Editorial

Ndaj të njëjtin mendim me DiCaprion, por për një tjetër arsye!

Shkruar nga Liberale
Ndaj të njëjtin mendim me DiCaprion, por për një tjetër

Gentian Kaprata

Urbanism & Democracy

Ylli Hollivudian, Leonardo DiCaprio, ditët e fundit na bëri ‘krenar që jemi shqiptarë’ kur shpërndau në faqen e tij të instagramit një shkrim të ‘The Associated Press’ të shoqëruar me një video të lumit tonë Vjosë. Statusi i këtij autoriteti global që shprehej për një element lokal të vendit tonë të vogël, përveçse na bëri të ndiheshim më të rëndësishëm edhe na kënaqi pa masë. Veçanërisht sepse ishte kundër një veprimi të Rilindjes, në një kohë kur qeveria dhe shoqëria jonë janë duke udhëtuar në drejtime diametralisht të kundërta. Qeveria me vepra dhe shoqëria me fjalë kundër veprave të saj, po marshojmë drejt asgjësë absolute, ç’ka i jep një vlerë shumëfishe në perceptimin publik “opozitarizmit” të z. DiCaprio për këtë veprim të qeverisë.

Për të qenë të sinqertë, nga ky postim instagrami, nuk u ndjeva i përkëdhelur në identitetin tim kombëtar. Do të kisha preferuar që kombi apo vendi im të përmendeshin për gjëra që i kemi arritur vet, me punë e përpjekje; dhe jo për gjëra që na i ka dhuruar natyra, sikurse është lumi i egër i Vjosës. Por gjithashtu, nuk u ndjeva as i mbështetur në identitetin tim si urbanist polemizues me qeverisjen, sepse qasje të tilla si kjo e fituesit të “Oscar” na mbajnë në kurthin e asaj që latini do ta quante infinita disputandum, dhe që në shqip do të thotë ‘debat i pafund’!

Togfjalëshi ‘debat i pafund’, veçanërisht kur është midis qeverisë dhe shoqërisë, sikurse janë të shumtë kohët e fundit, nuk e ka të keqen te fjala apo koncepti ‘debat’. Për shoqëritë moderne (bashkëkohore) debati është një nga parimet më të rëndësishme të funksionimit të tyre, dhe një nga karakteristikat që e diferencojnë nga shoqëritë e tjera. Prandaj, si artikulli i shkruar nga prestigjiozja ‘The Associated Press’ ashtu edhe shpërndarja e tij nga artisti dhe ambientalisti Leonardo DiCaprio, është i mirëseardhur për vendin tonë të vogël të halleve të mëdha. E keqja qëndron te ‘pafundësia’; zgjatja në pafundësi e një debati nuk prodhon dot një vendimmarrje, dhe mos vendimmarrja na mban në vend, ndërkohë që ne kemi domosdoshmëri të ecim me shpejtësi.

Pohimi i mësipërm ka kuptim për vendet perëndimore, se për Shqipërinë, veçanërisht për Shqipërinë nën “Rilindje”, valenca negative e konceptit ‘i pafund’ sjell dëme shumë më të mëdha se mbetja në vend numëro. Për Shqipërinë, dhe gjithmonë e më pak vende si ajo, debati nuk vazhdon në pafundësi për të njëjtën temë. Për Shqipërinë, veçanërisht nën Rilindje, debati mbetet konstant dhe në vazhdimësi, por ndryshojnë temat, të cilat gjithmonë i sjell qeveria dhe gjithmonë i fiton ajo. Bile qeveria sjell tema të reja për debat - nganjëherë edhe duke e vet-krijuar “zërin kundër” - sa herë dhe at’herë kur ka vendosur të mbyllë, me fitoren e saj, debatin ekzistues.

A ju kujtohet debati për Pedonalen “Skënderbej”, që u harrua nga Këndi i Lojërave për fëmijë te Parku i Liqenit, i cili u harrua nga “Arena Kombëtare”, e cila u harrua nga Unaza te “Astir”, e cila po rrezikon të harrohet nga “Teatri Kombëtar”, e kështu në vijim?! Të gjitha lotët e ‘debatit të pafund’, deri tani, janë fituar nga Rilindja, bile ato i kanë shërbyer asaj edhe si “argumente” pse “e vërteta” e tyre është më e mira për vendin. Mora shembullin e Rilindjes në Tiranë, sepse është gjerësisht më i njohur, por mund të kisha marrë shembuj pafund nga Rilindja qendrore, përfshirë edhe këtë për hidrocentrale apo aeroporte, që ka nisur nga veriu i vendit e po zbret në jug.

Ky është kurthi ku na ka futur kasta dhe ambientalistët, urbanistët dhe pensionistët e saj. Ky kurth na mban në “demokraci” përderisa jemi në “debat” me qeverinë, dhe në të njëjtën kohë qeveria merr vendimet që i interesojnë asaj.

Kurse “arbitri” ndërkombëtar nuk e ka të vështirë të mbaj anën e qeverisë, përderisa ‘edhe në vendet e tyre demokratike ka pakica që kundërshtojnë projektet e mëdha të zhvillimit, por në fund të fundit interesi i shumicës duhet, dhe, triumfon’.

Përtej demokracisë së ‘debatit pafund’ midis shoqërisë dhe qeverisë, ku fiton gjithmonë kjo e fundit, bota perëndimore njeh dhe aplikon edhe Republikën e respektimit të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit. Në një organizim të tillë shoqëror partitë: garojnë me ide politike të qarta për publikun; kur vijnë në pushtet, i kthejnë këto ide në politika sektoriale zhvillimi; dhe më tej, këtyre politikave u japin kuptim gjeografik nëpërmjet proceseve planifikuese territoriale ku përfshihen të gjitha grupet e interesuara apo të prekura nga zhvillimi i propozuar nga planifikimi.

Ky quhet planifikim hapësinor dhe territorial, dhe është një shkencë që vet-zhvillohet dhe ndihmon zhvillimin e botës moderne prej qindra vitesh. Nëse ne do të fillojmë ta përfshijmë këtë shkencë në kulturën tonë qeverisëse, kuptimit të ‘debatit pafund’, ku qeveria fiton gjithmonë i vjen fundi, sepse produkti përfundimtar i këtij planifikimi (planet e zhvillimit) përfshin edhe mendimin apo interesin e ‘grupeve të zëshme në minorancë që pengojnë shumicën e heshtur’. /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH