Nga Prof. Asoc. Dr. Dritan Egro
Duke bërë një vlerësim të historiografisë fetare të shqiptarëve deri në vitet e Luftës II Botërore prifti-historian italian Giuseppe Valentini e gjeti atë krejt të pamjaftueshme. Sipas tij, kishte shumë për të bërë në këtë fushë për të mbledhur burimet primare, kryesisht në arkivat osmane dhe ato italiane, por edhe dokumentet që gjendeshin në kishat dhe manastiret e Shqipërisë.
Pikërisht këtu qëndron edhe rëndësia e librit Famullitë e Ipeshkvisë së Shkodrës, i historianes Nevila Nika. Ai plotëson me lëndë të parë nga burimet arkivore vendase një vakum për territoret coreland të Katolicizmit në Shqipëri. Përmes regjistrave të vetë institucioneve katolike përftojmë një panoramë shumë të mirë të jetës së këtij komuniteti për segmentin kohor nga gjysma e dytë e shek. XVIII deri në dekadat e para të shek. XIX.
Punimi Famullitë e Ipeshkvisë së Shkodrës, i cili ka qenë punimi i doktoratës së studiueses Nevila Nika, shfrytëzon një kategori të rëndësishme dokumentesh, siç janë regjistrat e famullive, të cilat ndodhen në Arkivin Qendror të shtetit shqiptar. Autorja me plot të drejtë vë në dukje epërsinë që këto regjistra kanë krahasuar me kategoritë e tjera të dokumentacionit historik të kohës, siç janë udhëpërshkrimet e vizitorëve të ndryshëm, fetarë apo laikë, dhe dokumentacionin osman të kohës. Regjistrat e famullive janë dokumente vendore, të hartuara nga vetë institucionet fetare. Në këtë mënyrë ato shërbejnë si një bazë solide të dhënash për kushtet specifike nëpër të cilat kaloi jeta dhe aktiviteti i Kishës Katolike në viset shqiptare, madje në këtë rast në zemrën e saj, në rajonin e Shkodrës, e mbi të gjitha kur ajo gjendej nën sundimin e një perandorie që i përkiste një besimi krejt tjetër nga ai i saji.
Brenda suazës së një perandorie islame që shtrihej në tre kontinente komuniteti katolik shqiptar zinte një vend krejt periferik; po periferik ishte ai edhe brenda suazës së Kishës Katolike. Por për historinë fetare dhe kulturore të shqiptarëve historia e besimit të këtij komuniteti përbën një pjesë të qenësishme të historisë dhe kulturës kombëtare shqiptare.
Ky studim duhet të shërbejë si një shtysë e fuqishme që një punë e tillë të bëhet edhe për historinë e besimit ortodoks, islamit syni, atij Bektashi dhe protestant në tokat shqiptare. Njohja e historisë së tyre do të na ndihmojë të njohim jo vetëm historinë fetare të shoqërisë shqiptare, por edhe marrëdhëniet që ato kanë pasur me shtetin sundues, nga i cili jo pak ka qenë i varur fati i tyre historik. Mjafton të kujtojmë që shteti osman njohu zyrtarisht vetëm Kishën Ortodokse, duke e bërë atë pjesë të strukturës dhe të protokollit shtetëror osman, ndërkohë që Vatikani ishte dhe mbeti deri në fund i vetmi shtet që Perandoria Osmane nuk e njohu zyrtarisht asnjëherë, pasi e konsideronte si fuqinë e vetme shpirtërore dhe politike, e cila mund të organizonte kryqëzata kundër saj.
Fenomeni i islamizimit në rajonin e Shkodrës dhe posaçërisht në qytetin e Shkodrës lidhet me qasjen e veçantë që Perandoria Osmane i rezervoi këtij qyteti të vlerësuar si baza më e fuqishme e ndikimit venedikas në Ballkan. Menjëherë sapo e shtiu në dorë, në 1479, ajo e populloi qytetin me kolonë turq, duke realizuar kështu islamizimin e tij të plotë. Por ishin malësia dhe rrethet e saj ato që e ushqyen qytetin me popullsi katolike për shekuj me radhë.
Në fillim të shek. XVII Perandoria Habsburge fitoi të drejtën e protectorat cultus (mbrojtje fetare) ndaj katolikëve që jetonin në territoret evropianë osmane. Ky protektorat ishte i kufizuar në: mirëmbajtjen e kishave, arsimimin e klerit dhe mbrojtjen e kongregacioneve. Pra, në këtë rast njohja e historisë osmano-habsburge, natyrshëm që e bën më të plotë e më të saktë shkencërisht njohjen tonë për historinë e katolikëve shqiptarë që rezistuan në besimin e tyre, por që jetuan dhe vepruan brenda suazës së një perandorie me bosht fetar Islamin, dhe që gëzuan mbrojtjen shpirtërore (1606) e më pas kulturore (1856) të Perandorisë Habsburge.
Dokumentacioni themelor i këtij studimi i përket pikërisht periudhës kur në Shkodër sundoi familja dinastike e Bushatllinjve. Në përpjekjet e pinjollëve të kësaj familjeje për shkëputje nga Perandoria Osmane, ata i rezervuan një pozitë të veçantë klerit katolik, madje aq sa vetë peshkopi i Shkodrës, më 1 tetor 1793, i shkruante Vatikanit, se: “feja katolike lulëzonte nën sundimin e Kara Mahmutit”. Synimi i pashallarëve të Shkodrës ishte i qartë: të fitonin mbështetjen e grupeve të ndryshme fetare vendase, që kur të tentonin shkëputjen nga shteti osman dhe në krye të shtetit të ri të qëndronin vetë dhe më pas trashëgimtarët e tyre, përmes bashkëjetesës fetare të sundonte paqja dhe qetësia publike.
Libri që kemi në duar është bazuar strikt mbi dokumente. Ai shërben si për të zbuluar përmbajtjen dhe veçoritë e regjistrave të famillive, por po aq na bën me dije se ky lloj dokumentacioni është i vyer edhe për kontribute në fusha të tjera të kërkimit, si historia lokale (micro-history), historia e familjeve të mëdha katolike shkodrane, etj.
Ky studim mbart edhe një risi tjetër. Megjithë ndërprerjen që i bëri komunizmi, deri në fillimvitet ’90 barrën e shkrimit të historisë së besimit katolik në tokat shqiptare më së shumti e kanë mbajtur vetë klerikët katolikë. Me studiuesen Nevila Nika studimi i historisë së Katolicizmit në Shqipëri kalon në nivelin e studiuesve profesionistë. Kjo punë e filluar nga klerikët katolikë dhe e vazhduar nga historiania Nika duhet të thellohet edhe më tej e të shtrihet më gjerë në kohë.
Nevila e filloi karrierën e saj si arkiviste në Arkivin Qendror të shtetit. Por ajo nuk u mjaftua me kaq. Brenda institucionit zhvilloi një karrierë të lakmueshme që do ta kishte zili çdokush që punon në institucione të tilla, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, duke mbërritur deri në postin e drejtorit të përgjithshëm të këtij institucioni. Por ajo nuk u ndal me kaq. Dija e saj nuk mbeti vetëm në kuadrin e njohjes empirike të dokumenteve, por edhe të parashtrimit dhe të analizës së tyre. Gjatë gjithë karrierës e ndoqi pasioni i fortë për t’u marrë me punë shkencore e për t’u ngjitur në nivelin e historianit profesionist. Këtë sfidë tashmë të fituar ajo nuk e ka pasur vetëm me veten!
Shkenca e historisë dhe arritjet e saj sot nuk duhet të mbeten brenda mureve të institucioneve dhe qarqeve të ngushta akademike. Divulgimin e historisë, pra mbërritjen tek opinioni i gjerë i arritjeve më të mira shkencore të dijes historike në Shqipëri nuk mund bëjë çdo historian, për më tepër dikush që nuk ka tharm intelektual. Historiani-intelektual kërkon një formim solid filozofik e kulturor që vjen sa nga familja aq dhe nga shkolla; por po kaq edhe nga mjedisi intelektual që të ka rrethuar e të rrethon. Bijë profesori filozofie (Bujar Hoxha), e mbesë e një politikani të njohur (Hoxhë Kadri Prishtina) dhe e një intelektuali të spikatur (Ismet Toto), Nevila Nika ia ka dalë që profilit të historianit profesionist, t’i bashkëngjitë edhe profilin e intelektualit të spikatur publik./Gazeta Liberale