Letërsi

BEN BLUSHI: Çuditërisht Lezha ka patur gjithmonë më shumë poetë se policë, dhe arsyen se kam kuptuar dot asnjëherë

Shkruar nga Ben Blushi
BEN BLUSHI: Çuditërisht Lezha ka patur gjithmonë më
Ben Blushi

Lezha është një qytet me shumë mistere. Të paktën për mua.

Ky qytet ka shumë histori dhe poezi.

Këto dy cilësi e kanë shenjuar si një vend interesant edhe kur Shqipëria ishte një territor monoton, i izoluar që nuk ofronte asnjë kënaqësi, përveç barazisë torturuese.

Nga Lezha, kam shumë kujtime si student, kur bëja zborin ose aksionet dhe duke i ikur pa leje rregjimit ushtarak të Mamurrasit apo disiplinës bujqësore të kooperativës së Rrilës, vija këtu për të blerë cigare, pastë dhembësh ose konjak të ëmbël.

Hipur mbi ndonjë kamioncinë me bagazh të hapur apo mbi ndonjë karrocë me kalë, kur mbërrija në këtë qytet të vogël më dukej sikur kisha ardhur në perëndim. Asfalti i freskët i Lezhës ishte një tapet për në qytetërim. Kur bënte vapë hotel turizmi i qytetit ishte një frigorifer i vogël që ushqente të ardhurit me akullore të verdha me një qershi në majë.

Ndoshta për shkak të gjeografisë, ndoshta për shkak të historisë apo ndoshta për shkaj të fesë, askund nuk e kam ndjere Perëndimin më afër në ato vite.

Lezha ishte një arratisje. Një exit. Një kalim. Një tejpërtej. Një andej.

Kjo shije e mirë për Lezhën më ka sjellë në ato vite të mbyllura shumë shpesh nga Tirana me tren për në Ishullin e Gjuetisë, aty ku bashkë me shumë miq, Vila e Konti Cianos ku kërcenim dhe pinim gjithë natën, na dukej si cepi më i lirë i Shqipërisë komuniste të viteve 80.

Trenat e mbushur me shpendë të uritur, me ushtarë të vegjël dhe me mësues të mërzitur duken tani si një film ekzotik të cilit i ka vdekur rregjisori.

Me pak fjalë arratisjet në Lezhë kanë qenë të zhurmshme, të mbushura me muzikë të ndaluar, me alkool të pakontrolluar, me flirte të padëmshme dhe me mendime të cuditshme.

Melankolija ishte muzika tradicionale e Lezhës që vazhdon dhe ushqen poetët e saj shumtë.

Çuditërisht Lezha ka patur gjithmonë më shumë poetë se policë, dhe arsyen se kam kuptuar dot asnjëherë. Policët kanë sistemuar në cdo kohë rrëmujën që bëjnë poetët duke i pajtuar ata me njëri tjetrin por dhe me vetveten.

Sot gjërat kanë ndryshuar pak: policët duan të shkojnë në plazh, poetët shkojnë në Tiranë. Të dy palët takohen në qytet dhe mendojnë se ndoshta do ishte mirë që nganjeherë ti ndrronin vendet.

Rendi i poezisë është më i bukur se cdo lloj rendi, perfshi edhe poezinë pa rend.

Këto kujtime që më pas janë plotesuar edhe me detaje të tjera për Lezhën dhe lezhjanët, i ndava edhe në takimin e mrekullueshëm para disa ditësh për prezantimin e romanit Komploti në Lezhë.

Më erdhi mirë që shumë miq e kishin lexuar romanin dhe prandaj i falenderoj të gjjthë duke postuar si kujtim këto fotografi.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH