SPAK ka nisur një hetim për kryebashkiakun e Këlcyrës, Klement Ndoni, i cili akuzohet për korrupsion zgjedhor.
Sipas dëshmisë së një qytetareje, e cila është marrë sot në pyetje nga organi i drejtësisë, Ndoni i ka ofruar ryshfet në këmbim të votës.
Ndërkohë, një i moshuar 75-vjeçar u paraqit të mërkurën e kaluar në SPAK për t’u marrë në pyetje.
Në denoncimin e bërë prej tij përpara zgjedhjeve të 14 majit, ai pretendoi se funksionarë vendor në këtë Bashki, i kanë ofruar ndihmë ekonomike dhe punësim të djalit të papunë në këmbim të votave të familjes së tij në favor të kandidatit socialist për kreun e Bashkisë Klement Ndoni, i cili kërkonte mandatin e katërt në këtë funksion.
Sipas denoncuesit Agim Bakushllari, episodi kishte ndodhur në zyrat e Bashkisë vetëm dy ditë para zgjedhjeve lokale.
Ndoni rezulton i kallëzuar edhe më parë në prokurori me akuzat për shpërdorim detyre, në disa projekte në qytet apo emërime në sektorin publik.