Polis

Master Class, UET/ Haxhimurati: Jeni autentik që brand-i të mos harrohet

Shkruar nga Liberale

Ish-studenti i UET, tashmë CEO kompanie, rrëfeu për studentët ‘sekretet’ e profesionit të dizajnit

Nga Luiza Pinderi

Ka startuar këtë të premte në Universitetin Europian të Tiranës projekti më i ri, Master Class, një cikël takimesh dhe leksionesh me personazhe të mediave, komunikimit dhe marrëdhënieve publike. Kjo nismë e organizuar nga Departamenteti i Shkencave Humane dhe Komunikimit, vjen në kuadër të MediaLab, laboratorit të UET që mundëson aftësimin profesional të studentëve të kësaj fushe, për të njohur më nga afër profesionin e tyre dhe për të qenë më të informuar dhe përgatitur në përballjen e së nesërmes me tregun e punës.

I ftuari i parë i Master Class ishte ish-studenti i UET-së, Agi Haxhimurati, i diplomuar në vitin 2014 në programin Komunikim-Dizajn, ndërkohë që tashmë është CEO dhe Drejtor Kreativ i kompanisë që ka themeluar, Agi Haxhimurati LLC. Përgjegjësia e Departamentit të Shkencave Humane dhe Komunikimit, Belinda Budini, e cila moderoi takimin, tha se Haxhimurati është personazhi më i mirë për t’i dhënë përmbajtjen, formës së këtij cikli, pasi mishëron rastin dhe aspiratën që ka UET për pjesën e kreativitetit dhe lidhjen me tregun.

“Ju jeni si një lloj pinoeri i këtij tregu dhe këtu ndiej krenari kur e them, sepse një studenti ynë që krijon një treg për veten, për këtë fushë, për këtë specialitet që vjen nga ne, lidhet në mënyrë xhenuine me atë që aspirojmë ne si institucion dhe që çdo universitet e aspiron dhe që është pjesa e kreativitetit, novacionit, edhe e lidhjes me terren- praktik, me treg”, u shpreh Budini.

Pavarësisht kohës jo shumë të gjatë në treg, Agi Haxhimurati ka spikatur shpejt nëpërmjet kreativitetit, projekteve të realizuara dhe pozicioneve që ka mbajtur. Ai ka qenë bashkëthemelues dhe Drejtor Kreativ në "Hardh Fest", si dhe i Bunk’Art 1 dhe Bunk’Art 2. Gjithashtu, ka bashkëpunuar ngushtë me shumë kompani, si ekspert i kësaj fushe me shumë brande dhe kompani kombëtare dhe ndërkombëtare. Një rrugëtim i lakmueshëm për çdo student të komunikimit dhe dizajnit. Dhe pikërisht, këtë trajektore të ndjekur prej tij, Haxhimurati e ndau me studentët e UET-së, jo vetëm për t’ju treguar ‘sekretet’ e profesionit, por pse jo për të qenë një model inspirues në fushën të cilës i përket.

Doja një profesion që të mos flija gjithë natën për të, ose të zgjohesha nga dashuria për të. Nuk doja një profesion të mërzitshëm, që çdo ditë merret me të njëjtat gjëra, me të njëjtë njerëz, numra, etj. Doja diçka sfiduese, për të cilën të punoja pa fund dhe mos kisha një orar të kufizuar. Hulumtova në internet për UET dhe gjeta programin Komunikim- Dizajn”, u shprehi ai.

Më tej ai tregoi, se në UET mori thelbin e dizajnit nga një profesor, këshillën e të cilët e mban gjithmonë me vete, në çdo projekt që ai krijon.

Deri në atë moment unë dizajnoja gjërat që të dukeshin bukur dhe aty më ndryshoi perceptimi, kur profesori më sugjeroi të përqendrohesha te koncepti, si një gjë që mbetet dhe jeton gjatë. Prandaj fillova të fokusohesha tek koncepti, që punët tona, edhe kur mos jemi ne fizikisht, të jenë aty përgjithmonë”, rrëfeu Haxhimurati.

Do të ishte pikërisht një takim i kësaj natyre, si Master Class dhe aktiviteteve që UET zhvillon në vazhdimësi, që do t’i hapte rrugën e punësimit. “Gjithçka ka nisur nga lëndët e praktikës në UET. Ka qenë dikush i ulur në vendin ku unë jam sot, që ka shpjeguar për marketingun online në atë kohë, pasi unë merresha me këtë pjesë kur isha student dhe punoja part- time në një kompani. Gjatë kohës që ai shpjegonte, unë i kam bërë korrigjime nga auditori disa herë, pa qëllim të keq. Kur mbaroi leksioni, ai më ka pritur te dera dhe më kërkoi një kontakt, pasi po formonin një kompani italiane dhe ishin të interesuar për një pozicion goxha të lakmueshëm në atë kohë, me pagë të lakmuar. Pasi u themelua kompania, degëzim i një kompanie italiane dhe pastaj jemi marrë me fushata të ndryshme, për çështje të ndryshme”, tregoi më tej.

Sigurisht që spikatja nuk erdhi nga hiçi. Janë dashur vite punë dhe projekte të ndërmarra. Agi Haxhimurati tregoi se ka filluar që në shkollë të mesme të bëjë punët e tij të para, edhe pse amatore. Po ashtu ka punuar falas për një periudhë kohe në mënyrë që të formonte portofolin e punimeve,  si një lloj ‘pasaporte’ të talentit dhe kreativitetit të tij, me të cilën do të prezantohej në të ardhmen.

“Në degën tonë, përveç diplomës është i rëndësishëm portofoli. Sepse kur të shkosh për punë nuk të pyesin ku ke studiuar, por çfarë ke bërë. Kjo bëri që të më propozohej pozicioni i drejtorit. Nuk është se e prisja, por ama kisha lexuar një shprehje që thoshe: “Anjëherë mos i thuaj jo asgjëjë. Edhe nëse keni frikën më të madhe në botë, do e mësoni gjatë rrugës”. Kjo më bëri ta pranoj, pavarësiht se 50% të punë e kam mësuar gjatë rrugës. Në 2014 më kanë propozuar Bun’Art 1, në Tufinë, që se kisha idenë ku i binte. Ka qenë një projekt shumë i çuditshëm për mua dhe as që e kisha idenë që do të shpërthente nëpër media botërore dhe që aty u hapën ato ‘dyert e mëdha’, njerëzit filluan të vinin tek ne, rrjeti i kontakteve filloi të zgjerohej dhe pastaj duhet të dije si ta mbaje atë rrjet”, tregoi ai.

Sepse tashmë ai ishte kthyer në një brand. Sipas tij, brand-i nuk është një logo, një dizajn apo një font, por gjithsecili është një brand në vetvete, në mënyrën sesi e shohin dhe njohin të tjerët, në mendimin që kanë për të. Në këtë kontekst, Haxhimurati këshilloi studentët që të shmangnin një gabim që bëjnë shumica.

“Gjëja që duhet të shmangësh është që të mos të punosh që t’ju pëlqesh të gjithëve. Ky është gabimi më i madh tek ne. Puno që të jesh autentik, sepse vetëm ashtu mund të mbahesh mend për brand-in që je. Njerëzit mund të mos pajtohen me ty në fillim, por me kohë edhe mund të pajtohen. Brande të suksesshme janë ato që prodhojnë kulturë, jo që përshtaten me kulturën e njerëzve”, tha ai. Lidhur me kompaninë që drejton dhe që mban emrin e tij, ai tregoi edhe arsyen pse ka bërë këtë zgjedhje.

“Gabimi që kam mësuar gjatë rrugës, është që në profesionet që kanë të bëjnë me krijimin, kompanitë duhet të marrin emrin tënd, edhe pse duket egoiste. Sepse njerëzit duhet të punojnë me individin, jo me muret e kompanisë. Nuk duan të kenë barriera”, teksa shtoi se tashmë bashkëpunëtorët janë të shumtë, brenda dhe jashtë territoreve shqiptare me projekte ambicioze që premtojnë edhe vazhdimësi.

Profesioni ynë është i ri dhe shpërndahet njësoj gjithandej. Unë kam dy brand-et e mia në Florida, pavarësisht se nuk kam qenë asnjëherë aty. Pra, brand-et e mia udhëtojnë fizikisht më shumë sesa unë. Ko është një nga kënaqësitë më të mëdha, kur ti udhëton dhe viziton brand-et e tua”, u shpreh Haxhimurati.

Master Class do të sjellë në vijimësi profesionistë të njohur dhe të suksesshëm brenda fushës së komunikimit, për të njohur më afër studentët me elementët praktikë në profesionet që kanë zgjedhur.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH