteti shihet si problemi dhe jo si zgjidhja, të propozosh një shtet më të madh, shihet si një kërcënim i lirive mbi të cilat është themeluar ajo shoqëri. Për këtë arsye, politikat e saj u panë si një vizion që nuk përputhet me karakteristikat e shoqërisë amerikane. Jo më kot, rivali i saj e etiketonte atë si një marksiste. Një etiketim që padyshim është i ekzagjeruar, por e vërteta është se kandidatja demokratike nuk u paraqit si e tillë, por si një kandidate socialiste.
Si përfundim, mund të thuhet se idealzimi socialist, deri në utopi i Kamala Harris dështoi përballë realizmit republikan të Donald Trump. Ky idealizëm mishërohej edhe te vetë figura e kandidates. Një kandidate grua dhe me ngjyrë. Një kartë gjithashtu që përfaqëson vizionin e saj duke kërkuar që për herë të parë në krye të Shtëpisë së Bardhë të ishte një president, edhe grua edhe me ngjyrë. E pikërisht për të gjitha këto karakteristika, Amerika nuk ishte gati për të. Shumë idealizëm për t’u bërë realitet.