Kur themi mban shiritin, nuk ka nevojë për shpjegim tjetër. Igor Vujaçiç është padyshim njëri nga lojtarët më të rëndësishëm tek Rubin I Kazanit, e ndoshta rastësisht është kapiten I një ekipi me plot ballkanas.
Në një intervistë për gazetën e qytetit të Kazanit, malazezi nga Podgorica, flet për shokët e ekipit, për atë që quhet “banda e Ballkanit” dhe veçon Mirlind Dakun.
Mbrojtësi 30-vjeçar I qendrës thotë me të qeshur se Daku është këngëtari më I keq ndër lojtarët e Rubinit, se ai ka një repertor prej vetëm dy apo tri këngësh që ia vlejnë, ndryshe nga shoku tjetër I ekipit, Oleg Ivanov, që di shumë këngë ruse dhe të tjera.
E vërteta është që Vujaçiç dhe Daku janë shokë të ngushtë në klubin e Premier Ligës së Rusisë, aq sa ndajnë të njëjtën dhomë kur janë në hotel para ndeshjeve.
Malazezi bën një batutë për yllin e kombëtares shqiptare, ndërsa ngacmohet nëse ai do të largohet apo jo nga ekipi.
“Nëse do të largohet, më në fund do të mund të fle gjumë! Gërhet në mënyrë të tmerrshme. Nuk e di se ç’do të ndodhë. Futbolli është I paparashikueshëm. Tani, ai dëshiron të qendrojë dhe të ndihmojë ekipin, por është lojtar shumë I mirë dhe vështirë të dish se çfarë e pret në të ardhmen. Ndoshta do të zëvendësojë Halandin tek Mançester Siti”.
Ndoshta një ditë Daku do të ndahet nga shoku I tij I ngushtë.
Ka mundësi të jetë rastësi, por asistin e vetëm për Rubinin, malazezi e ka dhënë për një gol të shqiptarit, gati dy vjet më parë, në fitoren 1-0 në fushën e Baltikës në Premier Ligën ruse.
Tek Rubini aktualisht janë 7 apo 8 lojtarë ballkanas, përfshi Mirlind Dakun, Dardan Shabanhaxhajn dhe Veldin Hoxhën.