Françoise Bornet, e famshme për një prej fotove më ikonike të puthjeve – e realizuar në Paris, Francë – ka vdekur në moshën 93-vjeçare.
Historia e Le baiser de l'hôtel de ville (Puthje nga Parisi) e realizuar nga fotografi francez Robert Doisneau në një Rolleiflex është një histori magjepsëse. E shkrepur në prill 1950, Doisneau punonte për revistën Life dhe fotot e tij ishin për të ilustruar dashurinë në Paris.
Imazhi u shfaq në revistën Life në vitin 1950 por u harrua pas publikimit deri në vitin 1986 kur një kompani posterash rivlerësoi foton dhe e ktheu atë në një hit global. Fotoja, e realizuar në rrugën e ngarkuar të Rue de Rivoli, goditi shijet e masave pasi fotografia u bë pjesë e kartolinave, kutive të çokollateve dhe madje edhe perdeve të dushit.
Fotografia ishte një foto spontane që pasi mori famë çoi në një seri çiftesh që pretendonin se ishin ata të dashuruarit në foto. Madje mashtruesit Jean-Louis dhe Denise Lavernge u përpoqën të ngrinin një padi në 1992 duke pretenduar se ishin ata të cilët shfaqeshin në foto. Kjo e shtyu Bornet të dilte dhe të provonte se ishte vajza origjinale e shkrepur nga fotografi Doisneau. "Ata po shkelnin një kujtim që ishte i imi," tha ajo.
Megjithatë, Bornet gjithashtu ngriti paditi për një pjesë të fitimeve dhe të së drejtës së autorit. Të dyja paditë u refuzuan nga gjykata, por Doisneau u detyrua të dilte përpara dhe të pranonte se kishte vënë në skenë foton.
“Nuk do të kisha guxuar kurrë të fotografoja njerëz të tillë. Të dashuruarit që puthen në rrugë, çifte që duan privatësi,” tha fotografi para vdekjes së tij në 1994. Vajza e tij pohoi se polemikat mbi foton i shkaktuan atij një stres të madh në vitet e fundit, sipas The Times të Londrës.
Të dashuruarit në foto nuk qëndruan bashkë për shumë kohë, Bornet u martua me një burrë të quajtur Alain, por tha se romanca e saj me Carteaud ishte e vërtetë. “Jacques dukej paksa si Burt Lancaster. Ne u ndamë kur ai takoi dikë tjetër dhe humbëm lidhjen”, tha ajo.
Në vitin 2005, ajo shiti foton origjinale të dhënë nga Doisneau për 155,000 Euro (169,000 dollarë), që ishte shumë më e lartë se vlerësimi i ankandit prej 20,000 Euro (21,827 dollarë).
Në një intervistë në vitin 2022, ajo kujtoi takimin me Doisneau në Parisin e viteve 1950. “Isha me të dashurin tim. Ne nuk ndaluam së puthuri… Robert Doisneau na kërkoi të pozonim për të. Ne bëmë një sërë fotografish. Ata u shfaqën në revistën Life, por askush nuk i kushtoi vëmendje.”
Bornet e shijoi jetën plotësisht, duke pirë cigare dhe duke pirë uiski deri në vdekjen e saj në ditën e Krishtlindjeve në shtëpinë e saj në Evreux, Normandi.
“Pamja më e bukur e Hotel de Ville është ajo ku e sheh më pak. Au revoir e dashur Françoise Bornet”, tha në mesazhin e tij Emmanuel Gregoire, nënkryetari i bashkisë së Parisit.
Përgatiti: Liberale.al