Aktualitet

Ndahet nga jeta Musa Ramadani, shkrimtari fitues i çmimit "Kadare"

Shkruar nga Liberale

Shkrimtari dhe dramaturgu kosovar, Musa Ramadani është ndarë sot nga jeta në moshën 76-vjeçare.

Homazhet për nder të jetës dhe veprës së tij do të mbahen ditën e mërkurë, në hollin e Teatrit Kombëtar, Prishtinë, duke filluar prej orës 10:30 deri në 12:00, ndërsa akademia përkujtimore do të mbahet në orën 12:00.

Musa Ramadani, shkrimtar, dramaturg, kritik arti, është fitues i edicionit të tretë të çmimit "Kadare", në maj të 2017-ës, gjatë Ditëve Letrare të Razmës.

Ka qenë ish-ministri francez i Kulturës, Frederic Miterrand i cili shpalli fituesim me motivacionin: “Musa Ramadani me “Profeti nga Praga” ka sjellë një roman të veçantë si për nga forma, ashtu dhe nga përmbajtja. Duke qenë i strukturuar në tregime të lidhura fort me njëra-tjetrën, “Profeti nga Praga” shpërfaqet si një mozaik rrëfimesh dhe kolazh teknikash narrative, një roman për letërsinë si tekst kënaqësie dhe akt përjetësie, ku krijuesi shpaloset si një libër i hapur ndaj konteksteve dhe konotimeve të ndryshme”.

“Çmimi Kadare” 2017 u akordua nga Instituti Europian Pashko me mbështetjen e Universitetit Europian të Tiranës.

Kush është Musa Ramadani:

Musa Ramadani (1944-) u lind në Gjilan të Kosovës. Si fëmijë, bashkë me familjen, nga pushteti i atëhershëm, u deportua në Prizren, ku ka përfunduar një pjesë të shkollimit fillore, për ta vazhduar më pas në Gjilan. Ka përfunduar studimet në Shkollën e Lartë Pedagogjike – Dega e Letërsisë dhe e Gjuhës shqipe në Prizren.

Nga viti 1965 ka qenë gazetar, recensent teatror dhe redaktor i rubrikës së kulturës në gazetën “Rilindja”. Shkrimet e para i botoi te revista “Jeta e Re” dhe te javorja “Zëri i Rinisë”. Çmimi i parë për poezi dhe ai i dyti për prozë, në konkursin letrar zhvilluar në vitin 1968 në Kosovë, e motivuan që t’i përkushtohet letërsisë.

Është laureat i çmimit “Hivzi Sylejmani” për librin “Satana ma vodhi gurin e urtisë” më 1987, i çmimit të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës për librin “Inamor: 55” në vitin 2000, i Çmimit “Beqir Musliu” për vepër karriere më 2006 dhe i Çmimit Kombëtar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli” më 2013.

Ka një krijimtari letrare intensive prej ‘69-s dhe deri sot. E njëjta gjurmë, pandërprerë në poezi e prozë, e cilësuar si letërsi e erudicionit të thellë, me element moderne dhe postmoderne, por ka një pasuri letrare më vete edhe në shkrimin e dramës.

Veprat e tij në prozë janë: “Romani pa Kornizë”, roman (1975), “Fluroma”, tregime (1978), “Zezona”, roman (1978), “Ligatina”, roman (1983), “Satana ma vodhi gurin e urtisë”, tregime (1987), “Vrapuesja e Prizrenit”, roman (1995), “Antiprocesioni”, roman (1997), “Inamor: 55”, minitregime (2000)./Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH