Letërsi

"Rebeli" nga UET Press/ Fjala e autorit Ikonomi në promovim: Nuk është sakrilegj ta quash rebel Fan Nolin 

Shkruar nga Liberale

"Rebeli" nga UET Press/ Fjala e autorit Ikonomi në promovim: Nuk

Unë përpiqem që librat e mi t’i bëj romane, por me personazhe dhe ngjarje të vërteta. Pastaj brenda tyre duhet të ketë edhe njëfarë sensi analitik, siç e tha edhe Z.Kasmi, kështu që nuk është e lehtë të bësh këtë gjë.

Shqipëria në fakt, ishte një roman i hapur në atë kohë. Po ta shikosh nga sytë e së sotmes ishte tamam një roman. Noli vjen me një anije në Durrës, i gëzuar shumë. Ishte 16 shtatori i 1920. Do të zbresë nga anija në Shqipëri, por në të ngjitet prefekti i Durrësit, Rexhep Jella.

“Jo”, i thotë, “nuk mund të zbresësh".

“Si nuk mund të zbres? Unë jam njeriu që krijova kishën e parë shqipe në Boston.”

Ishte i famshëm në Shqipëri për bëmat e tij në Boston, për udhëheqjen e shqiptarëve të Amerikës, e të gjitha këto.

“Jo, se kemi urdhër nga kryeministri që ti nuk mund të zbresësh në Shqipëri.”

E çuditshme! Unë po tregoj këtu një episod të vogël se çfarë romani ishte Shqipëria e asaj kohe. Sigurisht, Vatra që e dërgoi Nolin në Shqipëri u ankua se pse ky njeri kaq i famshëm nuk mund të zbresë në Shqipëri. Për ta kompensuar këtë punë e bënë kryedelegat të Shqipërisë në Gjenevë, në Lidhjen e Kombeve. I dhanë një post edhe më të lart për të mos e lënë në Shqipëri. Pse nuk e lanë në Shqipëri? Sepse kishin frikë se ai mund të rrëmbente pushtetin. Ishte i zgjuar Noli. Dinte gjuhë të huaja, ishte njeri i ngritur. Kishte reputacion të madh.

Një nga arsyet, por mund të mos ketë qenë vetëm kjo, ishte se ata nuk donin që ai të hynte në Shqipëri për t’iu prishur punë pushtetarëve në atë kohë. Dua të them që episode të tilla që unë mendoj, pa ofenduar njeri, se iu kanë shpëtuar historianëve në një mënyrë të çuditshme, por me këto mund të bësh një libër, një roman të tërë.

Autori kaq kohë ka dhe kaq mund të bëjë, por kjo historia e Fan Nolit është me të vërtetë interesante. Unë nuk jam përpjekur as ta denigroj Fan Nolin, as ta ngre në qiell, por jam përpjekur të tregoj të vërtetën. Është si ata shkrimtarët që kur duan të mos shkasin në këtë apo atë drejtim, vënë një tabelë mbi krye: “Mos bëj këtë”. Edhe unë duhet të kisha vënë një tabelë: Kujdes, kujdes, kujdes, mos rreshket as majtas as djathtas! Kujdes, mos e mburr shumë Nolin! Kujdes, mos e denigro shumë!

Është shumë e rëndësishme për një autor, sepse ne duhet të tregojmë të vërtetën. Ka dalë një libër kohët e fundit, që titullohet “Nexus”. E ka shkruar një filozof dhe historian i famshëm Yuval Harari. Në atë libër ai thotë se “e vërteta është një mall i shtrenjtë dhe i rrallë. Është një mall i rrallë sepse ti nuk e gjen të vërtetën ku të duash. Në bombardohemi nga informacioni çdo ditë dhe kujtojmë se marrim të vërteta. Në fakt, të vërteta që ne na vijnë janë një gjë e rrallë, nuk janë aq të shpeshta dhe unë këtë të vërteta i gjej nëpër arkiva se nuk kam vend tjetër ku t’i gjej. Është një mall i shtrenjtë, nuk mund ta gjesh kudo. Për të bërë këtë duhet punuar shumë me arkivat siç tha Nevila, me të gjitha ato mënyrat e mundshme.

"Rebeli" nga UET Press/ Fjala e autorit Ikonomi në promovim: Nuk

Si arkiva unë kam shfrytëzuar Arkivin Qendror të Shqipërisë, që është shumë i pasur për Fan Nolin. Kam përdorur arkivin dhe bibliotekën “Fa Noli” në Boston. Në Kishën e Shën Gjergjit, atje ku ka punuar Noli. Atje ka me qindra ndoshta dhe mijëra letra që nuk kam arritur t’i lexoj të gjitha. Me aq sa kam parë ka material të bollshëm. Jam përpjekur pastaj të shfrytëzoj arkivin italian. Gjithashtu është shumë i pasur arkivi i Foreign Office, një minierë e tërë që flet për Nolin dhe Shqipërinë e vitit 1924 që mua më ka interesua shumë në këtë libër sepse Noli u bë kryeministër në 1924, d.m.th. 100 vjet më përpara.

Të gjithë këta njerëz, të gjithë këta personazhe që unë përshkruaj në librin tim, janë një galeri njerëzish që sot nuk jetojnë më. Asnjëri nuk jeton më . Unë e kam thënë në krye të librit që unë i shikoj ata si një teatër kukullash, e them me ironi e një lloj cinizmi këtë. Këto kukulla kanë luajtur, janë zënë, janë grindur për pushtet, janë grindur për një hotel, për një copë tokë, për çdo gjë të mundshme. Natyrisht mes tyre ka pasur edhe idealizëm dhe idealist, por këta nuk janë më sot.

Atëherë përse luftuan? Për çfarë dreqin luftuan? Luftuan për copën e tokës, luftuan për hotelin, për çfarë?

Noli nuk ishte nga këta njerëz që luftonin për një copë tokë apo për pushtet. Noli edhe atë pushtet që donte, e donte sepse ishte idealist, donte të mirën e Shqipërisë, donte të sillte reforma në këtë vend. Ai solli disa ideale amerikane, por nuk i realizoi dot për arsye që unë i përmend në libër.

Libri nuk është analitik, por tregon një rrjedhë ngjarjesh nga të cilat lexuesi kupton se çfarë po bëhet, kupton se përse Noli dështoi në atë që ai e quante revolucion. Në përgjithësi librat e mi nuk janë analiza historike, por janë thjesht biografi e ndërthurur me historinë. Nuk kanë atë sensin e historianit që të analizojnë çdo detaj pse u bë kjo apo ajo. Unë ia lë lexuesit që ta bëjë këtë dhe kam parë, kam vënë re me kënaqësi që lexuesi është i kënaqur me këtë mënyrë. Lexuesi nuk do moralizime, i ka inat ato. Natyrisht, historianët le të bëjnë të tyren dhe s’ka diskutim që do ta shkruajnë historinë ashtu siç dinë ata ta shkruajnë dhe unë nuk e di sesi e bëjnë ata.

"Rebeli" nga UET Press/ Fjala e autorit Ikonomi në promovim: Nuk

Kjo mënyra që përdor unë është që t’ia afroj realitetin e asaj kohe lexuesit të sotëm. Që ta bësh këtë duhet ta zhysësh lexuesin në atë epokë. Ti të mos e analizosh epokën e atëhershme me kriteret e sotme. Ta zëmë, u bë një vrasje në atë kohë nuk ishte shkelje e të drejtave të njeriut siç e shikojmë ne sot. Vrasja atëherë nuk ishte ndonjë gjë kaq e madhe sa sot. Ti duhet ta zhysësh lexuesin në atë epokë dhe ai të jetojë në atë epokë, ta shikojë realitetin siç e shikonin njerëzit e asaj kohe.

Ne biografët e Fan Nolit kemi një disavantazh shumë të madh. Nuk kemi mundësi ta intervistojmë personazhin tonë. Nuk kemi mundësi të flasim me Fan Nolin sepse ai nuk është më. Por edhe sikur të ishte gjallë, ai ishte një pus i thellë. Ai nuk i tregonte gjërat, nuk do t’iu përgjigjej pyetjeve. Disa njerëz e kanë intervistuar në fakt Fan Nolin në vitet ’50-’60 dhe nuk është se kanë nxjerrë ndonjë gjë të madhe. Ato misteret e tij i ruante fort në zemër dhe nuk i ndante me njerëzit. Kështu që, të shkruash biografinë e Fan Nolit është shumë e vështirë dhe duhet të kërkosh e lexosh nëpër arkiva, në letrat që ka shkruar, në korrespondencën e pasur. Por edhe letrat kur unë i lexoj nuk janë aq eksplicite. Gjërat ai nuk i thotë hapur.

Ky është vetëm vëllim i dytë i biografisë së Fan Nolit që unë  e kam quajtur “Rebeli”, sepse Noli guxonte të thoshte “jo”. Ishte një rebel. Ai u rebelua kundër kishës greke në Shqipëri, kur erdhi këtu në vitin 1921. Pastaj u rebelua kundër status quo-së, kundër asaj që ai e quante sistem feodal, atij sistemi që ai donte ta shkatërronte me një të rënë të shkopit por që nuk e bëri dot për arsye që unë i shpjegoj në libër.

Kjo është arsyeja e thjeshtë që unë  e kam quajtur rebeli. Disa mund ta marrin këtë si një provokim, si një ulje për Nolin, por në Perëndim nuk është ndonjë sakrilegj ta quash rebel një njeri që thotë “Jo”. Noli vërtet u rebelua për shumë gjëra.

Tani unë pres të shkruaj vëllimin e tretë dhe të fundit për Fan Nolin që përfshin një periudhë të shkurtër, por 40-vjeçare, nga janari i 1925 kur ai ikën nga Italia në Vjenë e deri sa vdes në vitin 1965. Është një periudhë e gjatë që unë do ta përshkruaj edhe këtë në rreth 400 faqe. Për këtë kam vendosur të punoj më gjatë, rreth dy vjet, dhe besoj nga viti 2026 do të keni vëllimin e tretë për Fan Nolin. Faleminderit shumë për pjesëmarrjen!

 

*Fjala e plotë e autorit Ilir Ikonomi, gjatë promovimit të vëllimit të dytë biografik për Fan Nolin, “Rebeli”, botim i UET Press.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH