E përzgjedhur sot nga Liberale.al, piktura "Vallja", e realizuar nga Andon Lakuriqi në vitin 1984, pasqyron shpirtin e pasionin e traditës dhe kulturës shqiptare.
Me një stil të veçantë, artisti përshkruan ritmin dhe lëvizjen e valltarëve, duke e lidhur këtë art me pasurinë e folklorit shqiptar.
Andon Lakuriqi është piktor i shquar shqiptar qe i përket rrymës se impresionizmit. Ai ka lindur në qytetin e Shkodrës në vitin 1934, dhe ka mbaruar më pas liceun artistik "Jordan Misja" në Tiranë.
Pas përfundimit të Institutit të Lartë të Arteve, ai punoi disa vite në Tiranë si pedagog i pikturës në Liceun "Jordan Misja" më pas kthehet në Elbasan, qyteti që do të kthehej në frymëzimin e përhershëm të tij artistik, deri në fund të jetës.
Ai mban titullin "Piktor i Merituar" dhe Urdhrin "Naim Frashëri", si dhe është fitues i një sërë çmimesh kombëtare në pikturë.
Ndër punët më të njohura janë "Mbas fitores" ( Punim diplome), "Fundi i fashizmit", "Ata që i kënduan luftës", "Kthim nga puna", "Vallja e shpatave", "Prova e parë", "Nusja e nënës", "Metalurgët", "Onufri", "Fitore sportive" etj.
Disa nga këto vepra janë riprodhuar, filmuar dhe emëtuar në emisione numizmatike të Bankës së Shqipërisë dhe emisone postare të Postës Shqiptare, dhe janë përfshirë në albume të ndryshme.
Për nder të tij një rrugë në qytetin e Elbasanit mban emrin e tij.