Pas barazimit pa gola mes Shqipërisë dhe Serbisë në “Arenën Kombëtare”, trajneri i Serbisë, Dragan Stojkoviç, është rikthyer të sqarojë komentet e tij të mëparshme për atmosferën e ndeshjes, të cilat ndezën diskutime të shumta në media, veçanërisht në ato serbe.
Stojkoviç theksoi se qëllimi i tij nuk ishte të bënte deklarata politike, por të përshkruante ndjesinë që përjetoi si trajner gjatë një ndeshjeje me ngarkesë të lartë emocionale dhe sportive. Ai e krahasoi atmosferën me atë të derbit të famshëm argjentinas mes Boca Juniors dhe River Plate, duke nënvizuar intensitetin dhe pasionin që shoqëroi sfidën.
“Unë nuk jam politikan. Fola për një atmosferë futbolli, si në ndeshjet mes Boca Juniors dhe River Plate në Argjentinë. Nuk është e nevojshme të më japë kush leksione për patriotizmin. Dua të udhëheq Serbinë dhe këta djem me krenari,” u shpreh ai.
Tekniku serb lavdëroi organizimin e ndeshjes, duke e cilësuar si “fenomenal nga ana logjistike” dhe falënderoi pritjen e bërë në Shqipëri, duke shmangur çdo tentativë për të ushqyer tensione të panevojshme.
Pavarësisht debatit të ndezur në opinionin publik, Stojkoviç zgjodhi të fokusohej te aspekti sportiv, duke analizuar paraqitjen e skuadrës së tij në fushë dhe duke theksuar se prioriteti i tij është gjithmonë performanca dhe progresi i Serbisë në fushën e lojës.