Sport

Fundi i trishtë i Sampdorias! Dikur bënte histori, tani mes kërcënimeve dhe shpërbërjes

Shkruar nga Liberale
Fundi i trishtë i Sampdorias! Dikur bënte histori, tani mes

Sampdoria, një nga ekipet më me emër në Itali, që ka bërë histori edhe në Europë, tani ndodhet në një situatë kaotike.

Skuadra militon në Serinë B italiane, por as aty ku e ka vendin të sigurt, pasi janë një nga ekipet më të rrezikuara për të rënë.

Situata në prag të ndeshjes së radhës duket e pashpresë. Lojtarët duken të rënduar për gjendjen e ekipit, ndërsa sirenat e policisë, vetëm sa e shtojnë tensionin. Tifozët të zemëruar me gjendjen e ekipit, kanë nisur kërcënimet, për ta bërë edhe më të vështirë situatën.

Në rrjetet sociale qarkullojnë mesazhe zemërimi, ndërsa në qendrën stërvitore të ekipit u shfaqën parulla kërcënuese, që dëshmojnë irritimin e tifozëve.

Humbja e fundit ndaj Spezias, vetëm sa ka shtuar tensionet, me skuadrën që është shoqëruar nga policia në një vend sekret, ku do të përgatisë ndeshjen e radhës ndaj Citadella-s.

Sampdoria ndodhet në zonën e rënies nga kategoria dhe rrezikon seriozisht shpërbërjen nëse përfundon në Serinë C. Një skenar i tillë do të ishte fundi i një klubi me 79 vite histori, që asnjëherë nuk ka rënë kaq poshtë. Vendimet e këqija, menaxhimi katastrofik dhe ndryshimet e shpeshta të pronarëve e kanë çuar klubin buzë greminës.

Vetëm dy fitore në 21 ndeshjet e fundit përfaqësojnë realitetin e trishtë të kësaj skuadre, ndoshta më të dobtën në historinë moderne të Sampdorias. Një skuadër që dikur shkëlqente në vitet ’80 dhe ’90, finaliste e Kupës së Kampioneve, fituese e Kupës së Kupave dhe krenari e futbollit italian, sot gjendet një hap larg shpërbërjes.

Rruga drejt këtij fundi ka qenë e gjatë: pronarë që përfunduan në burg, kërcënime me plumba në zarfe, faliment që u shmang për pak dhe një projekt ringritjeje që tani duket si një ëndërr naive.

Rënia në Serinë C do të shkatërrojë bazën mbi të cilën është ndërtuar plani i rimëkëmbjes financiare të klubit. Marrëveshjet për ristrukturimin e borxhit nuk parashikojnë këtë skenar, çka do të thotë se gjithë procesi do të dështojë.

Liberale Newsroom

Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH