Në Foto: Dhimitër Shuteriqi me të atin Simon Shuteriqi 1922
Njerëzit tanë më të dashur në shtëpi na ishin bërë Gurakuqi, i cili kishte banuar tek ne në Elbasan dhe Fan Noli të cilin babai, Simoni, e mbante në gojë. Duhet të kisha ripërmendur edhe Shaban Blloshmin, me të cilin na lidhte një miqësi e ngushtë dhe që ishte njeri me shumë influencë në viset e Qukësit e të Pogradecit.
Revolucioni i Qershorit na ka gjetur në Elbasan. Të rinjtë e shoqerisë "Bashkimi" që pati themeluar Avni Rustemi ishin gjallëruar shumë.
Nëpër kisha dhe xhamia,bëheshin lutje e dua për Nolin e qeverinë e tij.
S'ishte e habitshme që Shqipëria në pjesën më të madhe myslimane, në krye të kishte një peshkop, një dhespot. - "Do ta vrasin Fan Nolin! - ishte e bindur ime gjyshe, - mori më qafë vehten." Nga me entuziastët e kohës ishin nxënësit e Normales. Midis mësuesve, Ahmet Gashi, Ahmet Burburia, Ahmet Duhanxhiu.
Një ditë unë dhe im at morëm automobilin për në Tiranë. Zbritëm te Hani i Elbasanit, nën Sahatin e Madh. Nuk më kujtohet se si im at më shpuri për të fjatur te "Streha Vorfnore" ku fjeta unë me Ptolemeun. Nga doli ai Ptoleme, s'më kujtohet.(bëhet fjalë për djalin e A.Xhuvanit). Të dy shëtitëm qytetin nga mundem. Kur vinte vakti i drekës apo i darkës ishim aty në akcihanen e Haxhi Files bashkë me prindërit.
Dajë Haxhiu e kishte kujdes tavolinën tonë se aty me zotin A. Xhuvani dhe një zotin Simon nga Elbasani, hante përditë ministri Luigj Gurakuqi. Prindërit tanë vinin pak më përpara se të vinte Gurakuqi. Ky soste në orën fiks kur mbylleshin zyrat në mesditë.
Kur hynte Gurakuqi, çoheshin të gjithë në këmbë, ai i pershëndeste duke i hequr kapelen. Kishte dy sy të mëdhenj nën vetulla të plota, një palë buzë të fryra, i zeshkët e me ceren plot shëndet. Vinte më i gjatë se Xhuvani dhe im atë. U jepte dorën miqve, na ferkonte kokën ne të dy të vegjëlve. Kur fliste perpiqte buzet e trasha,se i merrej pak goja. Goja ju merrej edhe Xhuvanit e Ptolemeut, kështu që biseda jonë i ngjante një koncerti në stakato që ne të dy të vegjëlve na bentë për të qeshur.
Një ditë në akcihane catisi kryeministri Fan Noli. Noli nuk hante në restorant, por atë ditë kishte kërkuar ministrin e financave, Gurakuqin e se kishte gjetur. Noli u ul, u ul edhe Gurakuqi. Hirësia e tij nuk hante mish, por vetëm lakra. Nisi të hante me oreks turline sade, pasi piu një canak me dhallë.
Nuk di se çfarë bisede u bë ndërmjet katër burrave, foli kryeministri me shumë dhe restauranti mbante vesh, nuk tringelliu lugë e pirun. Unë dhe Ptolemeu gjithë turp me zi përçapnim me kokën ulur. Noli fliste me sytë nga ne dhe duke na lojtur ndonjë sy.
Ai ishte një burrë i shkurtër, shumë ezmer, me një mjekër të plotë, por jo të gjatë, me një kryq të madh floriri të varur mbi gjoks, i veshur civil. Deomos u interesua për djemtë e dy mësuesve dhe na bëri komplimentet, kur i thanë se me mësime ishin shumë mirë, - "të tillë djem do Shqipëria" dhe ishte ai që na qerasi ëmbëlsirat atë drekë. Të dy hëngrën shpejt e shpejt dhe dolën bashkë, që të bisedonin në zyrë.Njerëzit ju ngritën në këmbë dhe përsëri filloi poterja e zërave dhe pjata.