Letërsi

IN MEMORIAM/ Kasëm Trebeshina, shkrimtari disident që denoncoi diktaturën e Enver Hoxhës

Shkruar nga Liberale

IN MEMORIAM/ Kasëm Trebeshina, shkrimtari disident që denoncoi

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” përkujtoi sot shkrimtarin, dramaturgun dhe poetin disident, Kasëm Trebeshina

Kasëm Trebeshina lindi në Berat më 8 gusht 1926. Filloi studimet në Shkollën Normale të Elbasanit, por i ndërpreu më 1942, sepse u aktivizua që në rini në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Pas vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri, ai shërbeu si oficer i Drejtorisë së Mbrojtjes Popullore. Trebeshina ndërpreu studimet e larta në Institutin e Teatrit “Ostrovski” të Leningradit dhe iu kushtua tërësisht krijimtarisë letrare.

Ai do ta kundërshtonte që në nismë metodën e realizmit socialist. Letra e tij “Promemorje” për Enver Hoxhën, shkruar më 5 tetor 1953, denoncon vendosjen e sistemit diktatorial në Shqipërinë e Pasluftës së Dytë Botërore. Ky kundërshtim i hapur i drejtimit që synohej t’i jepej letërsisë dhe arteve do ta çonte atë mëse një herë në burg dhe do t’i hiqte të drejtën e botimit.

Në 1954 Trebeshina u dënua me 3 vjet burg me akuzën për agjitacion dhe propagandë kundër pushtetit. Më 18 maj 1962 komisioni i internim-dëbimeve e dënoi atë me 5 vjet internim, që filloi më datë 18 maj 1962 dhe mbaroi në datë 18 maj 1967.

Për studiuesin Bajram Kosumi (ish-kryeministër i Kosovës) demokracia, politika apo historianët, mund ta pengojnë një shkrimtar në një periudhë të caktuar, por lexuesi është gjykatësi i fundit i secilit shkrimtar. Një vit para se shkrimtari i madh të ndahej nga jeta, Bajram Kosumi, pjesa më e madhe e veprave nuk janë botuar ngase ka pasur mosbesim për letërsinë nga burgu. “Po përdornin një fjalë antitotalitare, por nuk ka letërsi totalitare dhe antitotalitare, s’ka letërsi demokratike apo antidemokratik; letërsia nuk ndahet, ato janë partitë politike.

Bajram Kosumi foli mbi rëndësinë e veprës së tij një vit para se Kasem Trebeshina të ndahej nga jeta në Ankara (2017). “Për mua, ‘Tregtarin e skeleteve’ të Trebeshinës e ndaluan apo s’e ndaluan, e botuan apo nuk e botuan është një vepër kulminante, që përbën mozaikun më të mirë të letërsisë shqipe, flasin apo jo historianët për të. Nuk ka rëndësi kjo, por ajo sipas meje, është një vepër që ka rrëfim të bukur, sepse është një vepër surrealiste, e cila është shkruar kur askush prej shqiptarëve nuk ka shkruar një vepër surrealiste”.

Ai ndalet në dy elemente stilistike, që e shfaqin më mirë sesa çdo gjë tjetër modernitetin e një pjesë të poezisë së Trebeshinës. Habija poetike është një prej elementëve themelorë të letërsisë moderne dhe mospërcaktimi ligjërimor. Nuk ka dyshim që në veprën e tij, Trebeshina është i ngjashëm me surrealizmin, por ai përafrohet edhe me realizmin magjik. Ai është midis realizmit magjik dhe modernes. Ka edhe shumë elementë të tjerë, për shembull personazhet e tij dallojnë me ata të realizmit.

Personazhi i Trebeshinës është i mjegulluar, pa vullnet për jetë, që nuk vetësakrifikohet, humbës i përjetshëm, në mëdyshje. Është i ngjashëm me personazhet e Kamysë dhe të Kafkës. Pastaj modernizmi i Trebeshinës ka të bëjë më gjuhën e tij letrare, nuk ka të përbashkëta me letërsinë e kohës që janë shkuar vepra të tjera.

Krijimtaria e botuar të Kasem Trebeshinës si prozator, dramaturg, poet, eseist, etj., ishte e e larmishme për nga gjinitë dhe llojet letrare të lëvruara, e pasur dhe origjinale. Vepra e Kasem Trebeshinës, në një pjesë të saj ka mbetur ende e pabotuar, por duke përbërë gjithsesi një nga zërat më interesantë të letërsisë shqipe të pas luftës.

Kasem Trebeshina botoi për herë të parë në vitin 1953 dramën historike “Kruja e çliruar” dhe më pas në vitin 1961 poemën “Artani dhe Minja ose hijet e fundit e maleve”, dy vepra këto, të cilat ruhen në fondin e Bibliotekës Kombëtare dhe prezantohen për herë të parë për publikun në këtë ekspozitë.

Krahas tyre janë ekspozuar edhe veprat e tjera të shkrimtarit, të cilat janë botuar pas gati 40 vitesh nga vepra e parë, si “Legjenda e asaj që iku” (1992) “Qezari niset për luftë” (1993), “Rruga e Golgotës: një përrallë dimri” (1993), “Mekami: melodi turke” (1994), “Lirika dhe satira: shfletim i paqëllimtë kujtimesh” (1994), “Historia e atyre që s’janë: komedi tragjike” (1995), “Ëndrra dhe hije” (1996), “Hijet e shekujve” (1996), “Nata para apokalipsit: triptik” (1999), “Ku bie Iliria?” (2000), “Kënga shqiptare – 5 vëllime” (2001) dhe “Më përtej kohërave” (2004). Me kujdes të veçantë në fondin e vlerave të rralla të Bibliotekës Kombëtare ruhet edhe dorëshkrimi i shkrimtarit “Historia dhe njerëzit e saj: bisedë në mbrëmje vonë” në të cilën Trebeshina, përmes një proze politike, ka shpalosur pikëpamjet e tij politike e shoqërore, shkruar në Ankara në vitin 1997.

Krahas krijimtarisë letrare, një vend të veçantë në ekspozitë zënë edhe studimet e shumta mbi veprën letrare të Trebeshinës, por edhe mbi jetën e tij të trazuar, në gjuhën shqipe ose të huaj, si “Dosja Trebeshina dhe prapaskenat e lidhjes” (2006); “Trebeshiniana: studime, artikuj, ese” (1998); “Allori seçhi = Dafina të thara: romani i jetës sime” nga studiuesi Edmond Çali botuar në Romë në vitin 2007; “Trebeshina, një jetë para gjyqit” nga gazetari Nuri Dragoj (2007); “Albanian” dhe “Kasem Trebeshina, prophet” (1992) nga albanologu dhe studiuesi Robert Elsie; “Trebeshina-ajsbergu i letrave shqipe” (2005) i studiuesit Behar Gjoka; “Miti i Metamorfozës në prozën e Mitrush Kutelit, Ismail Kadaresë, Kasem Trebeshinës” nga Elvira Lumi (2006), “Intervistë me Kasem Trebeshinën” nga prof. Edmond Çali (2006), “Disidentët e rremë” i studiuesit Sadik Bejko (2007), “Shkolla e disidencës dhe Trebeshina” nga Gjovalin Kola (2012), “Veçori të poetikës në prozën romanore të Kasem Trebeshinës” nga prof. Anila Mullahi (2013) si dhe “Disidenca në letërsinë e realizmit socialist shqiptar: Kasëm Trebeshina, Zef Pllumi dhe Ismail Kadare” me autor prof. Edmond Çali (2015).

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH