Letërsi

LIBRI I DITËS: Paraja është gjithçka dhe asgjë, fryma që përshkon romanin "Zoti qeshi deri në fund"

Shkruar nga Liberale

LIBRI I DITËS: Paraja është gjithçka dhe asgjë,

RUBRIKA DITORE E LIBRIT E PËRZGJEDHUR NGA LIBERALE.AL

Titulli: Zoti qeshi deri në fund

Kategoria: Roman

Autori: Raimonda Belli Gjencaj

Viti i botimit: 2023

Faqe:368

Shtëpia botuese: Dituria

Çmimi: 1000 Lekë

Mbi librin: 

Paraja është gjithçka dhe asgjë. Mund të ta lehtësojë jetën, por nuk të ndih ta blesh atë. Të qenit i pasur të jep ndjesinë e zotërimit. Jo vetëm të asaj që ke, por edhe të asaj që sheh dhe dëshiron ta kesh. Me çdo kusht; pa e vrarë mendjen për jetën e tjetrit. Fuqia e parasë njehsohet me fuqinë e zotëruesit. Paraja zgjon lakminë, duke shkatërruar vlerat morale të individit. 

Kjo frymë përshkon romanin "Zoti qeshi deri në fund". Personazhe pa emër, të identifikuar sipas profesionit, të mbledhur në një ndërtesë plot luks, jo për shkak të lidhjes së gjakut, por për t'i ikur vetmisë.  Ajo që i ka bërë bashkë, një grua e suksesshme në bizneset e saj, e ka gjetur si një mënyrë për të projektuar të ardhmen. Ata jetojnë të tashmen, në një rutinë të pandryshueshme deri ditën kur shfaqet dikush, që vjen nga larg. Djaloshi, më i riu ndër ta, e di se ku shkel. Ka ardhur me një porosi, që duhet ta përmbushë, si amanetin e shenjtë të dikujt, që nuk rron më. Ai është i vendosur për ta mbajtur fjalën, deri në çastin që djalli me ngjyrë të florinjtë nuk i zapton shpirtin. Pas kësaj, historia merr tjetër udhë...

Një grua që s'ka shumë që i ka kaluar të pesëdhjetat, me një histori të trazuar sentimentale,  tashmë të lënë pas krahëve, me shumë mundim. Një djalosh i pashëm, me moshë sa gjysma e saj, që tundohet nga pasja. Nuk mund të bëhet bir për shpirt i askujt, por duhet të gjejë shtegun për të shtënë në dorë pasurinë. E lehtë nuk është, por jo dhe aq e vështirë për dikë që ka studiuar psikologji... Preja e tij është e brishtë. Ai i merr ndër duar mendjen dhe shpirtin... Një përballje me kundërshtarë: Ndjenja dhe Interesi.  

Pak nga jeta e autores

Raimonda Bell Gjenaj është gazetare dhe Përkthyese Zyrtare. Ajo është diplomuar në Universitetin e Tiranës në vitin 1977.

Ka punuar si gazetare në revistën “Shqiptarja e re” (1977-1990) e më pas në Akademinë e Shkencave, në sektorin e Enciklopedisë për Kulturën (1990-1993); bashkëpunëtore e Radio – Televizionit Shqiptar si autore emisionesh, pjesësh teatrale për fëmijë, autore skenarësh televizive, duke qenë ndërkohë edhe moderatore në Radio dhe Televizion (1973-1989).

Është autore e tregimeve dhe novelave të botuara në shtypin letrar të kohës si: gazeta “Drita”, revista “Nëntori” dhe në revistën “Shqiptarja e Re”.

Nga krijimtaria për fëmijë spikatin librat: “Duduqi që kërkonte kushërinj” dhe “Kukulla Blerta udhëton drejt detit”.

Është autore e romaneve : “Epitafi i Fundit” dhe “Butonat prej platini”, që publiku i ka përcjellë me shumë interes.

Raimonda Belli Gjençaj është fituese e çmimit letrar të dhënë nga Ambasada Spanjolle, ne vitin 2009, për tregimin me titull: “Lot në oqean”.

Liberale Newsroom

A është e pranueshme (dhe e ligjshme) ndërhyrja e kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të disa prej bashkive të vendit?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH