Universiteti Europian i Tiranës kujtoi të enjten me një forum të organizuar në mjediset e saj 15-vjetorin e licensës së parë të dhënë për programet “Master”.
Në praninë e ish-Ministrit të Arsimit Genc Pollo, akademikë, pedagogë dhe bashkëpunëtorë të UET-së diskutuan për zhvillimin që shënoi kjo periudhë e “Sistemit të Bolonjës” si dhe për të ardhmen e edukimit në tërësi.
Ishte viti akademik 2008-2009 kur në UET filloi programi i parë Master duke nisur një proces në pararojë për sa i përket edukimit dhe po kështu formimit të akademikëve apo profesionistëve të së ardhmes. Deri në atë kohë në Shqipëri njihej më së shumti praktika e ashtuquajtur e “specializimeve” ndërsa studentët që vijonin studimet pajiseshin me diploma që quheshin “të studimeve të thelluara”.
Pas miratimit të “Kartës së Bolonjës” dhe implementimit të sistemit të saj, në Shqipëri nisi mjeshtërimi i mëtejshëm i dijes duke u ndarë në strukturën që njihet dhe sot për ciklet e studimit Bachelor dhe Master.
“Ishte rastësi kohore do të thoja, që kur mora detyrën e Ministrit të Arsimit, ishin pjekur të gjitha kushtet ligjore edhe të brendshme edhe të jashtme për të adoptuar sistemin e Bolonjës. Kishte shumë aspekte dhe ai që më tërhoqi më shumë vëmendjen ishte... po e them me gjysmë-thonjëza... euorpianizimi i arsimit të lartë,” – kujtoi ish-Ministri Pollo.
Në dy vitet e para të studimeve të ciklit e dytë, interesimi ishte i jashtëzakonshëm ku në UET pati rreth 800 studentë që ndiqnin studimet për një nga shtatë programet e ofruara sokohe.
Prej atëherë UET ka pritur rreth 11,500 studentë master duke diplomuar rreth 7,300 prej tyre. Sot shumica prej tyre dallojnë në karrierat përkatëse, ndërsa UET kujton me krenari kontributorët e këtij rrugëtimi.
“[...] Ndoshta media ka bërë punën e vetë dhe në kujtesën e publikut më shumë mund të kenë mbetur rastet e skandaleve [...] por ajo që ndoshta harrohet, por lipset të thuhet dhe të mbetet në kujtesë është që ka patur, në atë kohë dhe në vitet mbasi unë lash ofiqin e Ministrit, regjistrime të universiteteve që i kanë bërë një shërbim të mirë këtij vendi,” – vijoi ish-Ministri Pollo.
Pesëmbëdhjetë vite më vonë, sistemi i arsimit të lartë në Shqipëri përballet me tkurrjen e popullsisë dhe uljen e numrit të studentëve. Nga rreth 50 mijë maturantë që konkurruan për studime të larta në vitin 2010, vitin aktual pati rreth 29 mijë.
Për këtë sfidë zgjidhja konkrete për institucionet e arsimit të lartë duket të jetë ndërkombëtarizimi.
Kështu “në moshën 15-vjeçare” Masteri në UET duhet të kalojë “një adoleshencë të vështirë” për t’u pjekur më pas në një stad tjetër zhvillimi, siç është prespektiva për t’iu hapur botës me programe dhe cikle studimi të standardeve ndërkombëtare.
Fushata e 15-vjetorit të “fenomenit Master” në UET do të vijojë me evente të tjera gjatë javëve në vazhdim, deri atëherë le të përgëzojmë “adoleshentin 15-vjeçar Master në UET”.