Aktualitet

Mallkimi 12 vjeçar i një aleance për (MOS)ndryshim!

               Publikuar në : 21:13 - 25/02/21 liberale

Alfred Peza

Kishte kohë që trumbetohej se do të ishte koalicioni më i madh opozitar në historinë e pluralizmit, për të rrëzuar Edi Ramën dhe PS nga pushteti në zgjedhjet e 25 prillit, por rezultoi thjeshtë një kopje e “Aleancës për Ndryshim”. Një emërtim i vjetër, i përdorur nga PD edhe këtu e 12 vjet më parë, në zgjedhjet e 2009. E si atëherë, edhe tani, LSI nuk është pjesë e saj. Duke dashur që të përsërisin sërisht të njëjtën skemë, kur bashkëqeverisën deri më 2013, duke i bashkuar votat pas zgjedhjeve!

Historia na ka mësuar, se ajo vërtetë përsëritet, por herën e dytë thjeshtë si komedi. Kaq mjafton për të kuptuar se edhe me teori propabiliteti, ujërat nuk mund të rrjedhin sërisht mbi të njëjtat guriçka, çka do të thotë se këtë radhë, jemi përpara një dështimi të paralajmëruar nga PD dhe LSI. Pa llogaritur që në këtë lojë të re, janë po të njëjtët aktorë politikë të vjetër, që sot janë akoma edhe më të lodhur.

Nëse “Aleanca” e 2009 solli vërtetë “ndryshimin”, kjo e 2021, i ka të gjitha shenjat që të jetë e (MOS)ndryshimit:

Së pari, kur PD e regjistroi herën e parë koalicionin “Aleanca për Ndryshim”, sapo ishte miratuar (2008) ligji i ri elektoral. Sistemi zgjedhor që hyri në fuqi, favorizonte atë që në gjuhën e politikës u quajt, “treni me sa më shumë vagonë”. Nuk kishte rëndësi sesa “udhëtarë” kishte secili prej vagonëve (partive të vogla aleate). Sepse në fund, të gjitha “biletat” e tyre mblidheshin dhe përmes tyre, “trenisti” (Berisha) siguronte më shumë mandate për “lokomotivën” (PD).

Pra 12 vjet më parë, formula e llogaritjes së mandateve nga ana e KQZ, favorizonte partinë mëmë të koalicionit (PD) që të fitonte përmes kësaj “hileje” më shumë mandate deputetësh sesa ajo kishte peshë reale politike dhe vota në terren. Me pak fjalë, në zgjedhjet e 2009, ishin partitë e vogla ato që furnizuan me vota PD duke bërë që të fitonte më shumë mandate. Ndërsa në zgjedhjet e këtij viti, sistemi i ri me koalicione parazgjedhore (2020), bën të kundërtën.

Duke i futur kryetarët e 15 partive të tjera më të vogla, si kandidat për deputetë në listën e saj, është PD ajo që humbet. Sepse ende pa hyrë zyrtarisht në fushatë, PD ka teorikisht 15 mandate më pak sesa ka vota reale në terren. Sepse ato po i jepen që tani apriori kryetarëve të partive të vogla, të cilët janë “emëruar” deputetë pa hyrë në garë. Kjo e dobëson PD dhe demotivon strukturat e saj sepse me votat e tyre, do të shkojnë në Parlament, kryetarët e përjetshëm të partive pa elektorat.

Edhe kaq do të mjaftonte për të kuptuar se Aleanca e kësaj radhe e krijuar nga PD, ndryshe nga ajo e 12 viteve më parë, është e (MOS)ndryshimit. Sepse vetëm po të jesh Lulzim Basha, mund të presësh matematikisht të njëjtin rezultat elektoral, në dy kohë të ndryshme dhe me dy sisteme krejt të kundërta zgjedhore!

Së dyti, edhe brenda vetë listës së partive aleate ka aq shumë qasje të kundërta programore, politike, ideologjike, elekorale e historike sa vektori rezultant në fund do shënojë një rezultat më të vogël sesa mund të ishte aritmetikisht. Më shumë sesa për programin dhe filozofinë, Lulzim Basha është kujdesur për gjatësinë e “vagonëve”. Të cilat në vend që të shtyjnë, ecin në të kundërt duke frenuar dhe bllokuar njëra tjetrën.

Sesi mund të rrijnë bashkë partitë thellësisht të majta, me ato të së djathtës së re dhe asaj historike, këtë vetëm kandidati i opozitës për Kryeministër mund ta dijë. Sesi mund të rrijnë bashkë në një koalicion edhe PDIU edhe PBDNJ, edhe Shpëtim Idrizi edhe Vangjel Dule, këtë vetëm Lulzim Basha mund ta dijë. E sigurtë është që elektoratet e tyre, janë aq të kundërt, sa në vend që të bashkohen do të ndahen akoma edhe më shumë.

Së fundi, kjo lojë kontraverse do kishte vlerë vetëm në një rast: Nëse Lulzim Basha do të ishte ai lideri që do ia dilte ti bënte bashkë të gjitha partitë e tjera përballë PS. Por edhe të gjithë aktorët dhe faktorët e tjerë opozitarë, që të ishin sëbashku, në një front. Me të vetmin synim madhor politik dhe elektoral: Të maksimizonin votën përballë mazhorancës qeverisëse. E në fletën e votimit, të ishin vetëm dy alternative: Ose pro, ose kundër Edi Ramës!

Vetëm në këtë rast 25 prilli do shndërrohej vërtetë, në një referendum, siç ka aq shumë dëshirë që ta cilësojë ditën e zgjedhjeve Ilir Meta. Por kur PD nuk e gjeti dot gjuhën, qoftë edhe me LSI që do dalë me listë të vetën, dëshmon sesa larg të qenit një “Aleancë për Ndryshim” është ajo e Lulzim Bashës këtë radhë. Për aq kohë sa për liderët, interesat e partisë janë mbi ato të popullit opozitar, kuptohet që (MOS)ndryshimi sapo është firmosur!

Tags:


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back