Policia e Durrësit ka nisur procedimin penal ndaj 3 inspektorëve të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Durrës, pasi akuzohen për shpërdorim detyre.
Po ashtu, po procedohet penalisht edhe një 63 vjeçar, pasi dyshohet se ka ndërtuar një objekt pa leje në vlerën 70 000 €, me para të ardhura nga veprimtari kriminale
Njoftimi i policisë
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës kanë filluar procedimin penal në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” ndaj tre Inspektorëve të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Durrës, konkretisht: S. M., 43 vjeç, B. M., 37 vjeç dhe D. M., 35 vjeç, banues në Durrës.
Nga verifikimet e kryera nga ana e specialistëve të krimit ekonomik ka rezultuar se shtetasit e mësipërm, megjithëse kanë kryer dhe kanë mbajtur procesverbalet e konstatimit dhe të prishjes së objekteve të ndërtuara në mënyrë të paligjshme në zonën e Manzës, Durrës, nuk kanë marrë masa për prishjen e tyre.
Gjithashtu, ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin Gj. Z., 63 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, pasi dyshohet se ka ndërtuar një objekt pa leje në vlerën 70 000 €, me para të ardhura nga veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme./Gazeta Liberale