RUBRIKA DITORE E LIBRIT E PËRZGJEDHUR NGA LIBERALE.AL
Titulli: Flakërime dashurie
Kategoria: Poezi
Autor: Xhelal ed- Din Rumi
Përkthyes shqip: Edin Q. Lohja
Botuesi: Pema
Viti: 2018
Numri i faqeve: 279
Çmimi: 1.080 Lekë
Mbi librin:
Antologjia poetike “Flakërim dashurie” botohet për herë të parë në gjuhën shqipe. Poezitë janë kryesisht nga “Divani” e duke qenë së tema e dashurisë mbizotëron tërë krijimtarinë e Rumiut, ajo është dominante edhe në këtë përmbledhje. Aty perfshihen dhjetëra poezi të Rumit, që prekin edhe tema nga metafizika, teologjia, kozmologjia e psikologjia.
Çfarë e bën unike shprehjen e mesazhit te tij universal ne vargjet e tij, është natyrshmeria shtangëse dhe aftësia marramendëse e tij për të përdorur figuracion letrar të nxjerrë nga jeta e përditshme, duke dëftuar mjeshtërisht se pas çdo përvoje njerëzore ka një derë tek e padukshmja.
Rumi ka thurur mbi 3200 poezi dashurie, me 40 mijë dyvargësha të përshkruar nga ndjesia e dehjes shpirtërore prej dashurisë siprane. E gjithë krijimtaria e Rumit është e destinuar t’i bindë njerëzit se dashuria mund të bëjë mrekulli.
Pak nga jeta e autorit:
Xhelal-ed-din Rumiu e filloi shekullin e 21-të, me një sukses të jashtëzakonshëm. Ai shënoi një rekord të paimagjinueshëm shitjesh ne SHBA; mbi 3 milionë kopje të librit të tij “Fjalët e parajsës” pikërisht në kohën e acarimit më të thellë mes Perëndimit dhe vendit të tij të lindjes, Iranit.
Pasi pushtoi mendjet e lexuesit atlantik, befas ai hyri edhe në studiot e mëdha të kinemasë së Hollywood-it; mbërtheu pasionin e aktorëve të mirënjohur të skenës dhe këngëtarëve të të gjitha rrymave, prej atyre folklorikë deri tek rock-pop-i.
Rumiu i ka marrë të gjithë titujt e nderit që japin epokat dhe kujtesa historike. Eshtë quajtur “Pir”, në kuptimin e udhëheqësit shpirtëror, ndryshe prijës fetar dhe është quajtur “Moulana”, në kuptimin “hyjnor”. Pasardhësit e kthyen emrin e tij, në një shenjë identifikimi të urdhërit të tyre.
Xhelal-ed-din Rumiu është një poet që ka shkrirë në veprën e tij, në një shkallë shumë të lartë sinkretike, mjeshtërinë e fjalës poetike, shpirtin e besimit, frymën e reformës të doktrinës, fshehtësinë e ritit, magjinë e tretjes dhe të ekuilibrit në tentimin e hyjnores, fshehtësinë e mistikës dhe thellësinë e mendimit filozofik.