Policia greke ka dhënë sot të dhëna të tjera për operacionin e sekuestrimit të mbi 1 ton droge dhe prangosejs së skafistëve shqiptarë që e transportonin me dy gomone. Në një deklaratë për mediat policia greke ka bërë me dije se “Bëhet fjalë për shkatërrimin e një rrjeti kriminal të trafikut të marijuanës nga Shqipëria në Turqi dhe trafikut të heroinës nga Shqipëria në Turqi”.
“Në datën 25 shtator jemi njoftuar për dy gomone që po tentonin të transportonin drogë në brigjet e Turqisë. U organizua operacioni nga policia dhe roja bregdetare me 10 skafe, 1 helikopter dhe 1 avion si dhe 2 avionë të FRONTEX në verilindje të detit Egje. Operacioni rezultoi në kapjen e një gomoneje dhe arrestimin e 3 personave që ndodheshin në të, të moshës 25, 42 dhe 42-vjeç. Në datën 29 shtator, u zbulua një gomone tjetër me një shtetas në të, në zonën detare të Agistrio. U arrestua skafisti 35-vjeç. Për të njejtën çështje janë në kërkim edhe dy shtetas të tjerë”– thekson policia.
Sipas policisë, grupi kriminal zgjidhte gomone që kanë mundësi të transportojnë sasi të mëdha droge, motorrë të shpejtë dhe skafistë të zotë. Ata zgjidhnin të lundronin në ditë me vranësira dhe erëra të forta dhe det mbi 5-6 ballë.
Më tej, policia bën me dije se në datën 30 shtator, në ishullin Piperi u gjetën dhe u sekuestruan 106 pako me 1 ton e 172 kg marijuanë. Aktualisht, 3 të arrestuarit e parë kanë marrë masën e sigurisë “Arrest në burg”.