Aktualitet

Në 26 janar ngrihet institucioni anti-KÇK, ja dosjet që do shqyrtojë

Shkruar nga Liberale
Në 26 janar ngrihet institucioni anti-KÇK, ja dosjet që do

Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë, i cili do të hetojë shkeljet e gjyqtarëve dhe prokurorëve, do të ngrihet brenda datës 26 janar 2020. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi në 26 dhjetor të 2019 i ka përcjellë Kuvendit listën me pesë kandidatë për Inspektor të Lartë të Drejtësisë.

Shqiptarja.com shkruan se lista kryesohet nga Artur Metani me 89.6 pikë, ndjekur nga Eris Hysi 78.3 pikë, Joana Asimi Sorraj 72.5 pikë, Lindita Troja 63.4 pikë dhe Sokol Stojani 59 Pikë. Sipas ligjit për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, Kuvendi ka vjetëm 30 ditë kohë për të zgjedhur me shumicë të cilësuar njërin nga pesë kandidatët.

Ashtu si edhe për funksionarët e tjerë të drejtësisë, ligji parashikon që nëse Kuvendi nuk arrin që të zgjedhë Inspektorin e Lartë brenda 30 ditëve, kandidati i listuar i pari miratohet automatikisht. Në rastin konkret, Kuvendi duhet të zgjedhë deri në datën 26 janar njërin nga kandidatët, në të kundërt, nga data 26 janar Artur Metani do të drejtorë Inspektoriatin për 9 vjet, pa të drejtë riemërimi.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë është autoriteti i vetëm përgjegjës për verifikimin e ankesave, hetimin e shkeljeve disiplinore dhe për fillimin e procedurës disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve.

Kryeministri Rama i ka  quajtur prokurorët dhe gjyqtarët si 'KÇK', 'kap çfarë të kapësh', pasi sipas tij japin me vendime arbitrare, duke përfituar nga pozicioni i tyre.

Ende pa u ngritur ILD, Komisioni i Vetingut ka vendosur të referojë për verifikim për shkelje të mundshme 12 gjyqtarë dhe prokurorë. Ata janë Besnik Cani dhe Kostaq Beluri anëtarë të KLP, anëtarja e KLGJ Brunilda Kadi, prokurorët Besim Hajdarmataj, Vladimir Mara, Dritan Peka, Alma Muça, Eloida Goxhi, Esmeralda Keshi (Cami), Zeqir Hoda, kryetari i Administratives së Apelit Tiranë Kastriot Selita si dhe kryetarja e Gjykatës Pogradec Emona Muçi.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH