Fundjava që lamë pas ishte e suksesshme për lojtarët e kombëtares shqiptare, të cilët po bëjnë mirë me skuadrat e tyre. Ashtu siç tanimë është bërë e zakonshme, Rey Manaj ka shënuar një tjetër gol me Sivasspor në kampionatin turk. 27-vjeçari numëron 18 gola të shënuar, 14 në kampionat dhe 4 në kupë. Edhe këtë herë në përballjen me Pendikspor, lushnjari rezultoi një lojtar kyç duke shënuar golin e 3-të në fitoren 4-1 në shtëpi.
Në përfundim ishte trajneri Bulent Uygun i cili i thuri elozhe futbollistit të kombëtares shqiptare, duke pohuar se ai vlen plot 15 milionë euro, e çdo skuadër e interesuar mund të hyjë në tratativa me këtë pagesë. Kujtojmë se Sivasspor e mori Manajn si futbollist të lirë dhe fitimi në një lëvizje të tillë do të ishte i madh.