Mbrëmja Gala “Topi i Artë 2024” u mbajt sot në Teatrin e Operas dhe Baletit.
Bekim Balaj mori tre trofe me vete si “Topi i Artë”, “Këpuca e Artë” dhe sulmuesi më i mirë qendror në formacionin e vitit. Ermir Rashica u përzgjodh talenti i vitit ndërsa Edlir Tetova si trajneri më i mirë për 2024-ën.
Pati momente të veçanta, një ndër to kur trajneri Silvinjo këndoi së bashku me vajzën e tij Tati. Gjithashtu u prezantua maskota e Shqipërisë “Alban”. Nuk munguan as videomesazhet nga Ceferin dhe Infantino.
Gaizka Mendieta përshëndeti të pranishmit dhe uroi Franjën e të gjithë fituesit e tjerë të këtij edicioni të “Topit të Artë”. “Është nder të jem sot këtu. Përgëzoj fituesit dhe i them të vazhdojnë të frymëzojnë të rinjtë. Përgëzoj Federatën për punën”.
Ylber Ramadani zgjidhet “zemra” e Shqipërisë, çmimin ja jep kryeministri Edi Rama. Ky çmim prestigjioz, përzgjedhur nga stafi teknik i Kombëtares, nderon shpirtin e tij të jashtëzakonshëm të garës, pasionin e madh për fanellën kuqezi dhe përkushtimin maksimal në çdo ndeshje.
Lojtari më i mirë i vitit për Kombëtaren shqiptare është zgjedhur kapiteni Berat Gjimshiti. Trofeun e merr nëna e tij nga trajneri Silvinjo.
Pablo Zabaleta i dha Edlir Tetovës çmimin trajner i vitit. “Një falënderim shumë i madh shkon për presidentin e federatës për këtë super event dhe për klubin Egnatia me në krye Demrozi. Falenderim që më dhatë këtë mundësi dhe falënderim shumë i madh për çunat e palodhur, pa ju nuk do isha këtu sot”, deklaroi Tetova.
Sulejman Mema zbulon formacionin më të mirë të vitit 2024. Alen Sherri, Edison Ndreca, Arbenit Xhemajli, Renato Malota, Arsid Kruja, Arbin Zejnullai, Albano Aleksi, Arinaldo Rrapaj, Baton Zabërgja, Bekim Balaj, Ermir Rashica.
Talenti i Vitit 2024 për djem zgjidhet Ermir Rashica.
Talentja e Vitit 2024 për vajza zgjidhet Xhesika Ndoj. “Jam shumë e emocionuar për këtë çmim. Falenderoj ekipin tim Apolonia dhe familjen që më ka mbështetur deri sot. Jam bërë teze. Nipi dhe mbesa më thërrasin: “Teze goli”, deklaroi ajo.
Juxhin Xhaja zgjidhet arbitri i vitit 2024.
“Këpucën e Artë” për djem e fiton Bekim Balaj. Çmimi jepet nga ish-futbollisti i njohur Sulejman Demollari.