Aktualitet

“Një shqiptar “kundër” hebrenjve”, Ambasada e Izraelit notë proteste Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë

Shkruar nga Liberale

Shqipëria hyri në histori si vendi që nuk dorëzoi asnjë hebre tek Nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Merita që nuk u dorëzua asnjë hebre ishte e shqiptarëve dhe jo e mbretërisë. Historia dihet. Për një kohë të gjatë asnjë shqiptar nuk ka dalë kundër hebrenjve, por ndoshta situata ka ndryshuar.

Ambasada e Izraelit në Tiranë ka bërë një notë proteste pranë Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme (MEPJ) kundër televizionit Top Channel.

Shkak për këtë notë proteste është bërë një emision i këtij televizioni me përmbajtje kundër hebrenjve.

Më konkretisht, në shkresën e dërguar në MEPJ, thuhet se në emisionin 'Rrethi Katror' në datën 5 qershor 2022, në Top Channel, një prej të ftuarve ka shprehur opinione anti-semite.

Ambasada e izraelit vëren se drejtuesi i emisionit nuk ka ndërhyrë, duke e lejuar të ftuarin në mënyrë të përsëritur të shprehë komente kundër hebrenjve.

Ambasada izraelite i kërkon Ministrisë së Jashtme marrjen e masave të menjëhershme, duke kujtuar se Shqipëria është pjesë e Aleancës Ndërkombëtare të Kujtimit të Holokaustit dhe duhet të veprojë në përputhje me rrethanat.

Më poshtë teksti i notë protestës

Ambasada e Shtetit të Izraelit në Republikën e Shqipërisë i shpreh komplimente Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë dhe ka nderin të informojë sa vijon:

Kemi vënë re se gjatë një programi televiziv të titulluar 'Rrethi Katror' të transmetuar nga televizioni kombëtar Top Channel më 5 qershor 2022, një nga të ftuarit në program ka shprehur mendim me përmbajtje anti-semitiste, të cilat nuk janë kundërshtuar nga drejtuesi i TV, në mënyrë të përsëritur.

Kjo bie krejtësisht në kundërshtim me traditën shqiptare, si i vetmi vend në Europë që i shpëtoi hebrenjtë para, gjatë dhe pas holokaustit. Për më tepër, si një vend mik i Izraelit ka miratuar dhe i është bashkuar Aleancës Ndërkombëtare të Kujtimit të Holokaustit për antisemitizmin, dhe për këtë arsye duhet të veprojë në përputhje me rrethanat. Ju kërkojmë me dashamirësi të ndërmerrni hapat e nevojshëm për të parandaluar diskursin, nxitjen dhe synimin e tillë antisemitik që padyshim mund të shkaktojë gjakderdhje dhe vuajtje për njerëzit e pafajshëm (vendas dhe turistë).

Ambasada e shtetit të izraelit në Republikën e Shqipërisë përfiton nga ky rast për t'i shprehur Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë konsideratën më të lartë.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH