Nga Eugjen Merlika
Kohët e fundit një nismë e vyer po bën rrugë në qarqet intelektuale të kryeqytetit: një propozim i firmosur nga disa persona të njohur publikë dhe i drejtuar Kryetarit të Shtetit për t’i dhënë titullin e lartë “Nder i Kombit” At Zef Pllumit. Më duket se nismëtari apo nismëtarët në fjalë kanë patur një frymëzim jo të zakonshëm e mjaft të goditur. Është një ide e fortë, përmasa e së cilës e kalon rastin konkret dhe priret të hapë një periudhë të re në të cilën, ashtu si herë të tjera, mbetemi të vonuar. Bëhet fjalë për të arritur në një demokraci të vërtetë e cila, deri tani me gjithë pesëmbëdhjetë pranverat që bart mbi supe, ka qenë e mangët.
Ka qenë e mangët mbasi “evolucioni” i detyruar nga faktorë madhorë jashtë kontrollit të klasës politike të regjimit komunist, krijoi një sistem hibrid të shartuar mbi trungun e vjetër që i kishte rrënjët thellë. Ky sistem që vazhdoi të thithë lëndët ushqyese nga ai trung, duke ruajtur të patrazuara disa dogma që gjenin mbështetje edhe në sektorë të ndryshëm të shoqërisë evropiane, që shërbente si model, nuk e çoi deri në fund proçesin e vërtetë të ndryshimit, që njëjtësohej me dënimin e diktaturës. Ky i fundit u bë formal, nëpërmjet sloganesh e zëvendësime emrash partish e nxjerrjesh në pension të njerëzve të nomenklaturës së vjetër, tashmë të diskredituar në sytë e qytetarëve shqiptarë. Proçesi u ndal aty mbasi strategjia e parapërcaktuar nga arkitektët e dukshëm dhe të padukshëm të shndrrimit të komunizmit nga një diktaturë e dështuar dhe e paparaqitëshme në një demokraci, më shumë për fasadë se sa në thelb, kishte si synim kryesor shmangien e vënies para përgjegjësisë reale të sistemit dhe kryesisht të klasës së tij drejtuese.
Kjo më duket se ishte një strategji e hartuar në nivelin më të lartë të drejtuesve të dy blloqeve që, për gjysëm qindvjeti, kishin luftuar me njëri tjetrin për sipëranì në botën e ndërlikuar të shekullit të njëzetë. Të bindur, me dhimbje nga njëra anë e me ngazëllim nga ana tjetër, se kundërshtìa e trashëguar nga mosmarrëveshjet e mbas luftës së dytë botërore nuk mbahej më në këmbë, mbasi barazpesha e fuqive ekonomike, ushtarake e të nivelit të jetesës ishte prishur dukshëm, u ra n’ujdì që të mbyllej një epokë e të hapej një tjetër. Ajo e reja do të kishte si emblemë rrëzimin e Murit të Berlinit, që njëjtësohej me simbolin e diktaturës komuniste ( më 1962 Xhon Kenedi shprehej kështu para berlinezëve të Perëndimit: “ Ne nuk kemi nevojë të ngremë mure në mbrojtje të institucioneve tona të lirisë e të demokracisë...”). Si piksynim do të kishte shndrrimin e shoqërisë, nga një mumje e ngurtësuar prej skemave të shtrydhura ideologjike që nuk gjenin më asnjë jehonë në realitetin e botës së fundit të mijëvjeçarit, në një sistem të zhdërvjelltë, në të cilin qytetarët do të dilnin nga krahët e shtetit të plotfuqishëm, duke menduar vetë për fatin e tyre.
Ky ndryshim do të përcaktonte të tjera raporte mes ish blloqeve kundërshtare të luftës së ftohtë, por edhe mes pjesëmarrësve të të njëjtit bllok. Në teori do të siguronte një periudhë të gjatë paqeje e harmonie mes shteteve e në brendësi të secilit prej tyre. Në bazë të këtyre ndryshimeve kishte edhe një marrëveshje të pashpallur, ndoshta të pashkruar apo të sekretuar në arkiva që do të presin një tjetër gjysëm qindvjeti të hapen. Ajo marrëveshje trupëzonte një ide të qartë e të patjetërsueshme: krimi komunist që, për nga përmasat e tij, ishte ndoshta më i llahtarëshmi në historinë e njerëzimit do të dënohej vetëm me fjalë. Ai do të quhej i përbashkët e, si i tillë, do të shkarkonte çdo njeri nga përgjegjësitë e tij, sado të rënda që të ishin. Për pasojë, viktimat e tij do të riabilitoheshin gjithmonë në kuadrin kolektiv, si një masë njerëzish të dënuar nga një fatalitet historik, së cilës i hiqeshin vargojtë e i lejohej jeta normale, pa vulat e damkat e luftës së klasave. Kjo frymë kompromisi, që i imponohej pa rrugëdalje viktimave të dhunës komuniste, e që ndryshonte shumë me qëndrimin ndaj krimit nazifashist mbas luftës botërore, qe një praktikë e vënë në zbatim në të gjitha Vendet ish socialiste. Pa hyrë në analizën e hollësishme të motiveve e të arsyeve që përcaktuan një zgjedhje të tillë, të moralitetit, ligjësimit apo thjesht një llogarie të shumanëshme që do t’i linte të gjithë të kënaqur, mendoj se ajo qe shkaku kryesor që frenoi proçesin e ndryshimeve të thella e rrënjësore të shoqërisë.
Për vetë natyrën e mbyllur, sektare e tepër dogmatike të shtetit komunist në Shqipëri dukuria e mësipërme pati përmasa e pasoja më të dukëshme se gjetiu. Kështu në sferën kulturore apo të kujtesës historike, zyrtarisht, me përjashtim të goditjes së Enver Hoxhës më shumë si “kokë turku” se sa si simbol i sistemit, nuk pati asnjë rishikim rrënjësor të spektrit historik të gjysëm shekullit të fundit. Për vetë praninë dërmuese të ish komunistëve, jo vetëm në jetën politike por edhe në atë akademike e të institucioneve të kulturës, dogmat dhe tabutë e parafabrikuara të mendimit historik shoqëror apo etik të diktaturës mbetën në një masë të madhe të paprekura. Përpjekjet për t’i goditur apo shkërmoqur ato mbeten nisma të individëve të ndryshëm që shfrytëzojnë lirinë e fjalës apo të shkrimit në disa organe shtypi.
Është folur e shkruar mjaft mbi krimet e diktaturës komuniste, janë dhënë shifra të sakta mbi përmasat e tyre, janë botuar dëshmitë e të mbijetuarve, është kërkuar dëmshpërblimi i merituar për të pushkatuarit, të dënuarit, të internuarit. Por e gjithë kjo veprimtarì, ky tamtam i kthyer në refrenin e këtyre pesëmbëdhjetë viteve, në anën praktike ka pak ose aspak efekt.. Kjo ndodh jo vetëm për mungesën e vullnetit të mirë të klasës politike paskomuniste, të mundësive të pakta financiare të Shtetit të kontrolluar nga institucionet ndërkombëtare, krejtësisht të painteresuara për problemin, por edhe për të meta e dobësi të punës së shoqatave përfaqësuese të ish të përndjekurve politikë.
Në Shqipëri simbolet nuk ndryshojnë; e ashtuquajtura luftë nacional-çlirimtare, që solli diktaturën në pushtet, vazhdon të mbetet në piedistal. Veteranët që kanë drejtuar institucionet e dhunës, duke u zhytur në krime, janë të nderuarit e shoqërisë ndërsa bijtë e tyre bëjnë ligjin në jetën politike dhe ekonomike duke u pasuruar. Emërtimet e objekteve shoqërore, të rrugëve, të institucioneve janë po ato të kohës së socializmit. Asnjë nga emrat e viktimave të diktaturës, të kundërshtarëve të saj që në djep nuk gjejnë të drejtë qytetarie në ato lista. Ka në drejtim të tyre një bllokadë të heshtur e tinzare, një prirje për t’i fshirë nga kujtesa zyrtare, për t’i lënë në harresën gjysëm shekullore, në botën e tyre të numrave pa emër. Premtimet e Kryeministrit për dëmshpërblimet e për ngritjen e obeliskut në qendër të Tiranës duken si një zë në shkretëtirë, që vjen nga larg e sjell rënkimet e një bote tjetër...
Në këtë kuadër aspak frymëzues një apo disa persona të shoqërisë civile propozojnë dekorimin e At Zef Pllumit me urdhërin “Nder i Kombit”. Gjuajnë në shenjë, mbasi figura e autorit të trilogjisë “Rrno për me tregue” përmbledh në vete shumë përbërës që do t’a përligjnin plotësisht kuptimin e urdhërit.
Së pari At Zef Pllumi është një nga ata shqiptarë, mbi të cilët diktatura ushtroi dhunën pa mëshirë, duke e detyruar të kalojë një pjesë të madhe të jetës në burgjet dhe kampet e punës së detyrueshme. Për një pjesë të shqiptarëve që, megjithë mungesën e përgjithëshme të lirisë, jetuan të patrazuar në shtëpitë e tyre pa u përballuar drejt për së drejti me dhunën, ky fakt mund të quhet një fatkeqësi por jo një meritë e veçantë. Merita qëndron në mënyrën se si u përballuan këta vite të gjata burgu. At Zefi i përballoi me dinjitetin e duhur njerëzor duke merituar një piedistal, atë të virtytit e të personalitetit të spikatur. Sikur bota të mund të njihte në imtësi tributin e lartë, që një pjesë e shqiptarëve kanë paguar për të ruajtur karakterin dhe dinjitetin njerëzor gjatë kalvarit të gjatë të terrorit komunist, imazhi i Shqipërisë do të kishte qënë një tjetër. At Zef Pllumi ka dhënë ndihmesën e tij vetiake në këtë imazh.
Së dyti At Zef Pllumi na ka lënë veprën më të arritur të letërsisë pas komuniste, një trilogji që është pasqyra më e mirë e historisë sonë të gjysëm shekullit të fundit. Ka shkruar një vepër që hyn në fondin e artë të letërsisë shqipe, jo vetëm për fuqinë e dëshmisë dhe nivelin artistik mjaft të lartë, por edhe për mesazhin që bart e përciell, atë të qëndresës së vërtetë karshi së keqes që ishte ngritur në sistem. Mendoj se tema e qëndresës në regjimin policor të diktaturës së proletariatit të markës shqiptare është lëvruar shumë pak. Punonjësit e letrave i mbeten borxhlinj lexuesit shqiptar, sidomos atij të brezit të ri, që duhet të njihet me të shkuarën në termat e saj të vërteta e jo në optikën e shtrembër me të cilën shkrimtarët e “realizmit socialist” kanë qënë të detyruar t’a paraqesin atë. Në këtë kontekst vepra “Rrno për me tregue” është një gur themeli që duhet të pasohet nga të tjera, të cilat duhet të kenë të njëjtin synim, atë të krijimit të një ideje të saktë mbi natyrën dhe formimin e vërtetë shpirtëror të shqiptarëve, në një nga provat më të vështira të historisë së tyre.
At Zef Pllumi është një nga të mbijetuarit e fundit të klerit katolik të martirizuar nga komunizmi. Si i tillë dha një ndihmesë të vyer për ringjalljen e kishës e të besimit te një pjesë e shqiptarëve. Ai punoi edhe për ringjalljen e traditës kulturore të asgjësuar nga komunizmi. Me Hyllin e dritës dhe studimet e ndryshme me sfond historik plotësoi zbrazësira të mëdha në formimin e vërtetë kulturor të kombit.
Në ushtrimin e detyrës së tij si meshtar u shqua për ndihmën që i dha shumë të rinjve për të studjuar edhe jashtë Vendit. Ato bursa studimi që institucione bamirësie të Evropës i vinin në dispozicion për fëmijët shqiptarë ai i ndau pa marrë parasysh kriterin fetar apo politik. Për të studjuar jashtë ai dërgoi fëmijët e katolikëve por edhe të myslimanëve, të ish të përndjekurve por edhe të komunistëve. Me këto veprime ai tërhoqi mbi vete vërejtje, qortime e prishaqejfe por ai nuk u tërhoq mbrapa, nuk i vuri në dyshim kriteret e zgjedhjeve të tij. Ai nuk ishte idhtar i Leninit, Stalinit apo Enver Hoxhës për të cilët “lufta e klasave” vazhdonte brez mbas brezi edhe mbi fëmijët. Ai ishte një shërbyes i përvuajtur i Ungjillit, nga faqet e të cilit Krishti i kishte mësuar të mos bënte dallime tek fëmijët. “Lerini fëmijët të vijnë tek un” u ishte drejtuar Ai shoqëruesve të tij. At Zefi e dinte se ata fëmijë me prejardhje të ndryshme do të ishin një brez tjetër, për të cilin ai duhej të jepte ndihmesën e tij që t’a shkëpuste nga mendësia kriminale e një shoqërie në të cilën kishin lindur. Në vizionin e së ardhmes së Vendit të tij ai brez lidhej me shpresën e zhvillimit e të ecjes përpara, të cilën At Zefi e shihte vështirësisht të sendërtuar nga ish ministrat apo funksionarët e komunizmit.
Gjatë viteve të demokracisë At Zef Pllumi mbeti një meshtar i thjeshtë që detyrës së tij të përditëshme i shton punën e madhe me shkrimet e me librat. Ai nuk u ngjit në hierarkinë kishtare edhe pse kishte një të shkuar që mund t’i jepte kambiale të bardha. Mbeti një famullitar, në vazhdën e etërve të tij shpirtërore që misionin e shërbyesit të Krishtit e ndanin me atë të shërbyesit të Kombit, kur në qetësinë e qelave të tyre studionin historinë, artin, folklorin, gjuhën, ligjet, kanunin, traditat e shqiptarëve. Në gjithë jetën dhe veprimtarinë e tij At Zef Pllumi e nderoi vatrën ku lindi. Sot ka ardhur koha që kjo vatër t’i njohë meritat e tij e t’a nderojë siç e meriton.
A do të ketë guximin Kryetari i Shtetit t’i akordojë medaljen “Nder i Kombit” “ armikut të popullit”, “klerikut reaksionar”, “agjentit të Vatikanit”, siç u quajt për pothuaj gjysëm qindvjeti At Zef Pllumi? Kur propozimi me firmat e mjaft qytetarëve të shquar do t’i shkojë mbi tryezën e zyrës së tij, me ç’sy do t’a lexojë, me atë të gjeneralit të komunizmit apo me atë të Kryetarit të Shtetit demokratik shqiptar që i ka besuar kryet e sofrës, ku duhet të ulen pa dallim të gjithë shqiptarët?A do të jetë në gjëndje ai dhe këshilltarët e tij të kalojnë Rubikonin e paragjykimeve klasore, me të cilët qenë mbrujtur që fëmijë? A do të pranojnë në vetëdijen e tyre se ata që e kundërshtuan komunizmin i bënë një shërbim më të madh këtij Vendi se sa ata që e sollën dhe e mbajtën gjallë për gjysëm shekulli?
Janë pyetje të cilave logjika e historisë u a ka dhënë përgjigjen e atyre, që duan të ecin me hapin e saj, s’u mbetet tjetër veçse të nxjerrin përfundimet.
Sa për medaljen në gjoksin tashmë të moshuar të At Zef Pllumit, më duket se ajo do të nderojë më shumë atë që do t’a akordojë, mbasi autori i “ Rrno për me tregue” është një monument i gjallë, të cilin kujtesa e Kombit do t’a ruajë me mirënjohje për shumë kohë.
Qershor 2006
Marrë nga vëllimi : “Përsiatje njerëzore, letrare, shoqërore, historike” OMSCA-1 Tiranë 2011