Poeti prezanton përmbledhjen e re poetike "Në çdo pasqyrë na sheh mëkati", në një takim me studentë dhe pedagogë në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër
Pas Tiranës, përmbledhjen poetike të krijimtarisë së tij 40-vjeçare Preç Zogaj, vendosi të publikojë në Shkodër. Përpara studentëve të universitetit “Luigj Gurakuqi” dhe pedagogëve, Preç Zogaj prezantoi veprën e tij më të re “Në çdo pasqyrë na sheh mëkati” vepër e cila pasqyron 40 vite poezi të autorit i cili shkruan për gruan, njeriun, për vdekjen, për nënën si dhe për rininë, me të cilët bashkëbisedoi gjatë.
“Këto poezi duhen lexuar edhe nga brezi i ri”, tha Zogaj në fjalën e tij.
“Shkodrën e kemi zgjedhur gjithmonë, ne kemi kultin e Shkodrës. Unë jam rritur me kultin e Shkodrës. Shkodra ka rrezatuar si kryeqendër kulturore e gjithë veriut të Shqipërisë. Mënyra e trajtimit reflekton kohën që unë kam jetuar, reflekton leximet e mia, dijet e mia dhe ato që mund të ketë qenë predispozitat e mia për të qenë poet. Temat e dashurisë, temat e ekzistencës, tema e vdekjes që është temë e madhe e poezisë, duket si fjalë e rëndë por në fakt njeriu mendon për këtë mister të madh”, tha Preç Zogaj.
Ky takim me studentet e universitetit të Shkodrës shërbeu edhe si diskutim për letërsinë dhe rëndësinë e të lexuarit.
Arben Prendi, drejtor i Departamentit të Letërsisë, në Universitetin e Shkodrës tha se Preç Zogaj është një poet që e ka ruajtur në vazhdimësi raportin me poezinë. “E rekomandoj këtë libër për studentët, kolegët, të gjithë dashamirësit e poezisë, si një libër origjinal i cili na tregon se Preç Zogaj është një poet sistematik. Në çdio 4-5 vite ka arritur të botë një vëllim poetik dhe ka krijuar atë stilin e tij që e dallon nga autorët e tjerë”, theksoi Prendi.
Në këtë botim të ri të UET Press, “Në çdo pasqyrë na sheh mëkati”, vijnë të mbledhura bashkë poezitë e zgjedhura të poetit, të cilat janë botuar më herët në vëllime, si: “Emrat tuaj”, më 1985; “E pakryer”, 1987 ; “ A thua do të vish duke qeshur”, 1989; “Qielli i gjithkujt”, 1990 ; “Këmbësor në qiell”, 1994; “Kalimi”, 1999; “Pas erës së re”, 2004; “Gjallë unë pashë “, 2008; “Nuk ndodh asgjë veç dashurisë”, 2010; ”Fundi, një fëmijëri tjetër”, 2013; dhe nga më i fundit “Një e tretë dashuria”, 2021.