Nëse ka ndonjë libër që i shkon Ditës Ndërkombëtare të Librit, është ky, sepse flet për shumë autorë shqiptarë që kanë krijuar palcën kulturore të identitetin tonë
Për të shkruar thotë se e ka ndihmuar dashuria. Shumë thonë se shtysë u bëhet vuajtja, por jo në rastin e Natasha Lakos. Mes miqsh e bashkëpunëtorësh të një jete, poetja dhe skenaristja e njohur tha se vazhdon të jetojë për të shkruar, e nxitur nga ajo dashuri që ka marrë qysh prej fëmijërisë. “kur më mbanin në krahë e më vishnin me dantellat e grave korçare... ndoshta ajo dashuri më ka bërë të shkruaj. Thonë se është vuajtja, por ajo është e thellë dhe pashfaqur. Dashuria të ndihmon shumë, edhe mikpritja”, do të shprehej poetja në takimin e organizuar në nder të saj, në Qendrën “Sotir Kolea”, të Bibliotekës Kombëtare.
“Po të mos kisha pasur atë mikpritje në poezitë e para ndoshta nuk do të kisha vazhduar të shkruaja”, tha ajo.
Ndërsa u theksuan vlerat e saj si pioniere e letërsisë femërore në Shqipëri, kontributi i saj në kinematografinë shqiptare dhe po ashtu punime eseistike mbi historinë e Kinemasë, aktiviteti e vendosi fokusin mbi librin më të ri të Lakos “Njeriu si një Tjetër”, botim i UET PRESS.
“Nëse ka ndonjë libër që i shkon Ditës Ndërkombëtare të Librit, është ky, sepse flet për shumë autorë shqiptarë që kanë krijuar palcën kulturore të identitetin tonë”.
Lako shtoi se esetë në këtë libër kanë këndvështrimin e saj, ndërsa tha se në kohët e sotme, shkrimtarët po konkurrohen nga inteligjenca artificiale.
Por është pikërisht fuqia e njeriut ajo që karakterizon librin e fundit të Lakos, që e sheh në rolin e publicistes.
Të pranishmit vlerësuan gjuhën poetike të Lakos, edhe në një libër me ese, ku autorja ka pranëvendosur emra të mëdhenj të letërsisë shqipe, përballë atyre botërore – bashkëkohës, emra të epokave të ndryshme, të cilëve u ka gjetur ngjashmëri në analizën e saj, në aktivitetin e moderuar nga shkrimtarja Majlinda Rama dhe praninë e figurave të njohura nga bota letrare dhe kinematografike.
Poeti Arian Leka tha se emrat të cilët autorja i ka vendosur bashkë si Naim Frashëri e Uollt Uuitman, Mjeda e Sibelius, De Rada apo Xhejms Xhojs nuk duken të pagjasë e as rrinë çuditshëm pranë njëri-tjetrit, por është meritë e Natasha Lakos e cila është ndriçuar për t’i parë. Poeti do të thoshte se atë që autorja e quan si lakomani, mënyra për të bashkuar edhe të pamundurat, e sheh si lakofoni, duke gjetur poetikë mes këtyre eseve.
Gazetari e dramaturgu Bashkim Hoxha ndau me të pranishmit episode nga njohja e gjatë me poeten dhe skenaristen nga koha e Kinostudios “Shqipëria e Re” e po ashtu mikesha e saj, regjisorja e skenaristja Angjelina Xhara. Edhe bashkëshorti i Lakos, regjisori Mevlan Shanaj ndau disa emocione nga jeta me poeten, njohja me të e deri tek ndodhia që e bëri Lakon të prezantohej me kinemanë.
Shkak i largimit të saj nga revista “Shqiptarja e Re”, u bë një letër anonime që rrekej të kritikonte se përse e bija e një të ashtuquajturi armik të klasës duhet të punonte në një organ të rëndësishëm. “Nëse nuk do të qe për atë anonim- që e mësuam kush ishte vetëm pasi kishte ndërruar jetë – Natasha do të ishte duke shkruar për pambukun dhe qumështin e lopëve te “Shqiptarja e Re” e nuk do të kishte shkruar skenarë filmash”, tha Shanaj, i cili lexoi një prej poezive të para të Lakos “Nuk më lë bora të shoh”.
Të parën poezi, Lako e shkroi më 1964-n. Gjeti përkrahjen e dy figurave të shquara të letërsisë shqipe, Dritëro Agolli dhe Ismail Kadare që në hapat e parë dhe një prej poezive të saj, të shkruara herët, hyri në pesëmbëdhjetë poezitë e Antologjisë Botërore të Krijimtarisë së Grave. Ka rrëfyer se më vonë, shumë prej poezive të saj janë përfshirë në antologji botërore. Motivi mbizotërues i poezive të saj, është pohimi i njeriut si qenie njerëzore, ekzistencial, në marrëdhënie me botën.
Librin më të arrirë të karrierës së saj - e cila e kaloi poezinë dhe zuri vend në kinematografinë shqiptare përmes shkrimit të skenarëve - , cilëson “Kundërpërfytyrimi”.
Në një trill imagjinate, po aq sa edhe erudicioni e përsiatjet analitike, Lako që iu shfaq lexuesit edhe si eseiste, shkruan mbi Dafinën-Sevasti të filmit me skenar të saj “Mësonjëtorja” në “Të jetosh e të ekzistosh si Sevasti”. Një libër ku autorja bën bashkë jetë në dukje të largëta por në esencë të ngjashme e paralele. Sa të afërt vijnë Roza Anagnosti me Sevasti Qiriazin, siç lundrojnë oqeane e kultura bashkëkohësit Uollt Uitman e Naim Frashëri, siç kapërcejnë shekuj De Rada e Xhejms Xhojsi, Bogdani e Herakliti, Mjeda e Sibelius... Nga këto shkrime të vendosura një herë e mirë njëra pas tjetrës, edhe unë ndiej se sa të çmuara janë udhëtimet e njeriut në botën e madhe të letërsisë dhe artit, ku gjithkush gjen një vete tjetër, duke u shëruar gjithnjë e më shumë nga uni agresiv që shfaqet në sistemet e komunikimeve të shpejta”, shkruan Lako.
Në imagjinatën e kujt e njohu dhe e lexoi, poetesha shqiptare shihet si Safoja e këtyre anëve, Emili Dikinson, Shimborska a Alda Merini, duke e pranëvendosur Lakon me emra të mëdhenj të poezisë botërore bash siç kishte bërë ajo ndër vite, ndërsa shkruante ato ese e analiza, që i mblodhi vitin e kaluar në një botim me logon e UET PRESS. Libër që e rendit tanimë poeten dhe skenaristen e njohur mes autoreve të vyera të kësaj shtëpie botuese.
Në këtë libër ka shkrime që e kanë nisur botimin prej vitit 1996, si dhe shënime të pabotuara që po shfaqen për herë të parë. Por, kronologjia sipas vitit të botimit të shkrimeve të ndryshme që lidhen me ngjarje artistike letrare, nuk e tejkalon dot kronologjinë e një trashëgimie që udhëton deri në ditët tona nën shkëlqimin e humanizmit evropian, që te shqiptarët mori rrugë prej Marin Barletit, Gjon Buzukut e për të arritur te të gjithë punëtorët e gjuhës shqipe dhe te të gjitha arritjet botërore, si kërkim individual artistik në shprehjen e një riqytetërimi të vazhdueshëm.