Piktura e realizuar nga Abdullah Gjongecaj
Rexhep Tarçuk Bala (i pagëzuar si Dervish Luzha), ka lindur në fshatin Luzhë,Tropojë më 15 korrik 1904.
U bë i njohur për aftësinë për të shëruar disa sëmundje, largimin e shqetësimeve të ndryshme të njerëzve, mënjanonte rreziqet, konfliktet dhe ngatërresat në malësi, etj. U bë një lloj mjeku dhe psikologu popullor në zonë. Tregojnë se ai udhëtonte shumë dhe mbante me vete, një çantë, një lahutë, një kazmë dhe një lopatë.
Pas vitit 1967 kur u ndaluan besimet fetare, dervish Luzha pati probleme. Njerëzit tregojnë se mbante mjekër, po disa herë ia qethën. Sa herë ia qethnin aq herë ai e linte të rritej.
Legjenda zonale thotë se personave që i qethnin mjekrën, u ndodhnin më pas histori fatkeqe. Ai vdiq më 4 nëntor 1985 dhe u varros në Luzhë. Mbi varrin e tij është ndërtuar tyrbja me emrin tashmë të njohur në këto zona, “Tyrbja e Dervish Luzhës” si dhe një bust i tij. Është një vend pelegrinazhi tashmë. Çdo ditë të javës aty ka njerëz të moshave dhe feve të ndryshme.